LSDM dhe Arsovska ia hedhin topin njëra tjetrës – kush është fajtor për problemet me ngrohjen në Shkup

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, çdo ditë tregon injorancë elementare për ingerencat e kryetarit dhe të Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe nuk është e aftë e as nuk mund t’i zgjidhë problemet e shkupjanëve, andaj vazhdimisht kërkon arsyetim për paaftësinë e saj, reagojnë nga LSDM në lidhje me deklaratën e saj se nevojitet strategji nacionale për tejkalimin e krizës energjetike, njofton 360 gradë, transmeton Portalb.mk.

“Ajo nuk ka paraparë asnjë qindarkë për buxhetin e vitit 2022 për ballafaqim me krizën energjetike dhe për ngrohjen e banorëve të Shkupit, kurse përgjigja e saj se nuk mund ta kthejë kohën prapa është nënvlerësim i qytetarëve të Shkupit. Pa turp dhe perde për tre herë e zvogëloi buxhetin për mjedisin jetësor, disa herë e uli buxhetin për subvencionimin e blerjes së inverterëve dhe tani Arsovska po ikën nga sfidat e krijuara nga kriza energjetike. Për çdo gjë që është në interes të qytetarëve, Arsovska e përjashton veten dhe thotë se nuk është kompetente. Është qëndrim i pandershëm dhe i papërgjegjshëm ndaj qytetit dhe qytetarëve të tij”, thuhet në kumtesën e sotme të partisë në pushtet.

Nga ana tjetër, edhe Qyteti i Shkupit përmes një komunikate është përgjigjur se qyteti as nuk mundet dhe as nuk ka ingerenca të krijojë dhe zbatojë politika energjetike dhe ekonomike që do ta zgjidhin këtë krizë nga e cila dëmet më të mëdha i pësojnë qytetarët dhe pretendimet e LSDM i quan nebuloze.

“Kompetencat janë të qarta dhe është Qeveria e LSDM-së ajo që duhet të marrë përgjegjësi në nivel kombëtar dhe të tregojë kujdes të vërtetë për qytetarët, duke marrë një sërë masash për uljen e goditjes ekonomike dhe energjetike me të cilën përballemi të gjithë. Në kohën e paralajmërimeve për krizë energjetike dhe ekonomike prej muajsh, ndërsa shtetet e rajonit dhe e gjithë Evropa po krijojnë politika për tejkalimin e shpejtë të krizës energjetike pa goditur xhepat e qytetarëve, LSDM ka krijuar politika për të manipuluar publikun çdo ditë, duke drejtuar gishtin me këmbëngulje drejt qytetit dhe autoriteteve të qytetit si fajtor për politikat e tyre disfatiste”, thuhet në komunikatën e Qytetit të Shkupit.

Nga atje thonë se në këtë situatë mund të ndihmojë me dhënien e propozim masave për tejkalimin e krizës energjetike, gjegjësisht siç është në vendet evropiane.

Arsovska në paraqitjen e mbrëmshme në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma tha se nëse qyteti do të mund të krijonte politika energjetike dhe ekonomike, do t’ krijonte dhe përgatitur deri më tani dhe se ajo që ka filluar të marrë një pjesë të kompetencave të Qytetit sistemi energjetik si ndërmarrje fatkeqësisht nuk ka arritur të marrë licencë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe e njëjta tani është në kontest.

“Shpresojmë që pas zgjidhjes së kësaj situate të ketë një zgjidhje konkrete dhe ajo licencë të fitohet, por deri në atë moment qyteti, por edhe komunat tjera nuk kanë asnjë ingerncë për atë që po ndodh”, tha kryetarja e Qytetit të Shkupit.

Për sot është paraparë konferencë për media e BNJVL-së, në të cilën, sipas njoftimit, do të flitet për problemet e komunave të shkaktuara nga kriza energjetike.

Kujtojmë se shkupianët dhe pjesët e tjera të qytetit ditëve të fundit, janë përballur me ulje të temperaturës së ngrohjes, apo me radiatorë krejtësisht të ftohtë. Balkan Energy Group (BEG) sqaron se në kushtet e krizës energjetike, regjimi i sigurimit të ngrohjes qendrore është i optimizuar. Mbi 200 qytetarë janë ankuar për ngrohjen qendrore, ndërsa nga BEG thonë se kanë intervenuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button