Shifra alarmante të ndotjes së ajrit në Tetovë (Infografik)

Java e parë e vitit 2022 regjistroi shifra të larta të grimcave të dëmshme PM 10 në Tetovë. Mesatarja e regjistruar e këtyre grimcave nga 1 janari deri me 6 janar është 138.96, gjë që që e tejkalon sasinë e lejuar. Vlera mesatare ditore e PM10 nuk mund të kalojë 50 mikrogramë për metër kub dhe jo më shumë se 35 herë në vit. Nuk janë ndërmarrë masa serioze nga autoritetet lokale dhe qendrore për të zgjidhur këtë problem, këtë e potencojnë dhe organizatat ekologjike të Tetovës. Problem shtesë është ngrohja me dru sepse çmimi i rrymës elektrike është rritur, shkruan Portalb.mk.

Në infografikun e pregatitur nga Portalb.mk mund të shihet niveli i grimcave PM 10, gjatë javës së parë të 2022, gjatë tërë vitit 2021 si dhe mesatarja vjetore për vitet nga 2004 deri 2021.

Ndotja e ajrit, infografik nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ndotja e ajrit, infografik nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qytetarët, të vetëdijshëm se ngrohja me dru e ndot ajrin, shprehen se nuk kanë zgjidhje tjetër pasi çmimi i rrymës është i lartë, sidomos tani që u shtrenjtua nuk mund t’a përballojnë ekonomikisht ngrohjen me rrymë.

OJQ-të: Kërkojmë zgjidhje për qytetarët

Nga Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” për Portalb.mk thanë se duke filluar nga fakti se Tetova për shkak të pozitës gjeografike në këtë periudhë të vitit, gjendet në periudhe inversioni, niveli i ndotjes automatikisht rritet dukshëm duke u ndikuar shumë nga resurset për ngrohje të amvisërive që kontribuojnë dukshëm në cilësinë e ajrit.
Sipas tyre, në këtë periudhë kriza energjetike bashkë me rritjen e shpenzimeve të amvisërive për shkak të rritjes së çmimeve, i orientoi edhe më tepër amvisëritë kah përdorimi i resurseve për ngrohje më të lira, si parapërgatitje për krizën energjetike dhe restrikcioneve të mundshme që mund të ndodhin, si dhe për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Javët e fundit edhe numri i automjeteve u rrit dukshëm në vend, gjë që reflektoi indeks më të lartë të ndotjes. Kjo është diçka e zakonshme te ne, dhe trendin qeveritar për moszgjidhje të problemit ekologjik në vendin tonë. Shihen qartë se në nivel qendror ose lokal momentalisht nuk është duke u ndërmarrë ndonjë hap për të zbutur indeksin e ndotjes sadopak, si për shembull me ndryshim të sistemit të ngrohjes së institucioneve lokale, identifikimin e ndotësve më të mëdhenj, zgjidhjen e problemit të trafikut të shtuar, parkingjeve adekuate, pastrimin e rrugëve me larje, higjienën komunale, etj. Qeveria tani ka disa shkaqe më shumë pse duhet të fokusohet në ofrimin e zgjidhjeve alternative për qytetarët ngaqë përgjegjësia është kryekëput e tyre se si do të ndihmojnë daljen nga krizat e shumta që kanë kapluar vendin, ndër to edhe ndotja”, tha Narta Kasa Iseni nga “Nëna dhe Fëmija”.

Nga organizata “Eco Guerila” për Portalb.mk thanë se edhe pse mbyllja e fabrikës Jugohrom, burimi kryesor i ndotjes së ajrit në Tetovë e uli nivelin e ndotjes për 60%, përsëri duhet të eliminohen burimet tjera, lista e të cilave është e gjatë.

