Qeveria: Ndërprerja e ngrohjes në Shkup, e pajustifikueshme dhe e papranueshme

Qeveria u bën thirrje kompanive kompetente, qytetit dhe organeve komunale që menjëherë të veprojnë sipas kompetencave të tyre dhe të sigurojnë energji termike për shtëpitë e qytetarëve të qytetit të Shkupit, transmeton 360 Shkallë.

Ata thonë se Qeveria i ndihmon qytetarët, komunat dhe Qytetin e Shkupit, por kur bëhet fjalë për obligimet financiare ndaj ofruesve të shërbimeve publike fillimisht thirren organet kompetente lokale.

Prandaj, theksojnë se gjatë javës së ardhshme do të shqyrtohen mundësitë për ndihmë shtesë, por ndërprerja e njëanshme e obligimeve kontraktuale dhe ndërprerja e ngrohjes në dëm të qytetarëve dhe amvisërive në kushtet e dimrit, siç thonë nga Qeveria, nuk mund të pranohet dhe arsyetohet.

Paraprakisht për mediat reaguan qytetarët e Shkupit të cilët u ankuan se janë pa ngrohje ose se ngrohja është shumë e dobët.

Sipas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi i ngrohjes qendrore në Shkup këtë muaj është rritur për 14 për qind.

Mbi 500 shtëpi në Shkup veri dhe Fushë Tophane kanë mbetur pa ngrohje në mes të dimrit. Banorët e këtyre vendeve, të revoltuar, thonë se i paguajnë rregullisht faturat dhe tash e dy ditë Toplifikimi Shkup Veri nuk lëshon ngrohje.

Nga kompania për Sitelin kanë thënë se për shkak të çmimit jashtëzakonisht të lartë të gazit natyror, kurse në anën tjetër vendimit për rritjen e çmimit të ngrohjes për vetëm 14 për qind, janë përballur me probleme serioze financiare. Për tejkalimin e tyre thonë se duhet të përfshihen të gjitha organet që të mund të arkëtojnë borxhet nga institucionet, por edhe të japin ndihmë financiare. Sh.A. Shkup Veri shpreson se problemi do të zgjidhet shpejt dhe banorët do të kenë ngrohje.

Nga Komuna e Çairit kanë konfirmuar se kanë borxh ndaj ngrohjes, të cilin do ta paguajnë të hënën, por që nuk do ta zgjidhë problemin.

Deri më tani disa herë ka ndodhur që qytetarët e kësaj pjese të qytetit të mbeten pa ngrohje. Ndryshe, ngrohtorja “Shkupi Veri” ka më pak amvisëritë të kyçura.

LEXO: Banorët e Çairit dhe Butelit prej dy ditësh janë pa ngrohje qendrore

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button