Artan Dika përgënjeshtron Bujar Osmanin

Kryetari i shtabit zgjedhor të Rilindjes Demokratike Kombëtare, Artan Dika ka përgënjeshtruar të dhënat e zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani duke i quajtur ato manipulime me rezultatet në komunën e Gostivarit, Tearcës, Dollnenit dhe Bërvenicës. 

“E vërteta është se rezultatet e sakta zgjedhore i shpall Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe jo zëdhënësi i BDI-së. Nëse shihen rezultatet në web-faqen zyrtare të KSHZ-së, sec.mk, vihet re se, ndryshe nga sa mashtron opinionin zëdhënësi i BDI-së, kandidati i saj nuk është në epërsi në Tearcë, nuk është në epërsi në Dollnen, nuk është në epërsi në Bërvenicë dhe nuk është në epërsi në Gostivar. Në Gostivar, megjithë manipulimet e shumta, blerjen e votave dhe shpalljen të pavlefshme të qindra votave të RDK-së, sërish në bazë të rezultateve të publikuara nga KSHZ udhëheq Kryetari i RDK-së, Prof. Rufi Osmani”, tha Dika. 

Edhe në shifrat e dhëna për votat për partitë shqiptare nga zëdhënësi i BDI-së ka manipulime duke rritur votat e BDI-së dhe duke ulur votat e partive opozitare shqiptare, thotë ai.

“Ajo që është edhe më e çuditshme është tendenca qesharake e tij për ta shpallur si fitore të BDI-së, debaklin e kësaj partie në Komunën e Strugës.Kjo demagogji manipulative ka për qëllim mashtrimin e njerëzve dhe krijimin e hutisë, prandaj unë dua ta ftoj opininon shqiptar në Maqedoni që t’i marrë me rezervë të gjitha deklarimet e zëdhënësit të BDI-së, i cili i ka mashtruar ata me vite për profesionin e tij, për rastin “Monstra” dhe tani së fundmi edhe për rezultatet e zgjedhjeve lokale”, u shpreh Dika në një komunikatë për shtyp. 

Lajme të ngjashme

Back to top button