Nertila Pitarka: Kemi mungesë të leximit dhe prindërit mund ta ndryshojnë këtë (VIDEO)

Viti i Ri i Nertila Pitarka Vejselit nisi me një botim të ri të një libri për fëmijë i tituluar “Eda mëson shkronjat”. Ky është botimi i saj i tretë me radhë, duke përfshirë edhe dy librat e tjerë “Falemnderit Nëna ime” dhe “Djali që shiste çokollata”. Nertila është mësimdhënëse në shkollën “Imri Elezi” dhe përveç se ushtron detyrën e mësimdhënëses, është shkrimtare dhe poete për fëmijë dhe jo vetëm. Jeta e saj lidhet shumë ngushtë me fëmijët dhe kjo ka shtyrë atë që të shkruajë libra dedikuar atyre. Nertila është bashkautore dhe përkthyese e revistës për fëmijë ‘Vesa’, si dhe përkthyese në Qeverinë e RMV. Pitarka për Portalb.mk foli për botimin e saj të fundit dhe rëndësinë e leximit te fëmjët.

“Eda mëson shkronjat” është një përmbledhje poezish. Poezitë janë të marra nga disa numra të revistës ‘Vesa’, të cilat janë botuar gjatë katër viteve. Ne kemi përzgjedhur vjersha, strofa dhe poezi për çdo shkronjë të alfabetit. Ky libër do të jetë një ndihmesë për fëmijët parashkollor, por edhe për ata në klasë të parë për t’i mësuar shkronjat.” tha Nertila Pitarka.

Sipas Nertilës, në RMV ka mungesë të materialeve shtesë për lexim në gjuhën shqipe, por ndjehet dukshëm edhe mungesa e fëmijëve dhe inkurajimi i tyre për të lexuar. Kjo është edhe një nxitje dhe motiv për të që të shkruajë libra për fëmijë.

“Ligjërimi te fëmijët është më pak efektiv në krahasim me atë se çka sheh një fëmijë, domethënë ana vizuele. Fëmija imiton atë që sheh, qoftë në shtëpi ose në shkollë. Në qoftë se ne prindërit lexojmë libra para tyre, atyre do t’u mbillet në kokë leximi. Ndërsa, nëse ata nuk kanë asnjë kontakt me librin, është shumë normale që nuk do kenë dëshirë për të lexuar. Unë mundohem që në fillim të çdo ore të mësimit t’u lexoj nxënësve një fragment, me qëllim që të ngjall interes tek ata për të lexuar.” u shpreh Nertila.

Kur u pyet Nertila se cili do kishte qenë mesazhi që do e kishte përcjellë për të rinjtë sa i përket leximit, ajo parapëlqeu që mesazhin t’ua përcjellte prindërve:

“Ne prindërit jemi ata të cilët ua japim drejtimin e jetës fëmijëve dhe normalisht si çdo prind ne e duam më të mirën për ta. Në periudhën e teknologjisë dhe keqpërdorimit të saj duhet të gjejmë një rrugë ku fëmijët duhet të jenë sa më afër leximit. Të mundohemi sa më shumë të lexojmë bashkë me ta dhe të vizitojmë librari. Kemi një deficit në lexim dhe prindërit janë ata të cilët mund ta ndryshojnë këtë.” përmbylli Pitarka.

Nertila do të vazhdojë me publikimin e librave, por, e vetmja gjë që e ndalon është mbështetja institucionale. Ajo ka shkrime për disa libra, duke përfshirë këtu edhe libra për të rritur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button