Francë vs Spanjë, Deshamp beson tek Ribery

Padyshim që ndeshja kryesore e xhiros së gjashtë për kualifikimet e Botërorit ‘Brazil 2014’ do të jetë ajo që do të zhvillohet në ‘Parc de Prince’, ku Franca do të jetë nikoqire e ‘Furisë së Kuqe’, në ndeshjen që pritet ta vendosë edhe fatin e Grupit I, në rast të fitores nga vendasit.

Didier Deschamps beson se Franck Ribery mund të dalë të jetë fituesi i ndeshjes së sotme të Francës përballë Spanjës që do të zhvillohet në ‘Parc de Prince’ me fillim në ora 21:00.

Nëse Franca fiton takimin e sotëm të grupit I, do të bëjë një hap të madh drejt kualifikimit për Botërorin 2014, dhe Deschamps beson se anësori i Bayernit do të luajë një rol të madh në këtë synim.

“Ribery është një lojtar i aftë për ta bërë dallimin në çdo kohë”, ka thënë Deschamps gjatë konferencës së djeshme për shtyp.

Trajneri francez po ashtu ka folur edhe për situatën e Karim Benzema, i cili është kritikuar për shkak se nuk shënon me ekipin kombëtar.

“Nuk e di nëse ai do të luajë të martën ose jo, por i di kualitetet e tij shumë mirë”, ka shtuar francezi.

Ndërsa trajneri spanjoll Del Bosque ka thënë se skuadra e tij do të sulmojë në Francë dhe objektivi i vetëm është fitorja.

Ajo që duhet theksuar në skuadrën e Spanjës, është se 10 nga 11 lojtarët e formacionit të parë, që është paralajmëruar, janë futbollistë që luajnë me Realin e Madridit dhe Barcelonën.

Nga gjithsej 36 ndeshjet e fundit për Kupën botërore të FIFA-s, Franca nuk ka pësuar disfatë në 33 ndeshje. Ndërsa Spanja nuk ka pësuar disfatë në vetëm 10 ndeshjet e fundit të Kupës botërore të FIFA-s. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button