MBI “TRADHËTARËT” DHE BUKËSHKALËT

Tek po mendoja për temën e shkrimit të sotëm, më vajti mendja te një dhaskal, i cili , kushedi përse, kthente shpesh në zyrën time të punës. Tipi është i mërzitshëm, sepse ngado që shkon përpiqet të mbjellë në trurin e të tjerëve bindjet bolshëvike, duke i shtruar qëndrimet me tone ultimative, të cilat mbyllin derën e çdo mendimi ndryshe. Një ditë ai pa mbi tavolinën time të punës veprat e Faik Konicës dhe Ernest Koliqit, dy titanëve të letërsisë realiste shqiptare, dy shkrimtarëve të ekskomunikuar nga idhujt pa krena të shokut dhaskal dhe, pa humbur kohë, nisi qortimin: “Paskam pasur mendim të gabuar për ty Fatmir. Ç’të duhen librat e këtyre dy tradhëtarëve të ndyrë të kombit?”

Natyrisht, dhaskali që vazhdon t’i pandehë ish nxënësit si të mitur edhe kur i kalojnë të 50-at dhe dëshmohen në fushat e ndryshme të dijes…, e pranoi se nuk kishte lexuar dhe nuk e kishte ndërmend të lexojë asnjë rresht nga dy klasikët e letërsisë shqipe me autoritet ndërkombëtar, gjë që flet shumë për kompetencën e tij profesionale të dirigjuar nga parësia e sistemit monist, të komprometuar në nivel botëror, të paktën, që nga shembja e murit të Berlinit.

Të them të drejtën, nuk u befasova fare, sepse askush nuk mund të jetë fajtor për prishjen e gjilpërës magnetike të fiqirit të fiksuar në pikën më gri të horizontit. Prandaj nuk u hidhërova. Ndjeva vetëm dhembje dhe trishtim, sepse, nëse kështu mendojnë dhaskalët, ç’kuptim kanë të tjerët për përsonalitetet e kulturës, të shpallur armiq të kombit pa ua adnimistruar kush fajet? Nëse njollosen kaq përulësisht titanët si: Konica, Koliqi, Fishta, Lasgushi, Kuteli, Pipa, Camaj…; nëse edhe 30 vjet pas monizmit baltosen paturpësisht nga gjynahët me shkollë shkrimtarët e persekutuar dhe të likuiduar si: Adem Demaçi, Kasem Trebeshina, Visar Zhiti, Sadudin Gjura, Musine Kokalari, Ndre Zadeja, Pjetër Arbnori, Ethem Haxhiademi, Vedat Kokona, Trifon Xhaxhika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela e shumë të tjerë, madje në një kohë kur e kanë shprehur pendimin edhe xhelatët e tyre, atëherë çfarë mund të pritet prej njerrëzve të rëndomtë që nuk i kuptojnë idiotësitë e zuzarëve bukëshkalë, që bijve të vet më të mirë nuk u japin as varr për horr?

Ajo që iriton më shumë njerëzit e urtë të vendit të çudirave lidhet me mospërmendjen kronike të emrit të ndritur të Ernest Koliqit – autorit të tregimit modern shqiptar, poetit, eseistit, përkthyesit, gazetarit, dramaturgut, veprimtarit të politikës së kulturës kombëtare, autorit të librit brilant me tregime “Tregtar famujsh” dhe jo vetëm, studiuesit e përkorë, themeluesit të revistës famëmadhe  “Shêjzat”, të drejtuar 18 vite të plota në egzil, thelemuesit të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Romës, Ministrit të Arsimit që gjatë kohës së okupimit Italian të Shqipërisë dërgoi qindra arsimtarë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi… për të përhapur dritën e diturisë dhe për të hapur shkolla edhe në fshatrat më të largëta malore. Mjerisht të painformuarit nuk e dinë se këtë e arriti me përpjekje mbinjerëzore, sepse autoritetet italiane këmbengulnin që këtë ta bëjë pas dhjetë vitesh… Këtë e dëshmon më së miri letra, të cilën Prometeu që shpëtoi nga asimilimi gjysmën e kombit shqiptar të mbetur nën thundrën serbe ia dërgoi mikut të tij Karl Gurakuqit më 18 korrik të vitit 1952, nga e cila po shkëpusim pjesët më interesante.

