Chicharito pritet të kalojë në Juventus

Tifozët e Liverpoolit tani mund të marrin frymë të qetë. Juventusi gjatë orëve të fundit ishte hedhur në sulm për t’i shkulur kësaj skuadre nga gjiri i saj sulmuesin Suarez.

Megjithatë Liverpooli deri tani ka arritur që t’u bëjë ballë sulmeve të drejtuesve të Juventusit, edhe pse sërish drejtuesit anglezë kanë frikë nga ndonjë presion i mundshëm nga ana e lojtarit. Mirëpo, sipas lajmeve të fundit që vijnë nga Italia, drejtuesit e Juventusit duke parë se e kanë praktikisht të pamundur që ts sigurojnë kartonin e sulmuesit të Liverpoolit, kanë ndryshuar shënjestër, duke i kërkuar klubit të Manchester Junajtid sulmuesin Hernandez, i cili thërritet nga të gjithë me pseudonimin “Chicharito”.

Sulmuesi 24-vjeçar, i cili pëlqehet shumë për vlerat e tij tekniko-taktike edhe nga trajneri Antonio Conte, është nën urdhrat e trajnerit të Manchesterit, Sir Alex Ferguson, që prej verës së vitit 2010. Ai me klubin e “Djajve” ka shënuar 48 gola në 109 ndeshje zyrtare. Manchesteri e ka blerë për shumën e 6 milionë sterlinave nga klubi i Chivas Guadajara, ndërsa tani vlera e kartonit të tij kap shifrat e 20 milionë eurove. Sulmuesi meksikan gjatë këtij sezoni nuk po gjen shumë hapësira, ndaj po mendon që të largohet nga Manchesteri.

Deri tani ai është aktivizuar vetëm 28 herë si titullar nga Ferguson dhe, duke parë që nuk gëzon më besimin e teknikut skocez, “Chicharito” i ka thënë mandat menaxherit të tij që t’i gjejë një sistemim tjetër. Sipas “The Sun”, menaxheri i sulmuesit 24-vjeçar ka nisur kontaktet e para me drejtuesit e Juventusit, për çka janë vënë në dijeni edhe drejtuesit e Manchesterit.

Madje supozohet se kanë qenë kryesisht drejtuesit e “Djallit”, të cilët e kanë shtyrë lojtarin dhe menaxherin të gjejnë një sistemim tjetër. Tani mbetet për t’u parë dhe vlerësuar, nëse drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” do arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët me sulmuesin meksikan dhe drejtuesit e Manchesterit.

Lajme të ngjashme

Back to top button