Rastet me sëmundjen e demencës pritet që të trefishohen deri në vitin 2050

Një studim ka zbuluar se rastet e demencës në mbarë botën pritet të trefishohen deri në vitin 2050, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shkencëtarët, në studimin e publikuar në revistën mjekësore “Lancet”, vlerësuan sëmundjen e demencës duke u bazuar në stilin e pashëndetshëm të jetesës, plakjes dhe popullsia në rritje.

Në studimin i cili synon mbështetjen e shteteve për të parandaluar sëmundjen e demencës, janë analizuar të dhënat e 195 vendeve.

Gjithashtu në studimi u vu në dukje se rritja e shkallës së obezitetit, diabetit, pirjes së duhanit dhe mënyrës së jetesës sedentare rrisin rrezikun e demencës.

Hulumtuesit duke nënvizuar se numri i rasteve të demencës nuk do të shënojnë rritje me të njëjtin nivel rreth botës, vlerësuan se prej 57 milionë raste në vitin 2019 kjo shifër mund të shkojë në mbi 153 milionë deri në vitin 2050.

Studimi parashikoi se rastet e demencës në Afrikën Lindore Sub-Sahariane mund të rriten nga rreth 660.000 në mbi 3 milionë, ndërsa në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, mund të rriten nga 3 milionë në rreth 14 milionë.

Nga ana tjetër, u theksua se rastet e demencës mund të rriten nga 4,8 milionë në 7,4 milionë në rajonin e Azi-Paqësorit, nga 8 milionë në afërsisht 14 milionë në Evropën Perëndimore dhe nga 907 mijë në 1,6 milionë në Mbretërinë e Bashkuar.

Çfarë është demenca?

Demenca nuk është një sëmundje në vetvete, por është një term i përdorur për të përshkruar një grup simptomash. Këto përfshijnë humbjen graduale të kujtesës, rënien e aftësisë për të menduar dhe arsyetuar, si dhe probleme me komunikimin. Këto simptoma shkaktohen nga disa gjendje dhe çrregullime.

Rreziku për zhvillimin e demencës rritet në mënyrë dramatike me moshën, por ka shumë persona në moshë të re me probleme demence.

Në fakt, demenca konsiderohet ndër sëmundjet më të keqinterpretuara ditët e sotme. Shumë njerëz, në shumë vende, besojnë se demenca është një rezultat i paevitueshëm i moshës dhe për pasojë nuk kërkojnë trajtim për familjarët e tyre, kur ata shfaqin shenja të humbjes së kujtesës apo simptoma të tjera të demencës. Të tjerë mendojnë se çdo episod harrese i atribuohet demencës, por asnjë nga këto përcaktime nuk është i saktë. Shpesh demenca ngatërrohet me sëmundjen Alzheimer.

Rreziku për demencë përfshin moshën, histori familjare, përdorim të tepruar të alkoolit, rëndim të arterieve, presion të lartë të gjakut, nivele të larta kolesteroli dhe duhanpirjen. Shkaqe të demencës janë faktorët të cilët çojnë në dëmtim të neuroneve. Kur qelizat e trurit dëmtohen, ato humbin aftësinë e tyre për të komunikuar me qelizat e tjera duke shkaktuar mosfunksionim.

Tipet e demencës

Tipet më të përhapura të demencës janë:

  • Demenca Alzheimer/ sëmundja Alzheimer është forma më e zakonshme e demencës. Shkaku nuk është identifikuar ende.
  • Demenca vaskulare është forma e dytë më e përhapur e demencave dhe i detyrohet goditjeve të shumëfishta që ndodhin në tru.
  • Demenca frontotemporale është e lidhur me një atrofi të dukshme apo tkurrje të lobeve frontale dhe temporale në tru.
  • Demenca e trupit Lewy /sëmundja e trupit Lewy shkaktohet nga trupat Lewy, të cilat janë disa lëmshe anormale të proteinave të caktuara të vendosura brenda neuroneve.
  • Sëmundja Creutzfeldt-Jakob është një gjendje e rrallë, ku një proteinë jonormale shkakton shkatërrimin e qelizave të trurit dhe demencë.
  • Sëmundja Huntington shkakton te pacientët e prekur lëvizje karakteristike jonormale, të quajtura chorea. Këto lëvizje përcaktojnë edhe diagnozën. Gjithsesi, në disa raste mund të shfaqen edhe probleme me kujtesën.
  • Demenca alkoolike shkaktohet kur pacientët pinë shumë alkool dhe zhvillojnë mungesë të një prej vitaminave B.
  • Demenca e përzier i referohet pacientëve që kanë të dhëna për dy ose më shumë tipe demencash. Sëmundja Alzheimer dhe demenca vaskulare janë kombinimi më i zakonshëm në demencat e përziera.

Stadet e demencës

Përgjithësisht demenca kategorizohet në kategorinë e lehtë, e moderuar dhe e rëndë. Ndonjëherë pacientët mund të duket sikur janë në dy stade në të njëjtën kohë, gjë që varet nga simptomat që ata shfaqin. Stadet e ndryshme të demencës nuk mund të përdoren për të parashikuar se sa shpejt gjendja e dikujt mund të avancojë, dhe nëse pacientët mund të qëndrojnë në një stad për shumë vjet apo edhe për pak muaj. Çdo pacient ka progres të ndryshëm të sëmundjes.

Në mënyrë më specifike janë përcaktuar edhe stadet e mëposhtme të demencës, të cilat përdoren shpesh kur diagnostikohet një demencë progresive.

Këto stade përfshijnë:

  • Stadi 1: Nuk ka dëmtim; pacienti nuk ka probleme.
  • Stadi 2: Ka dyshime për dëmtime të mundshme; pacienti fillon të ketë vështirësi, por gjithashtu mund të funksionojë mirë në mënyrë të pavarur.
  • Stadi 3: Dëmtim i lehtë; pacienti fillon të ketë probleme që të funksionojë i pavarur.
  • Stadi 4: Dëmtim i moderuar; pacienti ka nevojë për ndihmë në kujdesin për veten sikurse edhe për aktivitetet e përditshme.
  • Stadi 5: Dëmtim i rëndë; pacienti është krejtësisht i paaftë të funksionojnë në mënyrë të pavarur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button