RMV, qeveri e re deri në fund të javës- sot do të zhvillohen mbledhje në Komitetin ekzekutiv dhe qendror të LSDM-së

Lideri i LSDM-së dhe mandatari për kryeministër për Qeverinë e re, Dimitar Kovaçevski, pritet që nesër në Kuvend të dorëzojë propozimin për përbërjen e kabinetit qeveritar dhe programin e ri qeveritar, ndërsa në fund të kësaj jave të mbahet seanca parlamentare për zgjedhjen e Qeveria, raporton 360 gradë, transmeton Portalb.mk.

LSDM-ja në pushtet ka paralajmëruar mbledhje të Komitetit Ekzekutiv për sot, pas së cilës me gjasë në orën 20 mbledhje do të ketë edhe Komiteti Qendror.

Nënkryetarja e partisë Sanja Lukarevska disa ditë më parë njoftoi se sot pritet të mbahet seanca e Komitetit Qendror të LSDM-së ku kryetari dhe mandatari Dimitar Kovaçevski do t’i prezantojnë emrat e kabinetit qeveritar, pas së cilës procedura përkatëse do të vazhdojë në Kuvend.

Në një intervistë për MIA-n, Kovaçevski tha se përgatitjet për qeverinë e re janë drejt përfundimit, ndërsa vendimet programore dhe kadrovike janë harmonizuar me partnerët e koalicionit.

“Qëllimi ynë është të formojmë qeveri të stabile me parime të qarta veprimi. Një qeveri e tillë do të nënkuptojë efikasitet në punë dhe stabilitet në zgjidhjen e sfidave serioze që na qëndrojnë përpara. Përsa i përket zgjidhjeve kadrovike, do të thoja se janë njerëz që reflektojnë efikasitetin e punës, kanë kapacitet serioz profesional, ndershmëri dhe dëshirë për të punuar për qytetarët dhe shoqërinë. Vlerat socialdemokratike dhe qasja ndaj politikës janë gjithashtu një veçori e ekipit të ri. Këta janë njerëz që besojnë në barazi dhe solidaritet, të cilët luftojnë për të drejtat e të pambrojturve, ndërsa drejtësia është tipari i tyre karakteristik”, tha Kovaçevski.

Sipas tij, të gjithë janë të zëvendësueshëm, veçanërisht nëse në një moment nuk është në lartësinë e detyrës dhe ky do të jetë parimi bazë i qeverisjes efektive dhe qeverisë së re. Sa i përket përbërjes së re qeveritare dhe resorëve që do t’i drejtojë LSDM-ja, shtoi ai, është një ekip i njerëzve të rinj, por edhe kuadro të dëshmuar nga qeveria e kaluar, të cilët kishin realizim dhe rezultate të mira në resorët e tyre.

Kovaçevski, pas marrjes së mandatit nga kreu i shtetit, tha se planifikon që qeverinë ta propozojë rreth datave 10-11 janar, gjegjësisht në një periudhë më të shkurtër se sa parashikohet me kushtetutë.

Ai e mori mandatin nga presidenti Stevo Pendarovski më 29 dhjetor pasi kreu i shtetit nga LSDM-ja u njoftua për propozimin për kryeministër, të mbështetur nga partitë politike që së bashku kanë shumicën në Kuvend. Pas marrjes së mandatit, mandatari në afat prej 20 ditësh, përkatësisht jo më vonë se dita e 20-të duhet të paraqitet në Kuvend me propozim të përbërjes së qeverisë së re dhe programit të punës së qeverisë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në deklaratën e fundvitit në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, në pyetjet nga gazetarët për procedurën e zgjedhjes së qeverisë së re, shprehu shpresën se kryeministri i mandatuar nuk do të presë deri në fund të afateve, duke pasur parasysh, siç tha ai, bisedimet e bëra paraprakisht dhe njoftimet në lidhje me zgjidhjet e mundshme individuale personale. Ai shtoi se pret që e njëjta të jetë funskionale më 17 janar 2022.

“Sidoqoftë, variantet për organizimin e punimeve të Kuvendit janë paraparë, edhe nëse ky është afati i fundit, dita e 20-të, edhe nëse bëhet fjalë për afat më të shkurtër. Por, për çdo rast, në momentin kur ekziston përbërja personale dhe programi i qeverisë, atëherë fillon afati i Kuvendit që brenda 15 ditëve nga ai moment të thërrasë seancën për zgjedhjen e qeverisë. Seanca zgjat dy ditë. Ditën e dytë, para mesnatës, duhet të votohet qeveria e re. Me shumë gjasa kjo datë do të jetë 15-16 janar, përkatësisht nëse do të merret propozimi në datat 10-11, 15-16 që të zhvillohet debat për dy ditë, ditën e dytë në 16, para orës 24:00 të votohet për qeverinë e re, e cila më 17 janar në mëngjes do t’i ndërmarrë funksionet në ministri, gjegjësisht në qeveri si ekip me mandate dhe të gjitha kompetencat që dalin nga vendimi me zgjedhje”, sqaroi Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button