Rasti i Kumanovës, vetëm tetë të dënuar i plotësojnë kushtet për në Gjykatën e Strasburgut

Vetëm 8 nga gjithsej 33 të dënuar për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë plotësojnë kushtet juridike që lënda e tyre të shkojë në Gjykatën e Strasburgut. Avokati, Naser Raufi, thotë se për pjesën tjetër duhet pritur disa procedura juridike që më pas çështja të mund të çohet në Strasburg, shkruan TV21, transmeton Portalb.mk.

“Afati i vendosjes është me të vërtetë non-sens i Supremes për këtë mjet juridik të çrregullt është mes 2 deri 4 vjet. Ka kaluar më shumë se 1 vit që e kemi parashtruar dhe d.m.th. këto të dënuar që e kanë pasur të plotfuqishme me vetë Apelin, që nuk kanë pasur burg të përjetshëm tani po e presin këtë mjet juridik të çrregullt që të kenë parakushtin, të drejtën që të aplikojnë të Gjykata për të drejtat e njeriut në Strasburg”, tha avokati Naser Raufi.

Raufi planifikon që nga e hëna të takohet me të dënuarit e grupit të Kumanovës dhe të vendosin edhe për çështjen e transferimit të disa prej tyre në Kosovë. Edhe pse Raufi thekson se disa prej të dënuarve janë kundër transferimit në Kosovë.

“Unë si avokat i 8 shtetasve të Kosovës, deri tani dy prej tyre për të cilët edhe vlen transferimi, refuzojnë të transferohen me shpjegimin që me atë veprim ato faktikisht e pranojnë akuzën që ato janë terroristë dhe kanë kryer vepra terroriste”, u shpreh Raufi.

Ndërsa sipas tij, vendimi i Gjykatës Supreme që të mos ketë rigjykim për grupin e Kumanovës nuk është i arsyetuar.

“Nuk ka një fjali  që e arsyeton këtë aktgjykim që praktikisht refuzon ankesat e palës mbrojtëse dhe të dënuarve, që unë të mund të komentoj se cila është arsyeja se përse nuk ka rigjykim. Praktikisht vet Supremja nuk e shpjegon pse?  Provat që i propozuar pala mbrojtëse që janë më shumë se 200 nuk i ka pranuar dhe nuk ka asnjë arsyetim përse nuk janë pranuar ankesat”, shtoi avokati.

Më 2 janar Gjykata Supreme vendosi që të mos ketë gjykim të ri për lëndën “Lagja e Trimave” apo siç njihet edhe si Rasti i Kumanovës, duke i vlerësuar si të pabaza ankesat e të akuzuarve. Më 2 nëntor të vitit 2017 Gjykata Themelore e Shkupit i ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë. Për veprën terrorizëm janë dënuar gjithsej 33 persona, prej të cilëve 8 me burg të përjetshëm.

Procesi gjyqësor ka përfshirë gjithsej 29 persona, të cilët u ngarkuan me veprën “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit përpara gjykatës janë deklaruar se nuk ndjehen fajtorë. Rasti më vonë u bashkua me “Vetëtimën”, në të cilin ishte zhvilluar procedurë kundër 8 personave për ndihmë të grupit të armatosur, me çka grupi i të akuzuarve u rrit në gjithsej 37. Prej tyre, 33 u dënuan për veprat, ndërkaq 4 persona u liruan.

Gjykata Penale i dënoi 7 përfaqësues të grupit me burgim të përjetshëm, ndërkaq 13 të tjerë me nga 40 vjet burg. Me dënim prej 20 vjet burg janë dënuar 5 persona, 1 i akuzuar me 12, ndërkaq nga 2 u dënuan me nga 14, 13 dhe 12 vjet burg. Në total, të akuzuarit u dënuan me 746 vjet burg dhe 7 burgime të përjetshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button