Trajnim për zgjidhjen e konflikteve në UEJL

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë është bërë hapja e trajnimit për zgjidhjen e konflikteve dhe harmoninë sociale në Ballkanin Perëndimor . Trajnimi organizohet nga Instituti për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Kolumbisë në bashkëpunim me Institutin “Maks van der Shtul” të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

Rektori i UEJL-së Zamir Dika tha se, “në bashkëpunim me Universitetin e Kolumbisë, jemi angazhuar që  në të ardhmën në UEJLdhe në Ballkanin Perëndimor do të ketë një lëndë për zgjidhjen e konflikteve dhe harmoninë në shoqëri”. 

Nga ana tjetër, prorektori  Blerim Reka, tha se “ky trajnim për mësimdhënësit nga Ballkani Perëndimor i shërben bartjes së kurrikulës nga Universiteti i Kolumbisë, si një nga universitetet më të njohura në botë, në universitetet e këtij rajoni, i cili gjatë kohë është shquar me epitetin famëkeq ‘fuçi baruti’. Iniciativat e këtilla kanë synime të mëdha dhe largpamëse: transformimin e këtij rajoni me rëndësi të madhe gjeostrategjike nga gjenerator konfliktesh e luftërash në eksportues stabiliteti dhe paqeje. Projektet e këtilla do t’i shërbejnë qëllimit madhor – dhënies fund, njëherë e përgjithmonë, përplasjes gjigante të shek. XX – atë mes historisë me gjeografinë.

Prorektori Reka, fjalimin e tij e përmbylli me një fjali nga intervista dhënë revistës diplomatike polake New Eastern Europe: “Është detyrë e brezit tonë që stërnipave dhe stërmbesave tona t’ua rrëfejmë tregimin e suksesshëm mbi Ballkanin, të ndryshëm nga Ballkani i përgjakshëm, të cilin na e kanë rrëfyer stërgjyshërit tanë”.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe zëvendëskryeministri për implemetimin e marrëveshjes së Ohri,t Musa Xhaferi, i cili tha se “evenimentet e këtilla janë një mundësi e mirë për këmbim  të eksperiencave lidhur me çështjet që kanë ndodhur dhe me siguri do të ndihdin edhe në të ardhmen,  një impakt thelbësor në rrjedhat, si ato politike, poashtu edhe historike, në mbarë botën, por edhe në rajonin tonë, e kjo është çështja e zgjidhjes së konflikteve. Zgjidhja e konflikteve në mënyrë paqësore, pa marrë parasysh bazën e tyre, ka qenë dhe do të mbetet jo vetëm sfidë, por dhe një obligim dhe prioritet për të gjithë, e sidomos për bashkësinë ndërkombëtare dhe organizmat e saj.  Republika e Maqedonisë është një shembull eklatant se si mosmbyllja e çështjeve të hapura, siç është çështja e të drejtave të komuniteteve të ndryshme etnike, ose zvarritja e rregullimit të kësaj çështjeje, mund të sjellë deri te mosmarrëveshje më të thella, e madje edhe deri te konflikti i armatosur. Mosrespektimi i të drejtave të pjesës së popullit shqiptar në Maqedoni  ishte arsyeja kryesore e konfliktit të armatosur në këtë vend i cili përfundoi më një dokument paqësor, i cili në thelbin e tij e ka pikërisht zgjidhjen e konfliktit me anë të mjeteve paqësore”.

Trajnimi do të zgjasë deri më 28 mars, ku ekspertë nga Universiteti i Kolumbisë në Nju Jork, do t’i trajnojnë mësimdhënësit e universiteteve të Ballkanit Perëndimor (Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë), që në kuadër të planprogrameve për Programin “Zgjidhja e konflikteve dhe harmonia sociale”, të jenë të gatshëm ta ligjërojnë këtë lëndë në universitetet e tyre. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button