fbpx

Escobar: SHBA-ja nuk do hezitojë të përdorë sanksione për aktorët korruptues dhe destabilizues në Ballkanin Perëndimor

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se SHBA-ja nuk do të hezitojë të përdorë sanksionet për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues në rajon, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk.

Ai vlerësoi se politika identitare, e cila ndan dhe që ka penguar përparimin e rajonit në të kaluarën, nuk ka bërë asgjë për interesat e njerëzve nga Ballkani Perëndimor.

“Në mënyrë që Mali i Zi të bëjë përparim konkret në rrugën e tij euro-atlantike, liderët politikë, shoqëria civile dhe të gjithë ata që besojnë në të ardhmen evropiane të vendit duhet të punojnë së bashku për të krijuar një shoqëri civile,” tha Escobar.

Ai shpjegoi se në një shoqëri të tillë, feja, kombësia dhe përkatësia etnike nuk do të përcaktojnë nëse dikush ndihet i sigurt dhe anëtar i barabartë i komunitetit.

I pyetur se si e sheh ai Memorandumin e nënshkruar nga Lëvizja Qytetare URA, Civis, Partia Popullore Socialiste dhe partitë e pakicave, Escobar tha se SHBA nuk ka qëndrim zyrtar për marrëveshjen politike.

“Megjithatë, ne mbështesim ata që janë për një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe demokratik, i cili është i pozicionuar në institucionet euroatlantike”, tha Escobar.

I pyetur nëse të gjithë aktorët politikë në Mal të Zi ndajnë këto vlera, Escobar tha “jo”.

“Në Mal të Zi, si në vendet e tjera të rajonit, ne jemi edhe një herë dëshmitarë të dëmit të shkaktuar nga aktorët që manipulojnë në mënyrë cinike çështjet e identitetit për qëllimet e tyre”, përfundoi Escobar, duke shtuar se SHBA-ja është e gatshme të mbështesë Malin e Zi në arritjen e potencialit të tij të plotë.

Lista e zezë

Në qershor 2021 Presidenti i SHBA-së Joe Biden nënshkroi urdhrin ekzekutiv për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të njerëzve që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes Urdhrit Ekzekutiv ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Urdhri është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mirëpo tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Sanksionet për personat që janë në “listën e zezë” nënkuptojnë ndalim të hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amemrikës dhe ngrirje të pasurisë të atyre individëve ose organizatave në bankat amerikane. Qytetarët dhe kompanitë nga SHBA-ja e kanë të ndaluar të kenë kontakte biznesi me persona apo organizata nga “lista e zezë”.

NdërkohëMarrëveshja e Prespës, por edhe ajo e Ohrit, kanë pasur kundërshtarë të zëshëm qysh përpara nënshkrimit të tyre. Ajo e para u bë shkak për protesta në Maqedoni, por edhe në Greqi. Kundërshtarët më të fortë të kësaj marrëveshje ishin partitë maqedonase, atëherë dhe aktualisht në opozitë VMRO-ja dhe E majta (Levica). Por, jo më pak të zëshëm ishin edhe akademikët maqedonas të AShAM-it. Madje së fundmi kreu i saj Lupço Kocarev, në shënimin e 53 vjetorit të themelimit të këtij institucioni, në tetor të vitit të kaluar tha se është e domosdoshme që Akademia të organizojë sërish debat shkencor për Marrëveshjen e Prespës. Këto dhe të tjerë personazhe, mund të jenë pjesë e listës së zezë që është urdhër ekzekutiv i presidentit amerikan Joe Biden për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në ShBA.

Lista e zezë përbën një mekanizëm të mirë në vendet me korrupsion të lartë. Ky lloj sanksionimi, ndihmon edhe në pastrimin e elitës politike nga dekriminalizimi, çka ndihmon shumë gjithashtu në vetë procesin e reformave në vend, si dhe për rrugën eurointegruese të vendit.

Përndryshe, më 8 dhjetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës. Grupi udhëhiqet nga afaristi serb, Zvonko Veselinoviç, të cilin departamenti i Thesarit e cilësoi si shef të grupit të krimit të organizuar dhe një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button