Kryeministra të ri, shpresë e re për zhbllokim: Kovaçevski do të nis mandatin në “Ilindenska” me takim me Petkovin

Seanca parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re, sipas paralajmërimeve, mund të mbahet fundjavën e ardhshme, në mënyrë që kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë do të takohej me homologun e tij bullgar që në ditën e dytë të punës në “Ilindenska”, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri i pritur i ardhshëm, Dimitar Kovaçevski, ka të ngjarë të fillojë mandatin në “Ilindenska” me takim me kryeministrin e ri të Bullgarisë, Kiril Petkov, i cili u zgjodh muajin e kaluar.

Qarqet politike po i ngrohin shpresat se kryeministrat e rinj do t’u japin shtysë të re dhe tjetër drejtim negociatave mes dy vendeve, gjë që mund të rezultojë me ngritje të “rampës bullgare” për fillimin e negociatave mes Maqedonisë dhe BE-së, ndërsa kryesuesja e re (Franca) po e paralajmëron integrimin e Ballkanit Perëndimor si një nga prioritetet.

Fundjavën e ardhshme, më 15 dhe 16 janar, është planifikuar të mbahet seanca parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re, të udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski. Sipas informacioneve që i ka “360 Shkallë”, dinamika e planifikuar parasheh që kryeministri i ardhshëm dhe ministrat e ri të marrin funksionet nga paraardhësit e tyre të hënën më 17 janar, ndërsa të nesërmen pritet që në Shkup të arrijë kryeministri i ri bullgar Kiril Petkov, i cili paralajmëroi se do të vjen më 18 janar.

Seanca parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë, siç ishte paralajmëruar, mund të shtyhet për disa ditë pune të javës së ardhshme, varësisht se kur do të mbërrijë në Kuvend programi i Kovaçevskit dhe propozimet për ministra të ri.

Menjëherë pas festave të Vitit të Ri, më 2 janar, këshilltarja e Petkovit për politikë të jashtme Vesela Çerneva ishte në Shkup, siç u raportua, për të përgatitur vizitën e ardhshme të kryeministrit bullgar gjatë këtij muaji, e pas zgjedhjes së Qeverisë së re në vend.

Petkov, i cili u zgjodh kryeministër i Bullgarisë kah mesi i muajit të kaluar, vazhdimisht e ka paralajmëruar rifillimin e dialogut me Shkupin dhe fokusimin e bisedimeve në tema të tjera të rëndësishme për të dy vendet, si ekonomia dhe infrastruktura, në vend se të fokusohet në histori.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, këto ditë tha se priten bisedime konstruktive me Qeverinë e re në Bullgari, rikthim i besimit, bisedime për çështje thelbësore dhe zhbllokim i shpejtë i procesit. I pyetur nëse është planifikuar takim me kryeministrin bullgar, Osmani tha se komunikimi do të intensifikohet në ditët dhe javët e para të këtij viti. Megjithatë, theksoi ai, së pari duhet të votohet qeveria e re në Kuvend, që më pas të mund të mbahen takime formale mes kryeministrit të ardhshëm dhe përfaqësuesve të Qeverisë.

Osmani gjithashtu tha se në gjysmën e dytë të janarit, pas formimit të Qeverisë në Maqedoninë e Veriut, do të vendoset komunikimi me Francën, si kryesuese aktuale e Bashkimit Evropian, e në drejtim të mundësive që do t’i kishte vendi gjatë presidencës franceze për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian.

Nënkryetarja e LSDM-së Sanja Lukarevska dje njoftoi se bisedimet për formimin e qeverisë së re janë në fazën përfundimtare dhe se pritet që të hënën Kovaçevski, para Bordit Qendror të partisë, t’i prezantojë ministrat e ardhshëm dhe programin e tij të punës. Pastaj, siç tha ajo, do të vazhdojë procedura përkatëse në Kuvend.

Pritet që qeveria e re, në të cilën përveç koalicionit LSDM-së dhe BDI-së, do të merr pjesë edhe Alternativa, të zgjidhet me mbështetjen e 64 deputetëve, sa numëron shumica e “modifikuar” parlamentare.

Edhe qeveria në largim u zgjodh gjatë fundjavës, përkatësisht kabineti i dytë i Zoran Zaevit, u zgjodh në seancën e cila filloi më 29 gusht dhe përfundoi në mesnatën e 30 gushtit 2020. Qeveria e mëparshme u zgjodh me mbështetjen e 62 deputetëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button