Mickoski kërkon veprime diplomatike nga BE-ja dhe reagim të ashpër ndaj Bullgarisë që vendi të fillojë negociatat

Lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski sot gjatë një konference për shtyp tha nuk pret ndryshim në marrëdhëniet maqedono-bullgare pas qasjes së re të paralajmëruar nga Sofja, ai bëri thirrje që partnerët evropianë të marrin masa ndaj Bullgarisë që vendi të fillojë negociatat me BE-në. Ndër të tjera ai tha se mandati i kryeministrit që do të propozojë përbërjen e qeverisë nuk ka kredibilitet për të negociuar në emër të popullit maqedonas për identitetin e tyre. Ai pret që të dëgjohet zëri i VMRO-DPMNE-së si partia më e madhe politike në vend, transmeton Portalb.mk.

Për atë se çfarë pret nga vizita e kryeministrit bullgar Kiril Petkov me 18 janar, Mickoski tha se VMRO-DPMNE është parti politike me numrin më të madh të deputetëve dhe ka legjitimitet të flasë me zë të lartë, sidomos kur bëhet fjalë për identitetin kombëtar maqedonas dhe ka thënë se qëndrimet e tij do t’i ndajë me Petkovin.

“Ne shohim se identiteti kombëtar maqedonas po mohohet çdo ditë nga Bullgaria fqinje”, tha Mickoski.

Ai nuk pret ndryshim në marrëdhëniet maqedono-bullgare pas qasjes së re të paralajmëruar nga Sofja dhe kërkon veprime diplomatike nga partnerët evropianë që vendi të fillojë negociatat me BE-në.

“Sfondi i problemit është Rezoluta në Parlamentin bullgar, e cila në fakt është konfirmuar nga presidenti Radev. Dhe i qortoi ministrat në qeverinë e re të Petkovit që të mos dorëzohen para kërkesave. Ky është një mesazh mjaft i fortë. Për sa kohë kjo Rezolutë është në fuqi, për sa kohë kjo Rezolutë ka fuqinë e ligjit, ne do të jemi subjekt i shantazhit të fqinjit tonë lindor, kërkesave hegjemoniste të shekujve më parë, në vend që të ndërtojmë një të ardhme së bashku dhe të shohim disa shekuj përpara.Më vjen keq që kjo po ndodh në Evropën moderne në shekullin e 21-të dhe u bëj thirrje partnerëve tanë evropianë që të reagojnë dhe me veprime të fuqishme diplomatike kundër fqinjit tonë lindor dhe më në fund të lejojnë popullin e Maqedonisë të fillojë negociatat e shumëpritura për anëtarësim të plotë në BE”, tha Mickoski.

I pyetur për deklaratën e Slavi Trifonov që Shtetet e Bashkuara nëse heqin vizat për qytetarët bullgarë, ata do të heqin veton, kreu i VMRO-DPMNE tha se ditët e fundit ka pasur deklarata të ndryshme nga, siç thotë ai, humoristi Trifonov, të cilat janë mohuar nga partnerët e tij të koalicionit.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button