“Problemi kryesor mbetet mënyra tradicionale e ngrohjes e cila duhet të zëvendësohet me burime të ripërtritshme të energjisë. Ministria e ambientit vitet e fundit zbatoi një projekt me subvencionimin e invertorëve si zëvendësim për ngrohjen me dru, me qëllim që të ulet sadopak ndotja. Mirëpo në vende të varfra si Maqedonia ngrohja me energji elektrike është luks, posaçërisht tani kur paralajmërohet krizë globale energjetike. Me shtrenjtimin e energjisë elektrike qytetarët kthehen në metodat e vjetra të ngrohjes, që poashtu është faktor tjetër. Shtrenjtimi 120% i metanit për automjete po ashtu paraqet problem. Ajo që premtohet me vite nga qeveritë por nuk realizohet është rrjeti i gazifikimit. Nëse jo amvisëritë, por objektet publike si shkollat, spitalet e bizneset e mëdha po të fillonin ngrohjen me gazifikim do ishte një hap i madh për uljen e ndotjes. Tetova me 44,000 automjetet që ka i duhet një riorganizim rrënjësor i trafikut, vendparkimeve dhe rrugëve për ta zbutur sadopak. Zhbllokimi i bulevardeve nga veturat e parkuara do të mundësonte lëvizje të lirshme të autobusëve urban. Zgjidhje serioze kërkon edhe staza e biçikletave më të cilën do motivohen biçiklistët. Papastërtia e madhe e rrugëve nga pluhuri është kërkesë emergjente që pret të zgjidhet. Inspektorati i urbanizmit duhet të bëjë kontrolle që ndërtimet të bëhen në bazë rregullores së përcaktuar me ligj”, tha Ngadhnjim Mehmeti nga “Eco Guerila”.

Ajri i ndotur në Tetovë

Komuna e Tetovës: Jemi të interesuar të zgjidhim këtë problem

Gjatë debatit të Komunës së Tetovës për buxhetin e Komunës për vitin 2022, qytetarët shpalosën idetë dhe propozimet e tyre për sa i përket zgjidhjes së problemit me ndotjen e ajrit.

Kryesuesi i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi dhe kryetari i Komunës, Bilall Kasami për këto propozime thanë se do të mundohen t’i fusin në rebalancin e buxhetit që do të bëhet në periudhën në vijim.

“Këto kërkesa dhe projekte, ne do të mundohemi që t’i inkorporojmë sigurisht në bashkëpunim me ju (qytetarët) edhe në ditët që vijnë, në rebalancin e parë të cilin e përgatitim dhe që do të vijë shumë shpejtë. Sa i përket ambientit dhe ndotjes, ka qenë përcaktim i joni që të kemi matje të të gjitha llojeve të ndotësve. Ajo që për momentin paraqet problem serioz ka të bëjë me ndotjen e ajrit, po që jemi të interesuar që këtë çështje ta zgjidhim dhe do të bashkëpunojmë afër edhe me sektorin civil, shoqata të ndryshme edhe me faktor apo fonde vendore dhe të jashtme dhe brenda 2022 të nis implementimi apo instalimi i këtyre senzorëve. Uroj që të përmirësojmë buxhetin e komunës që ky si projekt të nis me financa të komunës”, tha Bilall Kasami.

Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. Në aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Nga Komuna për këtë të fundit thanë se në kohë sa më të shpejtë të jetë në funksion për qytetarët, por duke mos potencuar se kur.

Nuk janë ndërmarrë masa serioze nga autoritetet

Raportet mujore të Sistemit Shtetëror të Monitorimit Automatik të Cilësisë së Ajrit të Ambientit për Tetovën tregojnë se në vitin 2021 ka pasur 132 ditë ajër të ndotur. Sipas standardeve botërore të shëndetit, në një vit kalendarik nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë me ajër të ndotur.

Që ky problem është mjaft serioz dhe kërcënues për vendin tone e thotë edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut. Në raport theksohet publikisht se vendi duhet të rrisë sasinë e financave si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar për të reduktuar ndotjen e ajrit, e cila mbetet shqetësim serioz.

Nga Qeveria e RMV-së thonë se shpresojnë se fuqizimi i kapaciteteve dhe rregullimi më i detajuar i obligimeve do të ketë efekt kundër ndotjes së ajrit në një të ardhme të afërt. Në kuadër të kësaj, një nga ndryshimet kryesore të Ligjit për Ajrin ka të bëjë me detyrimet dhe koordinimin e saktë të organeve të pushtetit vendor dhe qendror, të cilat do të përcaktohen me plane të sakta dhe masa të detyrueshme.

Qeveria paralajmëroi dhe formimin e një fondi të gjelbër për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike në vlerë prej 36,3 milionë dollarë.

Ndryshe, rreth 1.8 milionë vdekje dhe gati dy milionë raste të astmës i janë atribuar ndotjes së ajrit në vitin 2019 në mbarë botën, sipas dy studimeve të publikuara në revistën The Lancet Planetary Health.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button