Ilir Meta në Shkup: Bllokada e Bullgarisë ndaj RMV është e padrejtë

Bllokadën e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut në lidhje me integrimin e kësaj të fundit në Bashkimin Evropian, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e cilëson si të padrejtë. Në një deklaratë për Portalb.mk, ai tha se megjithatë, është optimist se ky kontest do të mbyllet së shpejti. 

Sot në Insitutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH), presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ligjëroi në temën “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat”, para studentëve të Universitetit të Tetovës, ‘Nënë Tereza’ dhe të UEJL.

Ai tha se Maqedonia e Veriut ka bërë progres në rrugën euro-integruese të saj, përderisa Shqipëria ka ngecur në vend.

“Është e drejtë që Maqedonia e Veriut sa më parë të hap negociatat me Bashkimi Evropian sepse është bërë shembull në rajon. Shqipëria ka stagnuar, edhe pse nuk iu desht Shqipërisë të ndryshojë emrin apo të rregullojë marrëdhëniet me fqinjët” tha Meta.

Bllokadën e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, Meta e cilëson si të padrejtë, por, është optimist se ky kontest shumë shpejtë do të mbyllet.

Në pyetjen e Portalb.mk se a duhet Shqipëria të vazhdojë procesin eurointegrues e vetme si shtet dhe jo në një pako me RMV-në, Meta u përgjigj se dëshiron që dy vendet mos të ndahen në këtë rrugëtim.

“Dëshirojmë që vendet tona bashkërisht të integrohemi, e për këtë gjë nuk duhet të presim por të punojmë” tha ai.

Mes tjerash, Meta tha se perspektiva e përbashkët e shqiptarëve dhe gjithë vendeve të rajonit perëndimor është bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në Bashkimin Evropian.

Duke folur për bashkëpunim të suksesshëm bilateral, Meta e përmendi shembullin e bashkëpunimit të tre instituteve shkencore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ai theksoi se shembulli i tillë duhet të ndiqet edhe nga universitetet e vendeve tona, të rrisin bashkëpunimin për t’iu mundësuar studentëve të dy vendeve mundësi sa më të lehta studimi dhe shkëmbimi reciprok.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ambasadori i Shqipërisë në RMV, Fatos Reka, dhe ushtruesi detyrës në ambasadën e Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button