Një vit pas sulmit mbi simbolin e demokracisë amerikane

Një vit pas trazirave të 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, në vazhdim do t’i hedhim një vështrim orë pas ore mbi momentet kyçe të sulmit më të rëndë mbi demokracinë amerikane gjatë shekullit të fundit, raporton VOA.

Pamjet nga televizionet, filmime me telefona celularë ose nga kamerat e oficerëve të policisë, janë dëshmi e asaj që ndodhi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara më 6 janar të vitit 2021, sulmin më të rëndë mbi demokracinë amerikane në shekullin e fundit.

Trazirave u parapriu një marshim i ashtuquajtur “Shpëto Amerikën” në afërsi të Shtëpisë së Bardhë. Para se ish Presidenti Donald Trump të shfaqej para masës, në tubim shihet një flamur ku shkruhej “Kur tirania bëhet ligj, rebelimi bëhet detyrë“.

“Unë i besoj Donald Trumpit. Besoj se zgjedhjet janë vjedhur nga Joe Biden dhe miqtë e tij demokratë”, thotë një mbështetës i zotit Trump.

Në mesditë në foltore del zoti Trump, me një fjalim 70 minutësh që elektrizoin masën.

“Do të luftojmë me gjithë forcën. Nëse nuk e bëni këtë, do ta humbisni vendin tuaj”, u tha zoti Trump mbështetësve të tij.

“Të gjithë ne këtu sot, nuk duam të shohim fitoren tonë në zgjedhje të vidhet nga demokratët radikalë të majtë. Ata po e bëjnë këtë së bashku me agjencitë e rreme të lajmeve. Ne nuk do të dorëzohemi”, shtoi Ish Presidenti.

Ky fjalim u pasua me akte të papara dhune politike, duke bërë që të shtyhet për disa orë çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Turma marshoi drejt Kapitolit duke u përleshur me policët, që ishin të pakët në numër.

Pak pas mesditës, protestuesit çajnë rrethin e policisë që po mbronte hyrjen perëndimore të Kapitolit.

Pas rreth dy orë përleshjeje, protestuesit e dhunshëm arrijnë të futen në Kapitol, afër hyrjes së Senatit. Mes turmës kishte anëtarë të organizatës “Oath Keepers”, “Proud Boys” dhe grupe tjera ekstremiste. Shumë nga protestuesit e dhunshëm kishin shërbyer në ushtri, ose forcat e rendit. Disa ende ishin police aktivë.

Ligjvënësit ishin ende në seancë për çertifikimin e fitores së presidentit Biden. Salla evakuohet nga forcat e rendit ndërsa trazirat vazhdonin.

15 minuta më vonë, dëgjohet një e shtënë me armë zjarri. Një polic qëllon për vdekje mbështetësen e ish Presidentit Trump, Ashli Babitt, ndërsa ajo po përpiqej të ngjitej në një dritare të thyer, për të hyrë në një sallë pritjeje të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve.

Në këtë moment, Presidenti Trump shkruan në Twitter, por në vend që të qetësojë mbështetësit e tij, ai kritikon Nënpresidentin Mike Pence.

“Mike Pence nuk pati guximin të bënte atë që duhej bërë për të mbrojtur vendin dhe Kushtetutën tonë….. ShBA kërkon të vërtetën”, shkroi zoti Trump.

Situata ndryshon pas orës 15:00 kur më shumë pjesëtarë të Policisë Metropolitiane dhe agjenci tjera të sigurisë të pajisur me mjete për të reaguar në trazira, mbërrijnë në vend të ngjarjes. Oficerëve iu deshtën 20 minuta që të pastrojnë qendrën e Kapitolit dhe të largojnë protestuesit në drejtim të hyrjes lindore.

Në ora 17 e 20 në Kapitol mbërrijnë pjesëtarët e Gardës Kombëtare.

Presidenti Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë, prej nga po përcillte raportimet e shtypit për dhunën. Në një video-mesazh ai u kërkoi mbështetësve të tij të shkojnë në shtëpi, por prapë mbrojti kauzën e tyre.

“E kuptoj dhimbjen tuaj; E di se jeni lënduar. Na u vodhën zgjedhjet, por është koha të shkoni në shtëpi. Duhet të kemi paqe. Duhet të kemi ligj dhe rregull. Prandaj, shkoni në shtëpi. Ne ju duam; jeni të veçantë”, tha zoti Trump.

Organet e sigurisë morën kontrollin e Kapitolit diku rreth orës 20:00.

Çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve u bë rreth orës tre të mëngjesit të 7 janarit.

Pesë persona humbën jetën gjatë dhe pas trazirave ndërsa qindra ishin lënduar.

Pamjet 6 janarit ndihmuan autoritetet që të hedhin poshtë pretendimet se anarkistë të krahut të majtë organizuan trazirat.

Protestuesit e dhunshëm ishin aty në mbështetje të zotit Trump, gjë që e kishin deklaruar edhe shumë protestues në gjykatë.

Ish Presidenti Trump kishte hedhur dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve të vitit 2020, shumë kohë para trazirave, por ato u çertifikuan si të vlefshme dhe ligjore nga organet e rendit dhe zyrtarët që ai emëroi. Ishin pretendimet e rreme të tij për manipulim të zgjedhjeve që motivuan mbështetësit e tij në akte të dhunshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button