Mbi shtetin, sportin dhe vaksinat

Lajmi se tenistit Novak Gjokoviq i është revokuar viza dhe i është ndaluar hyrja në Australi bëri shumë bujë këto ditë. Rrjetet sociale shpërthyen në emocione të fuqishme ku nuk mungoi as gjuha e zakonshme e urrejtjes ballkanike. Edhe kryeministri i Serbisë u shpreh që Australia po i bëjka “shqetësim” sportistit me famë botërore. Akuza të njëpasnjëshme për organet kompetente australiane që në fakt vetëm e bënin punën e tyre dhe i zbatonin rregullat që i kanë sjellë vet në kohën e pandemisë që ende nuk tregon shenja se do të mbarojë së shpejti.

Së pari, është për tu përshëndetur veprimi i autoriteteve kufitare të Australisë të cilën i kanë zbatuar rregullat dhe nuk kanë bërë përjashtim edhe për persona me famë botërore. Është këndshëm të shihet që diku në botë ligji megjithatë funksionon. Gjokoviq mund të jetë tenisist kampionatesh por përpara kufitarit është vetëm një person që nuk e ka pasur dokumentacionin e duhur për ta kaluar kufirin. Kjo është e gjitha dhe kështu duhet të jetë gjithmonë. Për më tepër, vetë shoqata sportive që është organizatore e kampionatit Australia Open ka dhënë pëlqim që Gjokoviq të jetë përjashtim dhe të mos detyrohet të vaksinohet për të hyrë në Australi. E megjithatë, organet kufitare federale nuk kanë dhënë leje që ai të hyjë, sepse në fakt, janë ata që vendosin se kush hyn e kush jo në shtet dhe jo organizatorët e turnirëve sportive. Ky është shembull shkollor i ndarjes së pushtetit dhe funksionimit të mëvetësishëm të organeve shtetërore. Në kulmin e pandemisë botërore Covid-19, tani kur versioni Omicron po bën kërdinë dhe kur Australianët e zakonshëm duhet të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, pse duhet që dikush ta ketë luksin për të udhëtuar e për të shëtitur i pavaksinuar në një shtet ku mbi 90% e popullatës është vaksinuar me dy doza vaksine?!

Së dyti, edhe sportist edhe antivakser, sikur nuk shkon. Pikërisht sportistët si figura publike duhet ta shfrytëzojnë famën e tyre për të ngritur vetëdijen lidhur me çështjet e rëndësishme shëndetësore, veçanërisht në kohën kur e gjithë bota përballet me pandeminë më të rrezikshme që njerëzimi e ka përjetuar kohëve të fundit. E megjithatë, Gjokoviq nuk luajti asnjë rol publik për të ngritur vetëdijen ndaj rëndësisë së vaksinimit dhe besimit në të vërtetat shkencore por vendosi të luajë rol në edukimin e popullatës mbi teoritë komspiracioniste, të bazuara në faqe të lira dhe të pakontrolluara në Google dhe YouTube dhe të bëhet hero i antivakserëve të fiksuar. Gjokoviq mund të ketë një karrierë të lavdishme si sportist, por si person publik me përgjegjësi të caktuara ka dështuar plotësisht.

Së treti, ku qëndrojmë ne si shtet në krahasim me Australinë sa i përket obligimeve tona qytetare dhe sundimit të së drejtës? Qëndrojmë si mos më keq. Obligimin qytetar për të mbrojtur veten tonë, familjet tona, fëmijët tanë dhe të tjerët nuk e kryejmë sepse megjithatë, ato teoritë e konspiracionit ende janë shumë më të besueshme se të vërtetat shkencore. Edhe pas dy vitesh të tëra dhe pas gjithë atyre viktimave, ne fuqishëm besojmë se ky është një konspiracion i madh botëror që ne me trurin tone të vogël sa një bizele kemi arritur ta kuptojmë. Ua, sa të mençur kishim qenë! Po shteti? Edhe shteti si vetë qytetarët e tij. Njerëz të pavaksinuar hynë e dalin pa u kujtuar në një rrëmujë të madhe e të përditshme, në ditët kur numrat e të infektuarve kanë marrë sërish përpjetën e rrezikshme.

Në raste si këto nuk mbetet tjetër për tu thënë përveç fjalëve: Na ndihmo o Zot, se nuk dimë se ç’bëjmë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button