Zgjedhjet lokale, vlerësim fillestar, kush fitoi këshillat?

Në një seri shkrimesh të bëra para zgjedhjeve lokale, pata analizuar se çfarë rezultatesh duhet të arrijnë partitë politike që të mund të konsiderojnë se kanë arritur sukses në këto zgjedhje. Duke marrë parasysh se tani jemi në periudhën mes dy rretheve zgjedhore dhe se rreth të dytë do të ketë në disa komuna të mëdha shqiptare, është herët që të jepet vlerësimi përfundimtar për këto suksese ose mossuksese. Megjithatë, tanimë të paktën dihen votat që janë fituar në garat për këshilltarë komunash dhe të paktën mund të bëhet një rezyme e këtyre rezultateve, gjegjësisht këto të krahasohen me zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Mirëpo, përpara se të bëhet kjo analizë dhe ky konstatim për rritje apo rrënie të partive, është e rëndësishme të kihen parasysh disa tipare të zgjedhjeve lokale, të cilat për nga natyra dallojnë nga ato parlamentare. Së pari, në zgjedhje parlamentare partitë zakonisht shkojnë në koalicione të gjera, ndërsa në zgjedhje lokale ka tendenca që të dalin edhe vetë. Partia DOM dhe partia serbe SNS, për shembull, kanë dalë vetë në këto zgjedhje, edhepse në ato parlamentare kanë qenë në koalicione me VMRO-në, përkatësisht LSDM-në. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe partitë rome dhe turke.

Së dyti, në zgjedhje lokale ka edhe koalicione në nivel vetëm të një komune, që nuk reflektohet në komuna tjera. Shembull më i mirë për këtë është koalicioni famoz VMRO-LSDM në Kërçovë dhe Strugë, ndërsa shembuj tjerë janë koalicioni BDI-PAE në Strugë, ose BDI-RDK në Manastir.
Së treti, në zgjedhje lokale ka numër jashtëzakonisht të madh kandidatësh dhe listash të pavarura, që tërheqin vota nga partitë e mëdha. Në Makedonski Brod për shembull kandidatët e pavarur kanë marrë tre herë më tepër vota se partitë e mëdha maqedonase.

Së katërti, duhet të theksohet se këto fenomene janë më prezente te blloku maqedonas se te ai shqiptar. Si rezultat i kësaj, te trupi votues maqedonas ka 93.000 vota jashtë partive të mëdha, ndërsa te shqiptarët vetëm 8.300. Kandidatët turq jashtë koalicioneve kanë mbledhur afër 18.000 vota, ndërsa ata romë 7.600. Grafikisht kjo më së miri shihet me numër më të madh votash në kategorinë ‘tjera’ në 2013, në krahasim me 2011.

Së fundi, me gjithë këto specifika, numri total i votave për këshill megjithatë është indikatori më i mirë për fuqitë e partive. Plot parti nuk kandidojnë fare për kryetar komune aty ku nuk mendojnë se mund të fitojnë, por megjithatë garojnë me lista këshilltarësh. Në kësi rastesh qartazi partia ka njëfarë mbështetje në atë komunë, indikator i së cilës janë votat e fituara për këshill. Për shembull RDK-ja në Strugë nuk ka patur kandidat për kryetar komune, por ka fituar mbi 2.600 vota për këshill. Prandaj mund të thuhet se RDK ka mbështetje prej 2.600 votave dhe prandaj votat për këshilltar reflektojnë më mirë realitetin.

Duke patur parasysh gjithë këtë që u tha më lartë, mund të shqyrtojmë rezultatin e zgjedhjeve dhe të shohim se kush dhe ku ka rritje ose rrënie. Në faqen e KQZ deri sot janë publikuar rezultatet nga të gjitha vendvotimet, përveç një vendvotimi në Petrovec dhe një në Çashkë. Të rrumbullakësuara në qindëshen më të afërt, rezultatet janë këto: VMRO 417.000, LSDM 298.500, BDI 136.000, PDSH 77.600 dhe RDK 28.500. Të pallogaritura këtu janë 30.000 vota të koalicionit VMRO-LSDM në Kërçovë dhe Strugë dhe 1.000 vota të koalicionit BDI-RDK në Manastir.

Krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, në këto zgjedhje rritje kanë shënuar vetëm BDI-ja, edhe atë për 21.000 vota dhe PDSH-ja për 11.000 vota. RDK pak a shumë ka qëndruar në vend, sepse ka humbur vetëm rreth 1.000 vota. Partitë e mëdha maqedonase kanë humbur diçka më tepër, VMRO rreth 20.000 vota, ndërsa LSDM rreth 70.000.

Nëse i analizojmë rezultatet e partive nëpër komuna, shihet se VMRO pak a shumë ka patur rezultat stabil, të ngjashëm me atë ë 2013. Humbje substanciale ka vetëm në komunat Karposh dhe Kavadar, ndërsa rritje substanciale në Ohër dhe Prilep. Një numër i madh votash i kanë ikur në Makedonski Brod, por kjo për shkak të kandidatëve të pavarur që në zgjedhje parlamentare me siguri do të kthehen në gjirin e saj.

LSDM ndërkaq ka pësuar më keq. Ajo ka humbje substanciale votash në Aerodrom, Çair, Gazi Babë, Karposh, Kisela Vodë, Kavadar, Kumanovë, Ohër, dhe Resnjë, ndërsa rritje ka vetëm në Veles. Goditjet më të rënda ajo i ka pësuar nga të pakënaqurit e vet që kanë dalur në këto zgjedhje me lista vetanake, si për shembull në Karposh, Resnjë dhe Kavadar. Për dallim nga të pavarurit tjerë, nuk dihet nëse këto do të kthehen përsëri në partinë amë.
Rritja e votave të BDI-së ndërkaq u dedikohet një grushti komunash, pikë së pari Kërçovës që ka shtuar rreth 7.000 vota për BDI-në. Mandej pason Tetova që ka shtuar rreth 4.000 vota për partinë dhe Çairi e Dibra me nga 2.000. Në komunat tjera rritjet dhe rrëniet janë më të vogla, në suaza të normales.

Në krahasim me zgjedhjet e 2011, PDSH-ja ka arritur t’a shtojë votën e vet në mënyrë të theksuar në disa komuna tjera. Këtyre ju prin Struga që ka shtuar rreth 5.000 vota për PDSH-në, Likova dhe Saraji ku PDSH ka marrë mbi 2.500 vota të reja dhe Vrapçishti ku ka shtuar afër 2000 vota. Rrëniet më të mëdhaja, prej mbi 1000 vota, partia i ka patur në dy komunat e mëdha, Tetovë dhe Gostivar.

Rezultati i RDK-së ndërkaq është pak a shumë stabil, me përjashtim të Gostivarit ku ka shtuar mbi 2000 vota, Sarajit ku ka rrënë mbi 2000 vota dhe Vrapçishtit ku ka rrënë rreth 1000 vota.
Këto rezultate pak a shumë pasqyrojnë rejtingjet e partive sot në Maqedoni. Siç mund të shihet edhe nga grafikonet, VMRO dhe RDK kanë mbetur me rejting stabil, BDI dhe PDSH kanë shënuar rritje, ndërsa më keq ka pësuar LSDM. Nisur nga ajo që është pritur dhe nëse suksesin në këto zgjedhje do t’a masnim vetëm me vota të këshillave, do të thoshim se të suksesshme kanë dalë VMRO dhe BDI, sukses të pjesërishëm ka shënuar PDSH, ndërsa kanë dështuar RDK dhe sidomos LSDM.

Vlerësime të veçanta më të detajuara për secilën parti veç e veç do të pasojnë në kolumnat në vijim, edhe atë pasi të ketë përfunduar rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash. Për momentin edhe një herë lus lexuesit që të kenë parasysh se bëhet fjalë vetëm për votat për këshill, që tregojnë vetëm njërën anë të rezultatit të zgjedhjeve lokale.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

  

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button