RMV, kovid-19 ka goditur fortë shëndetin mendor të të rinjve

Ankthi, sulme të panikut, probleme me gjumin janë vetëm disa nga pasojat me të cilat përballen shumë të rinj në vitin e dytë të pandemisë. Stigma e shëndetit mendor ende ekziston. Fillimi i vitit shkollor me prani fizike, pas një viti e gjysmë mësim nga shtëpia, solli sfida të reja për Marija Mlladenovska-Dimitrovska, psikologe në gjimnazin “Taki Daskallo” nga Manastiri. Pandemia, karantinat dhe izolimi kanë lënë gjurmë në shëndetin mendor të fëmijëve, thekson ajo, shkruan REL.

“Gjëja më alarmante për momentin, më duket, janë sulmet e panikut dhe ankthi për shkak të pandemisë.  Është arsyeja më e shpesh për të cilën vijnë ata, megjithatë, vijnë edhe për shkak të problemeve me mësimin dhe përqendrimin; shumë fëmijë thonë që ndonëse ulen për të mësuar, nuk ia dalin të mësojnë. Vitin e kaluar humbën shumë me onlajn mësimin dhe gjithçka që po ndodh tani, kur klasa të tëra po shkojnë në izolim ose në mësim onlajn për shkak të një mësuesi apo nxënësi të infektuar, kështu që e gjithë kjo është shumë stresuese dhe mjaft kaotike”, shpjegon psikologia.

Kovid-19 i goditi të rinjtë në një mënyrë specifike, duke ua shkurtuar shoqërimin dhe socializmin e tyre, në kohë të frikës dhe pasigurisë. E gjithë kjo, thekson psikologia, ka rezultuar me zhgënjime dhe konflikt te të rinjtë. Kjo është arsyeja për të cilën vëllimi i punës saj me nxënësit është rritur.

“Zakonisht ndodh për shkak të problemeve me mësimin dhe mungesës nga shkolla, që më së shpeshti i referojnë te shërbimi psikologjik, ndonëse arsyet janë krejtësisht të ndryshme. Pra ka nevojë për vetëdijesim më të madh dhe promovim publik që të kërkohet ndihmë profesionale me kohë, për gjithçka që ndodh”, vlerëson Mlladenovska-Dimitrovska.

Edhe Aleksandra Filipova, nga Këshilli Nacional Rinor i Maqedonisë, thekson se shëndeti mendor tek të rinjtë është problem serioz. Se ata kanë nevojë për ndihmë ka treguar edhe interesimi për këshillimin që ata e ofruan gjatë pandemisë. Ndaj, ajo mendon se nevojiten më shumë shërbime për të rinjtë, por edhe ndihmë për psikologët e shkollave, duke theksuar që në vend se të ngarkohen me aktivitete burokratike, ata duhet të punojnë drejtpërdrejt me të rinjtë.

“Vetë fakti që jetojmë në një shoqëri më tradicionale ndikon që shëndeti mendor të bëhet tabu. Mendoj se duhet të punojmë në shërbime të reja që për të rinjtë do të jenë gjithmonë falas, në mënyrë që ata ta ndjejnë se mund të sigurohen dhe se mund t’iu drejtohen atyre shërbimeve për çdo situatë. Dhe sa më shpesh të rinjtë të kenë qasje t’iu drejtohen këtyre shërbimvee, aq më pak do të ketë stigmë”, thotë Filipova.

Strategjia e fundit Kombëtare për Promovimin e Shëndetit Mendor, për periudhën 2018-2025, u miratua para pandemisë. Megjithatë, edhe aty vihet në pah problemi i qasjes te shërbimet për të rinjtë dhe konkretisht theksohet se në dekadën e fundit këto shërbime janë reduktuar ndjeshëm, pa plan për zhvillimin e tyre. Për më tepër, vihet në pah fakti se gjysma e të gjitha rasteve të çrregullimeve të shëndetit mendor fillojnë në fëmijëri deri në moshën 14 vjeç, ndërsa 75% deri në moshën 24 vjeç. Megjithatë, vetëm 20% e të rinjve, të cilët kanë nevojë e marrin trajtimin, ndërkohë që ka një vonesë prej rreth 10 vitesh nga fillimi i simptomave, madje edhe në vende shumë të zhvilluara. Prandaj strategjia e fundit parashikon të hapen gjashtë qendra të shëndetit mendor për të rinj në Shkup, Manastir, Tetovë, Kumanovë, Shtip dhe Strumicë. Sipas planit të veprimit, hapja e tyre duhej të bëhej deri në vitin 2020, së bashku me hapjen e spitaleve ditore për fëmijë dhe të rinj në kuadër të Klinikës Psikiatrike dhe Institutit për Shëndet Mendor në Shkup. Vonesën për hapjen e tyre Stojan Bajraktarov, drejtor i ISHP Klinikës Universitare për Psikiatri në Shkup, e arsyeton me mungesë të kuadrove për të punuar në ato qendra.

