Pronari i “Besa Trans”, Bekim Haxhiu: Nuk kam lidhje me “Besa Trans Preshevë”

Nuk kam lidhje me “Besa Trans Preshevë”, nuk kam kompani të tjera dhe nuk organizoj udhëtime për në Stamboll. Kështu u përgjigj për Televizionin Telma Bekim Haxhiu, pronari i agjencisë “Besa Trans Shkup”, në autobusin e së cilës para një muaji e gjysmë në Bullgari humbën jetën 45 shtetas të RMV-së, transmeton Portalb.mk.

Haxhiu është nën hetim nga organet e hetuesisë bullgare dhe pasi ka dalë vetëm në mediat bullgare, tani për herë të parë dha deklaratë për një media të vendit.

Ai tha se ka dëshmuar edhe në prokurorinë e RMV-së, e cila po heton nëse ka faj në institucionet tona, pasi autobusi i “Besa Transit” është lejuar të kalojë 120 herë kufirin me dokumente false. Se si i ka marrë dokumentet e falsifikuara, nëse dhe kush ka paguar që autobusët e tij të kalojnë kufirin legalisht, nuk tregoi.

“Nuk është e vërtetë, nuk ka të bëjë fare biznesi me Preshevën. Besa Trans nuk punon pasi nuk ka licencë.
“Besa Trans Preshevë” nuk ka lidhje me “Besa Trans Shkup”, tha Bekim Haxhiu.

I pyetur për atë se a ka kompani tjera në emrin e tij apo të afërmve të tij, si për shembull “Royal Travel“, Haxhiu mohoi diçka të tillë duke e konsideruar si informacion të pasaktë.

Ajo që është më e dyshimtë është se “Besa Trans Preshevë”, e cila siç njofton Telma, organizon udhëtimin e Krishtlindjeve për në Stamboll edhe për qytetarët e RMV-së, lidhet me “Besa Trans Shkup”.

Në faqen zyrtare në Facebook thuhet se ‘Besa e Preshevës’ është pjesë e asaj të Shkupit me përfaqësi në Luginën e Preshevës. Faqja është hapur më 28 gusht dhe menaxhohet nga dy persona nga RMV-ja dhe një nga Serbia.

Menjëherë pas aksidentit në Bullgari, një përfaqësues i ‘Besës’ nga Presheva ka dhënë një deklaratë për Folonline, media e cila thotë se agjencia është filialë e agjencisë në Shkup dhe thotë se në autobus nuk ka pasur udhëtarë nga Lugina e Preshevës.

Mirëpo, institucionet kompetente as nuk kanë dëgjuar, as nuk e dinë dhe as nuk e kontrollojnë nëse bëhet fjalë për të njëjtin autobus dhe të njëjtin pronar.

Inspektorati i Transportit ende nuk ka mundur të hyjë në selinë e ‘Besa Trans’-it në Rashçe, madje ka hequr dorë sepse agjencisë i janë hequr dhe mbyllur licencat për transport të udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit. Por, ‘Besa Trans’ ka ende licencë A të përhershme për të ushtruar aktivitet turistik. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, nuk mundi t’ia hiqte e as inspektorët e Inspektoratit të tregut nuk arritën tre herë të hynin në agjenci.

“Inspektorati Shtetëror i Tregut në disa raste është përballur me ambiente të mbyllura gjatë kontrollit për të përgatitur raport mbi bazën e të cilit Ministri i Ekonomisë do të marrë vendim për marrjen e lejes. Për funksionimin e kompanisë “Besa Trans” aktualisht ka procedurë gjyqësore, nuk ka të drejtë të punojë dhe të gjitha kontratat që ka pasur për momentin nuk janë të vlefshme. Për momentin agjencia është e mbyllur dhe nuk mund të funksionojë si agjenci udhëtimesh”, pohojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se Bekim Haxhiu nuk figuron pronar në asnjë agjenci tjetër në vend, dhe nuk kanë të dhëna për ndonjë shtet tjetër. Por qytetarët që kanë dashur të mbeten anonim për Telma pohojnë të kundërtën.

“Njoftimi se “Besa Trans Preshevë” organizon turne për në Turqi është i saktë dhe bëhet fjalë për të njëjtin shef. Ai ka hapur kompani dhe agjenci të tjera me emra të tjerë, ‘Besa Trans Preshevë’, ‘Royal Travel Shkup‘, ‘Aldi Trans Shkup’. Ka dy javë që ka organizuar udhëtime dhe informacioni është 100 për qind i saktë, sepse unë jam nga ajo fushë”, pohon një qytetar anonim.

“Besa Trans Preshevë” ofron udhëtim në qytetin e Stambollit për turistët nga RMV-ja për 79 euro. Filloi dje dhe zgjat deri në datën 13. Nisjet janë nga Tetova Gostivari dhe Shkupi. Agjencia Royal Travel ka pothuajse të njëjtat oferta, të cilat i ka në Kosovë, por edhe në vendin tonë. Është formuar pak ditë më parë, më 28 dhjetor. Pronari i regjistrit qendror është një person tjetër, jo Bekim Haxhiu. Por, edhe pse ofron shumë turne në Stamboll, nuk ekziston si agjenci turistike në vend.

LEXO: “Besa Trans” nga Presheva organizon udhëtime për në Stamboll edhe për qytetarët e RMV-së

Në aksidentin tragjik të autostradës “Struma” në Bullgari që ka ndodhur më 23 nëntor ndërruan jetë 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë u lënduan. Ata po ktheheshin nga udhëtimi turistik në Turqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button