Petkov: Me vizitën më 18 janar tregojmë se fqinjësia e mirë është parim themelor në marrëdhëniet me Shkupin

Kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov konfirmoi se më 18 janar do të vizitojë Republikën e Maqedonisë së Veriut, në përgjigje të seancës për pyetje deputetësh në Kuvendin Popullor, transmeton Portalb.mk.

Petkov e njoftoi atë në përgjigje të pyetjes së ish-ministres së Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva.

Petkov tha se fqinjësia e mirë është parim shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai shtoi se qëndrimi i Bullgarisë për procesin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut është ruajtur pikërisht ashtu siç është rënë dakord në marrëveshjen e koalicionit mes palëve në koalicionin qeverisës. Pikëpamja është e njëjtë, tha ai, por qeveria në Sofje po e përmirëson atë me pesë komisione të ndryshme të veçanta për të përmirësuar këto marrëdhënie.

Petkov shprehu habi pse në vitin 2021 nuk ka pasur asnjë fluturim nga Sofja në Shkup, si dhe asnjë linjë hekurudhore. Ai pyeti gjithashtu se pse Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë një kalendar të përbashkët kulturor, si dhe pse nuk ka ndërveprim mes sektorëve të biznesit të dy vendeve fqinje.

Petkov siguroi se ka qëndrim absolutisht të qartë të përbashkët në koalicion, si dhe koordinim të plotë në Këshillin e Ministrave të Bullgarisë për këtë temë.

“Me bisedimet më 18 janar tregojmë se fqinjësia e mirë është parim themelor i marrëdhënieve tona me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shpresoj se qeveria jonë do të tregojë ndryshimin midis planeve të mira dhe rezultateve të arritura”, tha në përmbyllje kryeministri bullgar Kiril Petkov në Kuvendin popullor.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button