“Aktualisht funksionojnë Shkupi dhe Manastiri dhe po bëhen përpjekje. Gjërat janë në një nivel mjaft të ulët kohët e fundit. Mirëpo, për të ndërtuar qendra të tilla paraprakisht na duhen kapacitete. Gjegjësisht, nuk mjafton vetëm hapja e ndonjë institucioni dhe një nga elementet më të rëndësishme është kapitali njerëzor, struktura profesionale”, thotë Bajraktarov.

Për këtë qëllim hapën një specializim dhe subspecializim të ri në Departamentin e Psikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë për Psikiatri të Fëmijëve dhe Adoleshentëve. Thotë se tani po dalin kuadrot e para, ndaj shpreson që procesi të zhbllokohet së shpejti. Është i vetëdijshëm se fëmijët dhe të rinjtë janë prekur rëndë nga pandemia, në radhë të parë nga mbyllja e shkollave. Kjo, thekson ai, ka lënë pasoja të forta në zhvillimin e tyre psiko-social.

Disa të rinj u organizuan vetë, në ekipe, për të marrë dhe ofruar ndihmë. Këtë vit shumë punë ka pas edhe këshillimorja për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, në të cilën Milka Mukaetova vullnetare është. Tani është në vitin e tretë të studimeve dhe thotë se ka pasur fatin që kur ka nisë në fakultet, semestrin e parë e ka ndjekur me prani fizike, pak para se të shpërthejë pandemia. Thotë se ky proces ka qenë shumë më i vështirë për dy gjeneratat e ardhshme që mësimet i ndjekin kryesisht onlajn, që e ajo konsideron si sfidë serioze për shëndetin mendor.

“Ankth, nervozizëm, frikë, probleme me gjumin… Ndonjëherë është thjesht konfuzion, ndjenjë e të qenit i/e humbur, në këtë aspekt ndoshta izolim që është konkretisht pasojë e pandemisë. Ata kanë nevojë për më shumë mbështetje për atë që ndjehen të vetmuar dhe të izoluar. Vetëm për të ndjerë se janë pjesë e diçkaje dhe dikush t’u thotë se gjithçka do të jetë mirë dhe se është normale të ndihesh kështu”, tha Mukaetova.

Periudhën e pandemisë, ajo e ka plotësuar me një sërë aktivitetesh vullnetare, fillimisht onlajn e më pas oflajn. Beson se kjo e ka shpëtuar dhe i ka ndihmuar të ruaj shëndetin e saj mendor dhe të jetë e dobishme për komunitetin.

“Një nga përfitimet e pandemisë është se u fol shumë më tepër për shëndetin mendor”, thotë studentja.

Shëndeti mendor u gjet si temë edhe në dokumentin “Rinia në krizë 2.0” që u publikua në mars të vitit të kaluar nga disa shoqata, ku theksohet se pandemia u ka shkaktuar probleme të mëdha. Si zgjidhje të mundshme përfshihen përmirësimi dhe dispozicion më i madh i mbështetjes psikologjike nga shërbimet profesionale në shkolla, si dhe ofrimi i linjave telefonike në nivel kombëtar. Disa linja të tilla u hapën që nga fillimi i pandemisë, por aktualisht në dispozicion për të rinjtë është vetëm një, në numrin 072 912676. Linja ofron mbështetje psikologjike për fëmijët shkollorë dhe parashkollorë dhe prindërit e tyre dhe është pjesë e Klinikës Psikiatrike.

Mirëpo, psikologët reagojnë ndaj mungesës së mbështetjes institucionale. Veç kësaj, disa prej tyre gjatë pandemisë u organizuan për të ofruar këshillim dhe psikoterapi falas, gjë që sipas tyre është mjaft rraskapitëse. Interesimi për ta tek të rinjtë mbetet i madh, thekson Mlladenovska-Dimitrovska.

“Shteti duhet të gjejë forca që në të marrim mbështetje institucionale, që shërbimet e psikologëve të kalojnë nëpërmjet Fondit të Shëndetësisë. Sepse shëndeti mendor është shumë i rëndësishëm për jetën tonë. Nuk mund të kemi shoqëri të shëndetshme nëse nuk kemi individë me shëndet të mirë mendor. “Sidomos në situata krize, siç është pandemia”, thotë ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button