Tetovë, “Shkumbini” me vite pret zgjidhje, Kasami: Jemi në kontakt me kompani që kanë projekte

Shtrat i ngushtuar, mbeturina të shumta dhe moskujdesi i autoriteteve ndaj tij janë vetëm tre nga problemet që me vite hasim në lumin ‘Shkumbin’ në pjesën e lagjes “Dardania”në Tetovë. I katandisur në këtë mënyrë, shqetëson banorët e kësaj lagjeje dhe frikon ata në rast të përsëritjes së vërshimeve të vitit 2015. Problemi u diskutua edhe në debatin publik për buxhetin e Komunës për vitin 2022, ndërsa kryetari i Komunës tha se janë në kontakt me kompani të cilat kanë projekte me të cilat mund të zgjidhin këtë problematikë. Sot ai vizitoi këtë lagje, shkruan Portalb.mk.

Në të kaluarën, masat e Komunës së Tetovës ndaj shtratit të lumit kanë qenë vetëm sipërfaqësore, duke e pastruar lumin në mes e duke i lënë mbetjet anash lumit, kjo nuk e ka zgjidhur problemin.

This slideshow requires JavaScript.

Banorët e Lagjes Dardania, e potencuan këtë problem gjatë debatit për buxhetin e Komunës për vitin 2022, dhe kërkuan zgjidhje për rregullimin e shtratit të lumit.

“Me realizimin e projektit për shtratin e lumit “Shkumbin” do të bëhen shumë punë të mira, do të ndërpritet uzurpimi, hedhja e mbeturinave pa kontroll në të gjitha anët e lumit dhe mbi të gjitha do të parandalohen edhe vërshimet e mundshme siç ishin vërshimet e fundit në Tetovë”, tha Jusuf Mustafai, banor i lagjes “Dardania”.

Kryetari i Komunës tha se edhe përkundër faktit se kanë pasur projekte të përgatitura, të përpiluara nga kompani projektuese, ato projekte nuk janë paguar nga komuna dhe nuk kanë qenë në dispozicion të komunës që përmes sektorit për zhvillim ekonomik lokal të aplikojnë për fonde të jashtme.

“Më konkret është rasti i shtratit të lumit “Shkumbin”, në pjesën nga rruga “Industriale” deri tek autostrada apo unaza që kalon pranë Tetovës, rruga Shkup-Gostivar. Jemi në kontakt me kompani të tilla që kanë projekte të mund të merremi vesh që ato ti kemi në dispozicion si komunë dhe përmes sektorit për zhvillim ekonomik lokal të aplikojmë në fonde edhe të brendshme edhe të jashtme që ato projekte të realizohen, por do mundohemi edhe nga buxheti i komunës të sigurojmë mjete”, tha Bilall Kasami.

Ai sot vizitoi këtë lagje dhe siç njofton në rrjetin e tij në Facebook, u njoftua nga afër me problemet që kjo lagje ka.

“Bashkarisht me drejtorin e NPK diskutuam edhe për mënyrat e realizimit të planit për zgjidhjet si ato afatshkurte poashtu edhe për ato afatgjate. Së shpejti do të fillojmë me detektimin dhe realizimin problemit të gypave të ujit, kanalizimit si dhe pastrimin e tërësishëm të mbeturinave”, shkroi Kasami në Facebook.
Ndryshe, Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. Në aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Nga Komuna për këtë të fundit thanë se në kohë sa më të shpejtë të jetë në funksion për qytetarët, por duke mos potencuar se kur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button