Kryeministri bullgar e shtyu vizitën në Shkup

Vizita e paralajmëruar e kryeministrit bullgar Kiril Petkov në Shkup është anuluar për kohë të pacaktuar, pasi që ai përfundoi në vetëizolim për shkak të kontaktit me person pozitiv në COVID-19, në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Siguri Nacionale në Sofje. Nga Qeveria bullgare informuan se vizita në Shkup nuk anulohet, por shtyhet për kohë të pacaktuar, njofton Portalb.mk.

Përveç kryeministrit Petkov edhe presidenti Rumen Radev është në vetëizolim për shkak të kontaktit me kryetarin e Kuvendit Nacional, Nikolla Minçev, i cili është pozitiv në koronavirus. Inspektorati Shtetëror, njoftoi se të gjithë pjesëmarrësit në Këshillin e Sigurimit janë në vetëizolim.

Vizita e Petkovit ishte e planifikuar të realizohet më 18 janar.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button