387 aparate për mihje të kriptovalutave u sekuestruan për tri ditë në Kosovë

387 aparate për mihje të kriptovalutave janë sekuestruar brenda tri ditëve në Kosovë. Sekuestrimi i këtyre aparatave erdhi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës këtë fillimvit që të ndalojë prodhimin e kriptovalutave në vend.

Qeveria e Kosovës, me arsyetim ndryshe nga shumë shtete të tjera të botës, ndaloi prodhimin e kriptovalutave për shkak të krizës energjetike në fillim të vitit 2022. Aparatet për mihje të kriptovalutave harxhojnë sasi të konsiderueshme të energjisë. E shtetet e tjera që kanë ndaluar kriptovalutat, kryesisht e kanë bërë për shkak të pasojave financiare.

Të martën, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tregoi se javën e kaluar është vendosur që në nivel vendi të ndalohet prodhimi i kriptovalutave, në një vendim në kuadër të Masave të Emergjencës, për shkak të krizës që ka kapur vendin.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.

Pas këtij vendimi të Qeverisë, autoritetet përkatëse kanë filluar punën për zbatim. Më 6 janar, u sekuestruan 70 aparate për mihje të kriptovalutave, tre prej tyre në fshatin Surkish të Podujevës e 67 në Mitrovicën e Jugut.

Aksion më i madh u zhvillua më 8 janar. Vetëm në fshatin Trebice të Leposaviqit të shtunën u sekuestruan 272 pajisje të tilla. Veriu i Kosovës raportohet të jetë “minierë” e vërtetë për mihje. Në të njëjtën ditë, sekuestrim pati edhe në Prishtinë e Vushtrri, 39 dhe 6 përkatësisht. Në total, brenda tri ditëve, Policia sekuestroi 387 aparate për mihje të kriptovalutave.

Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë të shtunën se 272 pajisjet e kriptovalutave të sekuestruara në Leposaviq, shpenzojnë energji elektrike sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive apo 60 mijë deri në 120 mijë euro në muaj.

“272 pajisje Antminer janë konfiskuar sot në mëngjes në një operacion të Doganës dhe Policisë, në pjesën veriore të vendit. Këto pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kWh energji elektrike, apo sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive. Me çmimet aktuale të importit, i bie 60,000-120,000 euro/muaj. Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”, ka shkruar Murati në Facebook.

Për njohësit e kriptovalutave, vendim i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të mihjeve për kriptovaluta, i ka befasuar. Granit Kadolli, njohës i kësaj fushe, është befasuar edhe nga vendimi për t’i tatuar të ardhurat nga kriptovalutat.

“Nga viti 2009 deri më 2017 ka pasur shumë individë që kanë përfituar nëpërmjet Google ads apo platformave tjera e asnjëherë nuk është bërë thirrje për pagim tatimi. E tash për kriptovaluta po bëhet thirrje”, ka thënë Kadolli në KTV.

Edhe inxhinieri Ermal Sadiku ka thënë se shteti duhet të bëjë thirrje që të legalizohen këto pajisje dhe të paguhen taksa.

Vendimi i Qeverisë dhe puna e Policisë në terren ka detyruar shumë persona t’i vendosin në shitje pajisjet për kriptovaluta. Kjo mund të vërehet në faqen ku mbledhet ky komunitet, “Albanian Crypto Miners”.  Vitin e shkuar tregu i kriptovalutave preku shifra rekorde. Për momentin, një Bitcoin, si valuta më e njohur digjitale, ka vlerë aktualisht mbi 41 mijë dollarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button