Incidente dhe provokime përpara ditës jokushtetuese të Republikës Srbska në Bosnje

Incidente, provokime dhe fyerje ndaj joserbëve dhe boshnjakëve u regjistruan në disa qytete, duke përfshirë Gacko, Foça, Prijedor, Brçko dhe Janja, në prag të kremtimit të Ditës antikushtetuese të Republikës Srbska, një entitet në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), raporton Anadolu Agency (AA).

Në distriktin Brcko të BeH-së janë regjistruar disa incidente dhe në njërën prej tyre tifozët e grupit “Sindikat” mbrëmjen e së shtunës kanë bërë një kortezh me pishtarë në bulevard, për shkak të së cilës qarkullimi është bllokuar për një periudhë të caktuar.

Anëtarët e të njëjtit grup tifozësh ndriçuan një ndërtesë me imazhin e Shën Stefanit, të cilin ata e konsiderojnë si “mbrojtësin e entitetit të RS”. Gjithashtu, në Brçko u shkatërruan sërish mbishkrimet kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.

Ditët e mëparshme incidente dhe provokime të ngjashme drejtuar boshnjakëve u regjistruan edhe në disa qytete të tjera në entitetin e Republika Srbskas të BeH-së.

Të shtunën në Prijedor, një grup i madh njerëzish kënduan këngë në rrugët e qytetit për nder të Ratko Mlladiç-it, i dënuar për krime lufte. Gjithashtu në rrjetet sociale është shfaqur një video në të cilën një grup njerëzish me flamuj ecin nëpër Prijedor dhe këndojnë “Gjeneral, faleminderit nënës tuaj” duke brohoritur emrin e Ratko Mlladiç-it, njërit prej të dënuarve për gjenocidin në Podrinje.

Po ashtu, në Foçë u shpalosën flamuj për nder të të dënuarit për krime lufte Mlladiç, ndërsa në Gacko nga altoparlanti u lëshua këngë e quajtur “Nuk të dua Alija, sepse je i egër”, që nxit urrejtjen dhe intolerancën ndëretnike.

Të enjten, u dëgjuan të shtëna me armë zjarri para xhamisë Atik në Janja dhe sipas dëshmitarëve okularë, meshkuj nga një kolonë makinash që u ndalën në autostradën Bijeljina-Zvornik fyenin në bazë kombëtare besimtarët që ktheheshin nga lutjet e sabahut. Të shtëna në ajër u lëshuan dhe fjalë të rënda fashisto-shoviniste u shqiptuan nga një grup meshkujsh që transportonin një pemë Krishtlindjesh në makinat e tyre.

Incidenti u raportua në Ministrinë e Brendshme të RS dhe boshnjakët në Janja thanë se ishin të mërzitur dhe të indinjuar nga provokimet, fyerjet dhe kërcënimet.

Entiteti Republika Srbska feston Ditën e RS-së çdo vit më 9 janar, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës që e shpallin atë jokushtetues. Më 9 janar të vitit 1992, Kuvendi i vetëshpallur i Popullit Serb në Sarajevë miratoi “Deklaratën për Shpalljen e Republikës së popullit serb të Bosnjë e Hercegovinës”.

Gjykata Kushtetuese e BeH-së vendosi në nëntor të vitit 2015 dhe mars të vitit 2019 se festa ishte “jokushtetuese dhe në kundërshtim me konventën ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor dhe në kundërshtim me protokollin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Liritë Themelore”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button