Basha: Protesta e Berishës, kundër PD-së dhe SHBA

Në një deklaratë nga selia blu, Lulzim Basha tha protesta e thirrur nga Sali Berisha të shtunën, është një protestë kundër demokratëve dhe SHBA. Ka një pikë kur boll është boll, tha Basha, raporton Klan.

“Në Kuvendin tonë të 18 Dhjetorit  ne avancuam me vendimet e nismat tona për një Parti Demokratike të pastruar nga hijet e së shkuarës, nga krimi dhe korrupsioni brenda nesh, me bindjen se si është PD sot do të jetë Shqipëria nesër. Ne morëm vendime të guximshme, në linjë me aleatin tonë strategjik, SHBA, që e ka vendosur luftën kundër korrupsionit si përparësi të politikës së saj të jashtme dhe ka  venë nës hënjestër rregjimet autokratike, armike të demokracisë dhe mirëqenies. Ne e kthyem në standart se ata që shpallen non grata nga SHBA nuk mund të zgjidhen në funksione drejtuese në PD. Ne i kemi hequr çdo alibi Edi Ramës për të vazhduar qeverisjen e tij të korruptuar deri ne palcë, të ambalazhuar me estradë, cirk, mashtrime dhe batuta  të dala boje tashmë. Ne do të vazhdojmë si protagonistë të ndryshimit, me bindjen se jemi forca e vetme politike që mund ti japë fund dhe do ti japë fund regjimit të Edi Ramës. Lëvizjet e Sali Berishës, që nga Shtatori  kur unë mora vendimin e për pezullimin e tij, e sot e gjithë ditën,  kanë shërbyer për të zhurmuar e devijuar fokusin e betejës sonë opozitare, rrjedhimisht duke i dhënë oksigjen qeverisë. Për hallin e tij që as e ka nga ne, as ia zgjidhim dot ne, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër Partisë Demokratike, në të vërtetë kundër SHBA. Ka një pikë kur boll është boll”, tha Basha.

Nga selia blu, Basha e akuzoi Berishën për mashtrim.

“Unë dua t’u drejtohem sot të gjithë demokratëve, e sidomos atyre që kanë dashur me sinqeritet thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike, të cilin Kryesia e PD-së e thirri në datë 18 dhjetor edhe në reflektim të kërkesave të tyre. Pa dashur të përsëris çfarë kam thënë disa herë rreth përpjekjeve të mia për të gjetur bashkë me Sali Berishën zgjidhjen me të mire për PD në  radhë të parë, por në  bindjen time edhe për atë vetë, përpjekje që rezultuan të pasuksesshme, e  ndjej si detyrim politik  e njerëzor t’ju them: Sali Berisha ju ka mashtruar kur në nisje të lëvizjes së tij për të marrë e shndërruar Partinë Demokratike në bunker antiamerikan pas shpalljes së  tij “non grata”, ju tha se unë kam shkelur statutin sepse nuk e kam votuar në Kryesi dhe në Këshillin Kombëtar vendimin e pezullimit të tij. Në kulmin e lëvizjes së tij, koha tregoi se megjithë diversionet e parreshtuara të Sali Berishës, Kryesia, Këshilli Kombëtar përfshirë Grupin Parlamentar dhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur më 18 dhjetor, si dhe shumica e demokratëve kanë vendosur t’i qëndrojnë me vendosmëri qëndrimeve zyrtare të PD-së për korrupsionin dhe përcaktimin non grata të SHBA-së dhe të zbatojnë në partinë tonë atë që kemi kërkuar prej vitesh nga të gjitha institucionet shqiptare. Sali Berisha ka mashtruar dhe ka dashur t’ju bëjë për budallenj me sajesat dhe trillimet e tij qesharake rreth arsyeve përse është  shpallur non grata nga SHBA,  në një kohë kur motivacioni ka qenë dhe është i qartë  për çdokënd që nuk ka dëshirë të  gënjehet.

