Forcimi i kapaciteteve gjyqësore kusht themelor për BE-në, ja çfarë ka bërë RMV-ja deri më tani

Bashkimi Evropian, përmes njërit prej institucioneve kryesore të saj Komisioni Evropian me raporte të përvitshme për vendet që aspirojnë integrimin në Union, adreson vazhdimisht kritika dhe kërkesa të vazhdueshme për zhvillimin e shtetit ligjor në Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i kuadrit ligjor dhe forcimi i kapaciteteve në gjyqësor janë kërkesat e Raporteve të KE-së. Të tilla reforma edhe vendi ia ka vënë vetes si prioritete ndër vite, por zbatimi në praktikë gjithmonë del se është i vështirë. Këtë e dëshmon edhe raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, i cili vlerëson se programet e BE-së për sundimin e ligjit me vlerë mbi 700 milionë euro midis viteve 2014 dhe 2020 ishin të “paefektshme” dhe të “pasuksesshme” në vendet kandidate të Ballkanit, shkruan Portalb.mk.

Institucionet e vendit, janë përpjekur të bëjnë disa ndryshime në rregulloret e brendshme të cilat do të reflektojnë pastaj edhe në vënien e drejtësisë.

Në kuadër të forcimit të kapaciteteve në gjyqësor, janë paraparë zbatimi i ligjeve tashmë të miratuara, me theks të veçantë të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe dispozitat e reja që kanë të bëjnë me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë.

Prokuroria Publike në Shkup Foto: Portalb.mk
Prokuroria Publike në Shkup, Foto: Portalb.mk

Çfarë ka bërë Prokuroria në këtë drejtim?

Prokuroria Publike ka miratuar aktet nënligjore në vijim:

  • Rregulloren për emërimin e prokurorëve publikë në institucionet ndërkombëtare
  • Rregulloren për dhënien e bursave
  • Rregulloren për informata të klasifikuara
  • Rregulloren për veshjen e togave
  • Rregulloren për masën e shpërblimit për kujdestari
  • Rregulloren për mbikëqyrjen e punës dhe veprimit të Prokurorive Publike
  • Rregulloren për formën dhe përmbajtjen e formularit dhe procedurën për dhënien dhe revokimin e licencës së prokurorëve publikë dhe anëtarëve të Këshillit,
  • Formular me kriteret për sjellje në punën e prokurorit publik
  • Rregullore për mënyrën e zhvillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së Prokurorisë Publike
  • Kodi i Etikës së prokurorëve publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa në përgatitje e sipër është Rregullorja për sistematizimin e brendshëm dhe Rregullorja për organizimin e brendshëm.

Qëllim dhe nevojë e domosdoshme mbetet miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publik. Por çfarë po ndodh me këtë  ligj kaq të rëndësishëm, pothuajse bazë për shtimin e kuadrove cilësore në fushën e drjetësisë?

Projektligji për Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publik akoma nuk është miratuar.

Ai është dorëzuar në procedurë kuvendore për miratim. Projektligji, siç thonë nga Sekretarijati për Çështje Evropiane, i cili mbledh të dhënat për punën e institucioneve, është plotësisht në përputhje me rekomandimet e Misionit vlerësues për trajnime gjyqësore dhe mendimin e Komisionit Evropian. Ligji parashikon dispozita që ridefinojnë mënyrën e dhënies së provimit pranues dhe atij përfundimtar në bazë të masave dhe kritereve objektive për vlerësim të njohurive të kandidatëve, rritjes së vëllimit të trajnimeve, kritereve të reja ligjore për përbërjen e organeve udhëheqëse dhe drejtimin e AGjPP.

Një aktivitet tjetër që Qeveria e vendit vitin e kaluar u zotua ta zbatojë është edhe përmirësimi i kapaciteteve njerëzore dhe atyre IT në gjyqësor. Analiza funksionale e gjykatave themelore të Republikës së Maqedonisë së Veriut konfirmoi se mbështetja kompjuterike në gjykatat themelore është e pamjaftueshme për të mbështetur të gjitha proceset informative të parashikuara në kornizën ligjore për gjykatat. Pajisjet kompjuterike në gjykata është dukshëm e vjetëruar ose jofunksionale që gjykatat themelore të sigurojnë përmbushjen e kompetencave të tyre, ndërsa në mënyrë shtesë ka konstatuar mungesën e një njësie të posaçme organizative që do të monitorojë proceset e punës me përdorimin e TI-së.

