Pushteti akuzon Arsovskën për krizën energjetike, Qyteti i Shkupit: Nuk kemi kompetenca për zbatimin e politikave energjetike

Qindra familje në Shkup në mes të dimrit kanë ngelur pa ngrohje. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sonte deklaroi se BEG ka obligim ligjor të sigurojë ngrohje qendrore, në të kundërtën mund të mbetet pa liçencë, ndërsa kërkoi nga Qyteti i Shkupit dhe komunat në kuadër të Qytetit të Shkupit që të përfshijnë në buxhetet e tyre  masa për mbështetje të qytetarëve që janë shfrytëzues të ngrohjes qëndrore. Nga LSDM-ja thonë se kryetarja nga radhët e VMRO-DPMNE-së Danela Arsovska vazhdimisht tregon se është plotësisht e paaftë për funksionin që e kryen. Nga Qyteti i Shkupit thonë se as nuk munden dhe as nuk kanë kompetenca që të krijojnë dhe zbatojnë politika energjetike dhe ekonomike që do ta zgjidhin këtë krizë nga e cila dëmin më të madh e pësojnë qytetarët. Arsovska tha se Qyteti i Shkupit dhe komunat kanë mjete të kufizuara dhe se mund të propozojmë një sërë masash për daljen nga kriza. Reagoi edhe Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

Mbi 500 shtëpi në Shkup veri dhe Fushë Tophane kanë mbetur pa ngrohje në mes të dimrit. Banorët e këtyre vendeve, të revoltuar, thonë se i paguajnë rregullisht faturat dhe tash e dy ditë Toplifikimi Shkup Veri nuk lëshon ngrohje. Institucionet fajësojnë njëra-tjetrën ndërsa banorët po përballen me ftohtin në këto temperatura minus.

“Qeveria është duke ndjekur situatën me ngrohjen qëndrore dhe tashmë janë duke u shqyrtuar disa opsione me institucionet kompetente dhe të gjithë ata që merren me furnizimin, shpërndarjen dhe prodhimin e ngrohjes për të gjetur zgjidhje të caktuara. I bëjmë thirrje Qytetit të Shkupit dhe komunave në kuadër të qytetit të Shkupit që të përfshijnë në buxhetet e tyre  masa për mbështetje të qytetarëve që janë shfrytëzues të ngrohjes qëndrore”, deklaroi Kreshnik Bekteshi në emisionin Top Tema në Telma.

Ai shtoi se i kanë bërë thirrje Qytetit të Shkupit dhe komunave që e kanë obligim ligjor që t’i ndihmojnë qytetarët për rritjen çmimin të ngrohjes.

“Ne i kemi bërë thirrje qytetit të Shkupit dhe komunave që në kuadër të buxhetit të tyre të përfshihen duke krijuar masa për plotësimin e nevojave të qytetarëve, në mënyrë që të zbutet presioni me likuiditetin e kompanive që furnizojnë ngrohjen në qytet. Pushteti qëndrorë do të ndihmojë qytetin e Shkupit dhe komunat që të transferojnë mjete tek pushteti lokal për të siguruar gaz natyror për ngrohjen e institucioneve publike”, tha Bekteshi dhe pyeti se pse kryetarja e qytetit të Shkupit Arsovska dhe Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk kanë paraparë asnjë qindarkë në buxhetin për krizën e energjisë për vitin 2022

Nga ana tjetër, Arsovska tha se Qyteti i Shkupit dhe komunat kanë mjete të kufizuara dhe se mund të propozojmë një sërë masash për daljen nga kriza

Arsovska, sonte në emisionin Top Tema në televizionin Telma, e pyetur nëse qyteti do të marrë ndonjë masë për të zbutur situatën me furnizimin me ngrohje në kryeqytet dhe nëse ka ndonjë para për subvencione për qytetarët, Arsovska tha se qyteti do të ndihmojë me propozimin e masave.

