Policia ndërhyn në selinë e PD, plumba gome dhe gaz lotsjellës ndaj mbështetësve të Berishës

13:10 Policia ka ndërhyrë në selinë blu pas kërkesës për ndihmë të Lulzim Bashës, transmeton Vizion Plus.

Efektivët kanë hedhur gaz lotsjellës dhe plumba gome kundër mbështetësve të Sali Berishës.

“Në bazë të një kërkese të bërë Policisë së Shtetit, nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit, sqarojmë se: Policia e Shtetit është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës. Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin”, thuhet në njoftimin e policisë.

***********************************************************************************************************************

12:30 Partia Demokratike e konsideroi përpjekjen e ish-kryeministrit Sali Berisha për të thyer dyert e godinës së selisë si një nga aktet finale të ish-kreut të kësaj partie, me veprimet e të cilit, u shënua edhe largimi i tij me turp nga skena politike, transmeton TCH.

Në deklaratën e saj për mediat, PD thekson se është për të ardhur keq ku përfundoi Sali Berisha, duke e krahasuar këtë të fundit me Edi Ramën e 21 janarit.

“Për të ardhur keq ku përfundoi Sali Berisha, i njëjtë me Edi Ramën e 21 Janarit! Me një grusht njerëzish kërkon të marrë me dhunë Partinë Demokratike për ta kthyer në një bunker, ku të strehojë veten dhe familjen kundër interesit të demokratëve dhe të shqiptarëve!”, reagon PD.

Demokratët theksojnë se në gjithë këtë fatkeqësi për Sali Berishën, pamjet tregojnë se ai është braktisur nga demokratët, pasi po ndiqet nga 800 mercenarë në oborrin e PD-së, që ushtrojnë dhunë në këtë përpjekje të turpshme kundër demokratëve.

Aktet e dhunës së sotme kundër Partisë Demokratike shënojnë izolimin final të Sali Berishës dhe largimin me turp nga skena politike”, thotë PD.

 

***********************************************************************************************************************

Sali Berisha ka thirrur sot një protestë para selisë blu, si ‘beteja’   e fundit për të nxjerrë Lulzim Bashën nga zyra, transmeton TCH.

Protesta do të mbahet sot në orën 12:00 para selisë së PD, me qëllimin për të hapur dyert e ‘shtëpisë së demokratëve’, sikurse ka premtuar ish-kryeministri. Kjo protestë vjen pas nuk u respektua 5 janari, afati që ai i kishte lënë Bashës për të liruar selinë, gjë e cila nuk ndodhi.

Berisha premtoi dje se se protesta do të jetë paqësore e nuk do të preket asnjë punonjës i PD, por nga ana tjetër Basha flet për skenare dhune me banditë e kriminelë.

Megjithatë Basha ka thënë se janë gati për çdo gjë,  ndërsa masa ka marrë edhe Kryeministria, duke ‘blinduar’ derën kryesore ashtu si kurse është bërë në çdo protestë të së shkuarës.

Basha ka thënë se ditën e sotme ai do të vijojë si normalisht punën e tij dhe se e vetmja betejë për të është ajo kundër ‘regjimit të Ramës’.

“Lufta” Berisha-Basha shpërtheu në 9 shtator 2021, kur Lulzim Basha, me kërkesë të SHBA, pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata nga DASH për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button