Gjykatat - Shkup
Gjykatat – Shkup

Në funksion të përmirësimi të kapaciteteve njerëzore dhe të IT-së Këshilli i Prokurorëve Publikë më datë 22.04.2021 solli vendim për zgjedhjen e 5 prokurorëve publikë në Prokurorinë Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Gjatë vitit 2020 dhe 2021 nga shpallja publike për punësim të punëtorëve janë 72 zyrtarë të prokurorisë publike dhe 86 nëpunës gjyqësor.

Nga aspekti i trajnimeve, përfshirë 15 nëntorin e vitit 2021 janë realizuar gjithsej 24 trajnime për gjithsej 718 pjesëmarrës në temat vijuese:

  • Përgatitja e llogarisë përfundimtare,
  • kryerja e dorëzimeve,
  • prokurime publike,
  • për Ligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale,
  • mbajtjen e evidencës së dosjeve penale dhe ndëshkuese,
  • etikës dhe kodit të etik me pjesëmarrje,
  • zbatimi i Ligjit për shërbimin gjyqësor në fushën e zhvillimit të procedurës disiplinore,
  • përgatitja e planit vjetor për punësim,
  • mbajtja e evidencës civile,
  • zbatimi i Ligjit për shërbim gjyqësor,
  • Buxheti dhe qarkullimi buxhetor,
  • aplikimi i Sistemit për menaxhimin automatik me lëndët gjyqësore (AKMIS),
  • organizimi i punës, stresit,
  • profesioni dhe menaxhimi i kohës,
  • konflikti i interesit dhe
  • masat kundër korrupsionit dhe zbatimi i ligjit të ri për lëvizjen e lëndëve

Shumica e këtyre aktiviteteve dhe trajnimeve duhet të ishin kryer tashmë, por kjo nuk ka ndodhur. Për shembull, Projektligji për Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publik tashmë, sipas Agjendës Evropa në Shtëpi, duhet të ishte miratuar qysh në qershor të vitit që lam pas, megjithatë edhe gjashtë muaj pas këtij afati, projektligji akoma gjendet në procedurë Parlamentare. Afatet janë vonuar, padyshim, por ka një far përparimi në këtë drejtim.

Veting, gjyqësor, gjykata
Foto e edituar: Suad Bajrami

Komisioni Evropian në raportin e vitit 2021 kërkon vazhdim të zbatimit të kornizës ligjore dhe planeve strategjike në lidhje me reformën e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë.

“Çdo projektligj i ri për Akademinë për Gjyqtarët dhe Prokurorët duhet ta mbajë Akademinë si pikën e vetme hyrëse në gjyqësor dhe prokurori dhe duhet të sigurojë akses të drejtë dhe transparent në këto profesione”, thuhet në raport.

Ndërkohë raporti i Gjykatës evropiane të auditorëve, lidhur me ndihmën që BE ka dhënë vazhdimisht për vendet anëtare për forcimin e sundimit të ligjit në Ballkan, gjegjësisht vendet kandidate, thekson se Brukseli “rrallë e ka përdorur mundësinë e pezullimit të ndihmës në rast se përfituesi nuk respekton parimet themelore të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, duke vënë në dukje se këto mekanizma duhet të përdoret pasi shumë vende kanë stagnuar apo edhe janë në rënie në disa fusha kyçe.

Auditorët rekomandojnë vendosje të objektivave strategjikë me tregues të ndikimit për fushat prioritare, duke përfshirë pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe shtetin e robëruar. Rekomandimi, vlerëson Malinka Ristevska Jordanova, sigurisht që nuk do të jetë i lehtë për t’u zbatuar, duke pasur parasysh problemet me mundësinë për t’i matur këto fusha, tendencat ekzistuese për të bërë teknike çështjet e tilla, por edhe rëndësinë e institucioneve dhe proceseve joformale kundrejt atyre formale në rajon.

Problemet në gjyqësor minojnë drejtësinë në vend, çka për rrjedhojë stagnohet edhe rruga eurointegruese e vendit, pasi reformat në këtë sektor janë pjesë e procesit të vendit në rrugën drejt Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button