“Propozimi i masave është ajo që mund të bëjmë duke pasur parasysh praktikat që ekzistojnë jo vetëm në rajon, por në mbarë Evropën, fatkeqësisht, siç e dini, komunat në Shkup janë në një pozitë e palakmueshme, ata janë të mbingarkuara. Situata aktuale nuk na lejon të ndërhyjmë”, tha Arsovska.

Kryetarja Arsovska theksoi se gjithçka që qyteti i Shkupit propozon si grup masash rekomandohet nga kontaktet që ka nga vendet evropiane, duke treguar si shembull Belgjikën.

Nga LSDM-ja thonë se kryetarja nga radhët e VMRO-DPMNE-së Danela Arsovska vazhdimisht tregon se është plotësisht e paaftë për funksionin që e kryen.

“Danela Arsovska për buxhetin e vitit 2022 nuk ka ndarë asnjë qindarkë për përballimin e krizës energjetike dhe ngrohjes së Shkupit. Arsovska tregon mosnjohje elementare të kompetencave të kryetarit të komunës dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit. Arsovska po ikën nga sfidat që kanë të bëjnë me krizën energjetike.Për çdo gjë që është në interes të qytetarëve, Arsovska e përjashton veten dhe thotë se nuk është kompetente. Ky është një qëndrim i turpshëm dhe i papërgjegjshëm i Arsovskës ndaj Shkupit, qytetarët i dhanë besimin që të marrë përgjegjësi dhe t’i zgjidhë problemet dhe të mos kërkojë arsyetime për paaftësinë e saj çdo ditë”, thanë nga LSDM.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se as nuk munden dhe as nuk kanë kompetenca që të krijojnë dhe zbatojnë politika energjetike dhe ekonomike që do ta zgjidhin këtë krizë nga e cila dëmin më të madh e pësojnë qytetarët.

“Kompetencat janë të qarta dhe është Qeveria e LSDM-së ajo që duhet të marrë përgjegjësi në nivel kombëtar dhe të tregojë kujdes të vërtetë për qytetarët, duke marrë një sërë masash për uljen e goditjes ekonomike dhe energjetike me të cilën përballemi të gjithë. Në kohën e paralajmërimeve për krizë energjetike dhe ekonomike prej muajsh, ndërsa shtetet e rajonit dhe e gjithë Evropa po krijojnë politika për tejkalimin e shpejtë të krizës energjetike pa prekur xhepat e qytetarëve, LSDM ka krijuar politika për të manipuluar publikun çdo ditë”, thanë nga Qyteti i Shkupit.

Për gjithë këto reagoi edhe mandatari për formimin e Qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski i cili tha se Qeveria nuk do të lejojë që Shkupianët të mbeten pa ngrohje, pasi kanë zgjidhje.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve lidhur me krizën globale energjetike dhe problemin e ngrohjes në qytetin e Shkupit, Kovaçevski tha se tashmë janë ndërmarrë masa për rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike me të gjitha kapacitetet në dispozicion, TVSH-ja zvogëlohet nga 18% në 5% dhe se janë duke u përgatitur masa të reja për mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë.

“Sa i përket energjisë termike sipas ligjeve, energjia termike dhe BEG, gjegjësisht e tërë infrastruktura për ngrohje qendrore është në kompetencë të qytetit të Shkupit dhe duhet të jenë të vetëdijshëm se duhet të parashikojnë masa që dukshëm nuk janë paraparë në buxhet për përballimin e kësaj krize. Megjithatë, Qeveria dhe ekipi i saj ekonomik tashmë kanë mbajtur një takim për të shqyrtuar situatën”, tha Kovaçevski.

Nga atje shtuan se mund të ndihmojnë në këtë situatë duke propozuar masa për tejkalimin e krizës energjetike, pasi këtë e shohin se shembull nga vendet evropiane.

Ndryshe, qytetarë të Shkupit ditët e fundit po përballen me uljen e temperaturave të ngrohjes apo në raste tjera pa aspak ndrohje. Balkan Energy Group (BEG) sqaroi se në kushtet e krizës energjetike, regjimi i sigurimit të ngrohjes qendrore është i optimizuar. Nga atje kërkojnë ndihmë financiare nga shteti për tejkalimin e krizës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button