I dashur Karl,

Edhe un kishem nevojë për pushim në qetësi e në bjeshkë. Jeta plot kuçkarike e Romës më ka lodhë. Kundërshtarët s’po na lanë m’u marrë me punë t’onë, por na perzihen gjithkund. Nuk u mjaftojnë rrogat e majme në dollarë, apartamentat luksoze qi s’i kanë pa as n’ândër, mikeshat të cilave u bajnë sevda e u blejnë gjoje në vend qi me ndihmue vllazënt në skam, por na versulen me terbim a thue se u kemi nxânë dritën e diellit. E pave numrin e fundit të Flamurit? Mue më sulmojnë poshtërsisht. I shpallin botës se jem qenë fashista!

Nuk lëvizë ma ndër shkodranë ai dell krenar qi e ndriti emnin e qytetit t’onë dikur. Përndryshej do t’u çonte dikush me protestue. Kishte m’u lypun qi Kapidanit e Kolë Bibës, çdo Shkodran e Shqiptar i ndershëm t’i shkruejshin, tue stigmatizue veprën ç’njerëzore të Ballit e tue pohue energjikisht qi kush prekë ata prisa prekë në nderë të maleve, përbuzë flijen e qindra fatosave antikomunistë, mohon burrnin e fisnikërin e rracës s’onë, qi ata me plot të drejtë simbolizojnë e përfaqësojnë.

Po atyre horave… nuk do t’u ecin gjithmonë kungulli mbi uj. Kjo veper e fundme në vetvete, tregon ligështin se pozitave të tynë pranë të Huejvet qi i mbështesin. Këtyne (të huejvet…) kanë nevojë me iu kujtue se na jem qene kundërshtarët e demokracis… Sidoqoftë, telegramet dergue Musolinit janë qenë me qindra e jo vetëm tre… Telegrami i em asht autentik, por i drejtuem Duçes me 13 prill, mbas zbarkimit të trupave italjane (7 prill)… Prandaj un konfirmohem në gjendje të krijueme, s’kërkoi as ndrrime as ndërhymje. Telegrame si i emi janë nisun me mija nga Shqipnija: prej çdo Bashkije e prej çdo njeriu në nji funkcjon pak si të lartë… Ata qi shkruejnë kundra nesh, të gjithë kanë veshë divizën fashiste dhe i kanë shërbye regjimit, sot të shamë, deri në ditën e tij të fundit. Asnjani nuk dha dorhjekje. Patriotizmi i tyne filloi kur në Stalingrad Hitleri ngeli. Deri n’at ditë, na u lëvyrshin e na brohoritshin.

Ti e din mirfilli se na këta i kemi pasun në dorë me i asgjansue; përkundrazi u kemi ba nderna, i kemi gradue, ndihmue me bursa e me shpërblime të jashtëzakonshme. Shifi, tashti si siellen me ne! Mbahen si fituesa të luftës, ndersa Enveri po e shqynë kombin t’onë, Enveri qi e muer fuqin me ndihmën e këtynë patriotave të mëdhenj! Na, s’paku, bame Shqipnin e Madhe: ngjati pak vjet, po ai fakt i madhnueshëm do të jesi si preçëdent në histori të Ballkanit. Ata shka bane? U kruhet fundi i shpinës në deshir të nji kulltuku. Plasen m’u ulë në nji shkamb sundimi. Kalojnë mbi kufomen e t’et për me arrijtë në nji post ministri!

Po me P. Cordignano-n e shkrete, tash qi ka dekë e hy në dhe, ç’kanë? Ajo punë, q’i ndjeri bani, u harrue. Pse m’ngjallë? Nji artikull, qoftë edhe i pavend, nuk mund të rrzojë vlerën e sa e sa vëllimeve të çmueshme qi pasunojnë studimet albanologjike dhe zdrisin thesarin e kultures shqiptare. Le qi s’kanë ndiesi në zemër, as për të gjallë as për të dekun, pra nuk u kanë mbetë dy fije tru në kaptinë: të tillë shkrime na ulin para të huejvet dhe lanë gjurmë të damshme në shpirtnat të Shqyptarvet. Ty si të duken këto punë?

Nderime Hannit. Te fala Gilbertit dhe djelmvet aty.

Ty të përqafoj

Ernesti

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button