SOCIOLOGJI FEJE: “VITI I RI” (2)

Viti i Ri realisht ka marrë ngjyrime dominante laike dhe në një botë shumëngjyrëshe është e pamundur pa i uruar njër-tjetrit momentumet apo festat e caktuara. E kundërta e kësaj është të jetosh në kuti, në një shoqëri  monolite, ku do shfrytëzojmë vetëm përshëndetjet tona, do të urohen vetëm datat dhe kremtet vetjake, vetëm ditët e mëdha të kombit dhe fesë tonë.

E sot, në shekullin XXI, një mjedis dhe luks të tillë s’e ka askush. Mjetët e komunikimin, ngushtimi ap afrimi i gjeografive, digjitalizimi dhe teknologjitë informatike na bëjnë që të kemi miq të përkatësive të ndryshme politike, kulturore, etnike, fetare, të jetojmë në një fshat global dhe “betonizimi” në bahçen tonë ideologjike apo në zonën tonë të komforit është i pamundur. “Presioni” medial, pamor dhe psikologjik mbi besimtarin mysliman është evident, i dukshëm.

Në veçanti për fëmijët: mauni me Coca-Cola, pema (bredhi) e Vitit të Ri, dritat, dhuratat e Shën Nikollës si mitologji moderne për një botë ëndrrash. Por kjo nuk është arsye për panik, sepse besimtari i shëndoshë ka mekanizma të apologjisë së vet doktrinare, di si të mbrojë doksën e vet. Ai të vërtetën e vet e ruan si bebëzën e syrit dhe është tolerant ndaj bindjeve të huaja.

Logjika puritane dhe përjashtuese nuk shpie askund, krijon probleme që s’iu dilet në skaj. Si do të ndjeheshin të rinjtë myslimanë që në sheshin “Makedonija” të Shkupit tradicionalisht ndajnë bakllava dikush nga orthodoksët apo ndonjë katolik t’ua kthente: “Falemnderit, kjo është festë myslimane, s’ka të bëjë me kulturën tonë kristiane!”

Po në fushën e sportit? Imagjinoni, klubi më i fuqishëm për momentin në Angli, Manchester City, pronë e myslimanit Shejh Mansur bin Zajed en-Nahjan, është themeluar nga kisha e Shën Markut në vitin 1879. Dhe një tifoz i fubollit jokristian si të veprojë? Po lojtarët myslimanë si Gündoğan dhe Mahrez? Edhe Chelsea historikisht është klub “protestant”, Liverpooli klub “katolik”.

Në turizëm: zinxhiri i hoteleve Marriot nëpër dhoma vendos Librin e Mormonëve si rrjedhojë e besimit të themeluesit John Willard Marriot. Të frekuentohen ose jo këto hotele? Logoja e markës së veturave “Mazda” i bën homazh diellit ose “zotit të mirë” të zoroastrianizmit. Po Mercedesi apo Benzi i famshëm për shqiptarët. Emër i derivuar nga latinishtja, që në spanjishte si “merced” (mëshirë, hir), ndërlidhet me kryqëzimin e Jezu Krishtit, si shpëlarje për mëkatet e njeriut. Termi njihet nga festa katolike “Maria de mercede redemptionis captivum” që do të thotë “Maria e mëshirës për të shëlbuar robërit” dhe titulli liturgjik “Maria de las Mercedes” që do të thotë “Maria e mëshirave”.

Nudllat (noodles), simbol i jetëgjatësisë, që kohëve të fundit janë hit ndër të rinjtë dhe fëmijët tanë, zakonisht shërbehen në natën e Vitit të Ri Kinez. Ndërkohë që zhiglat (pretzel) lidhen me murgjit e Francës Jugore (610 e.s.) që piqnin shirita të hollë brumi në formën e krahëve të një fëmije të palosur në lutje. Sipas veprës së Theodore Kyriakou dhe Charles Campion, The Real Greek at Home (Londër, 2004), bakllavaja me 33 petë i referohet shumës së viteve që ka jetuar Krishti.   Hajde tani dalim nga pështjellimi po mundëm!

Fatkeqësia sociologjike e myslimanëve qëndron në atë se nuk merren me realitetin e mjerimit si ai afgan i mësipërm, me krizën arsimore (analfabetizmi: në vitin 2017, 23 % e grave myslimane globalisht), kulturore, po me çështje terciare si Viti i Ri, urimet e të ngjashme.  Imagjinoni, 98 % i popullatës në vendet e krishtera ka kryer shkollën fillore, në vendet myslimane vetëm 50 %; 40 % në të parat ndjekin studimet universitare, kurse në vendet myslimane vetëm 2%.

Në Brtitaninë e Madhe në një milion banorë shiten 2000 libra, kurse në Egjipt vetëm 17 libra për një milion egjiptianë. (Masood, 2019) Të mos hapim faqet e segmenteve të tjera të jetës se del puna edhe më deprimuese! Miliarda njerëz Christmassin kurrë s’e kanë festuar, por 1 janarin gjithnjë e kanë lexuar si rekapitullim të motmotit që lanë pas dhe si faqe të re të projekteve për atë që nis.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button