Shpallja non grata si instrument i antikorrupsionit dhe mbrojtjes së demokracisë nga minuesit e saj, po ngrihet si stuhi në Shqipëri dhe në rajon. Kushdo ka mundësi të qartesohet  përmes shembujve konkrete për arsyet e këtyre shpalljeve që po shoqërohen me sanksione ndaj pasurisë së paligjshme të  personave të shpallur non grata dhe sipermarrjeve që i mbeshtesin.

-Sali Berisha ka mashtruar me përpjekjet  e tij të vazhdueshme për tua mbajtur të  fshehtë procedurën e shpalljes non grata që merr kohë dhe përfshin një disa institucione e agjenci  ligjzbatuese në shtetin më të fuqishëm të botës, që nga Departamanti i Shtetit, te Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Thesarit, dhe agjensitë e Sigurisë Kombëtare dhe ligjzbatimit. 

-Sali Berisha, duke njohur mirë ndjenjat proamerikane të shumicës dërmuese të demokratëve dhe popullit shqiptar, ka mashtruar duke ju mbajtur të fshehtë me sa  ka mundur deklaratat  e qarta e të përsëritura të përfaqësuesve të  SHBA dhe Presidentit Biden se  SHBA do të ndërprese çdo marrëdhenie me një PD të  drejtuar nga një e person non grata, cilido qoftë ai.

Sali Berisha  ju ka mashtruar  e ushqyer me iluzione sikur  non grata amerikane  është një vendim politik i një administrate  që mund të hiqet nga administrata tjetër, dhe jo një vendim institucional që piqet për shumë kohë dhe merret përmes bashkëpunimit e bashkërendimit të  shumë institucioneve e agjencive të zbatimit të ligjit. Shpallja non grata për korrupsion nuk  i është hequr kurrë, askujt.

-Sali Berisha është treguar gënjeshtar me ju duke e perjashtuar veten e tij nga vendimarrjet me të rendësishme të PD-së gjatë tetë viteve tona në opozitë, në një kohë kur ai ka qene pjese e vendimarrjes madje edhe duke i paraprirë me deklarata mediatike, dhe me protagonizmnin e tij rivalizues me institucionet e zgjedhura te PD.

Unë kam pranuar përgjegjësitë e mia për ketë situatë, por Sali Berisha nuk mund të bëjë sikur ka qenë në ndonjë ishull prej nga u kthye pas tetë vjetësh.

-Sali Berisha ju ka mashtruar keq duke gënjyer, trilluar e shpifur pa hesap kundër meje, pa paraqitur asnjë fakt a provë sado të vogël, e gjithë kjo që të mbledhë pas vetes mbështetës e të bëjë turmën e karshillëkut kundër SHBA dhe të hedhë demokratët kundër njeri tjetrit..

-Sali Berisha ka shpërdoruar vullnetin e atyre demokratëve që firmosen për thirrjen e një Kuvendi  të Jashtëzakoshëm të PD-së, duke mos lejuar  kalimin e  firmave të  tyre  në rrugën ligjore që përcakton kushtetuta e Partisë.

Sali Berisha ka mashtruar me të ashtuquajturin referendum ku vetë bën listat, vetë numëron, vetë shton votues  sa të dojë për ta çuar numrin aty ku e ka paracaktuar.

Fotografia më e qartë dhe më diskretituese e farsës me emrin referendum janë filmimet në njësinë 8 në zemer të Tiranës ku kanë marrë pjesë në votim më pak se 10 përqind e anëtarëve të PD-së, që komunikata e Sali Berishës në mbrëmje i bën 80 përqind.

-Ky është pseudo-referendumi, ky është mashtrimi më i madh. Me numra të stisur, me kuti të mbushura, Sali Berisha, për hallin e tij,  thërret demokratët të pushtojnë  dhe asgjesojnë Partinë Demokratike, forumet e saj të ligjshme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button