RMV, ushqim i subvencionuar dhe rritje e bursave për studentët, staf akademik i pakënaqur i fakulteteve – Arsimi i lartë në vitin 2021

Vitin e kaluar, të cilin sërish e shënoi kriza me kovid, u miratuan disa masa të reja për mbështetje financiare dhe ndihmë studentëve. Pagesa e mjeteve financiare ka hasur në disa probleme, sikurse digjitalizimi i procesit të aplikimit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Studentët në vitin 2021 fituan bursa më të larta dhe subvencione për ushqim të shëndetshëm, ndërsa kërkuan disa masa të reja dhe mbështetje nga një sërë institucionesh. Personeli akademik, nga ana tjetër, vazhdon të përballet me kushte dhe mbingarkesë joadekuate për shkak të stafit të pamjaftueshëm.

“Meta.mk” përkujton temat dhe ngjarjet më të rëndësishme që e shënuan vitin e kaluar 2021 për studentët.

Në fillim të vitit, krahas ngjarjeve me grupin “Dhoma Publike” në Telegram, u hap tema për ngacmimin seksual në universitete. Avokatja e studentëve të UKIM-së, Tea Micevska, për “Meta.mk”, tha se ka shqetësime tek studentët për këtë çështje, por që nuk ka guxim dhe dëshmi të mjaftueshme për të raportuar që të mund të veprohet.

Ndërkohë, universiteti i parë në vend, UKIM, ra për 27 vende në listën e 2000 universiteteve më të mira në botë, raport i cili publikohet çdo vit nga Qendra Botërore për Renditje të Universiteteve (CWUR). Edhe këtë vit, UKIM është i vetmi universitet nga Maqedonia në këtë listë, me gjithsej 65,9 pikë nga 100 të mundshme, që e renditin atë në vendin e 1944-të.

Kovid-kushtet e sprovuan gatishmërinë e sistemit arsimor dhe të të gjithë aktorëve të përfshirë në të për emergjenca dhe situata që nuk janë paraparë. Mësimi dhe testimi i njohurive e anë të kolokiumeve dhe provimeve në rrethanat e reja të studimit nxori në pah problemet me të cilat përballeshin studentët dhe mësimdhënësit e tyre edhe para shfaqjes së Kovid-19. Çdo universitet iu përgjigj ndryshe krizës, por përshtypja e përgjithshme në fund të vitit akademik 2020/2021 ishte se fakultetet i kapërcyen me sukses rrethanat e palakmueshme në të cilat u gjend arsimi i lartë.

Kthimi i të drejtës për studentët e familjeve me një prind për të paguar gjysmën e tarifës për shkollim

Studentët prej familjeve me një prind reaguan se ishin lënë jashtë segmentit të rrethanave të veçanta gjatë regjistrimit në disa fakultete dhe në disa universitete, duke ua marrë mundësinë të paguajnë tarifa më të ulëta. Këtë e ka konstatuar organizata “Të rinjtë e Njërës munden”, ndërsa pas reagimeve të tyre, si dhe raportimit nga “Meta.mk”, nga Parlamenti Studentor Universitar i UKIM (PSU i UKIM) njoftuan se studentët e kësaj kategorie sërish do t’i kenë përfitimet për ulje të participimit.

Megjithatë, UKIM aktualisht është i vetmi universitet shtetëror që e ka rikthyer të drejtën e studentëve nga kjo kategori. Më parë, nga Universiteti “Sh. Klimenti i Ohrit“ në Manastir, për “Meta.mk” thanë se nuk mund të gjejnë bazë ligjore për uljen e tarifës lidhur me shkollimin e studentëve me një prind. Nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip nuk ka pasur njoftim për ndryshime.

Ushqimi i studentëve u shërbye me gabime dhe paralajmërime para padisë

Padyshim masa më mbresëlënëse shtetërore që kishte të bëjë me studentët këtë vit ishte Ushqimi i subvencionuar i studentëve, me të cilin ata marrin rreth 2400 denarë në muaj, mjete financiare të destinuara për ushqim të shëndetshëm. Ndryshimet e këtij ligji u miratuan me procedurë të shkurtuar në korrik dhe në bazë të tyre të drejtën e ushqimit të subvencionuar studentët do ta gëzojnë në periudhën nga 15 shtatori deri më 30 qershor të vitit në të cilin e kanë fituar këtë të drejtë, por që nuk do të mund ta shfrytëzojnë gjatë festave publike, fetare dhe ditët kur nuk punohet.

Në vend se ligji të realizohet në formën e tij origjinale, gjegjësisht çdo student të merr 120 denarë në ditë për ushqim, siç ishte paraqitur fillimisht, në vitin aktual akademik 2021/22 shuma totale mujore paguhet në fillim të çdo muaji, pa kufizim në mënyrën e shpenzimit. Këto ndryshime do të vlejnë vetëm këtë vit akademik, e pas kësaj ligji do të vazhdojë të zbatohet në formën e tij origjinale, përkatësisht nga viti i ardhshëm studentët do të marrin 120 denarë në ditë dhe do të mund t’i përdorin ekskluzivisht për ushqime të shëndetshme.

Procedura e aplikimit për ushqimin e popullarizuar të subvencionuar për studentët u digjitalizua, por digjitalizimi i shërbimeve të studentëve rezultoi vetëm pjesërisht i suksesshëm, me probleme të herëpashershme dhe gabime sistemore.

Ushqimi i studentëve iu shërbye studentëve me gabime, ashtu që, gjatë muajit të dytë pasi filloi aplikimi i masës, qindra studentë pa arsye të bazuara pranuan njoftime se shtesa për ushqim ishte anuluar. Ministria e Arsimit dhe Shkencës e pranoi gabimin, ndërsa arsye për këtë shqetësim e theksoi aplikimin e më tepër studentëve nga e njëjta llogari e përdoruesit.

Disa studentë pranuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës paralajmërime para ngritjes së padisë, për shkak se Ministria gabimisht u kishte paguar fonde për ushqim, pavarësisht se masa nuk u ka takuar.

Studentët, të cilët i kishin pranuar paralajmërimet kanë reaguar për mënyrën se si MASH, pa i njoftuar dhe informuar për gabimin e saj, i ka kërcënuar menjëherë me padi. Disa nga studentët e prekur thanë se rastin e kishin denoncuar edhe në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit.

Rritje e bursave, por jo për të gjithë studentët

Nga ky vit, studentët fituan edhe bursa më të larta. Bursat sociale pothuajse janë dyfishuar dhe tani, së bashku me ato të grupit të dytë dhe të tretë, arrijnë 6.050 denarë në muaj. Studentët e shkencave natyrore – degët kimi, fizikë dhe matematikë, nga ana tjetër, prej tetorit marrin bursa në vlerë prej 18.000 denarë, sepse Ministria e Arsimit dhe Shkencës konsideron që këto kuadro janë deficitare.

Pas dhjetë vitesh, përsëri jepen bursa edhe për studentët e regjistruar në studimet e magjistraturës dhe doktoraturës të fakulteteve në vend.

Megjithatë, me shpalljen e konkursit u bë e qartë se rritja e bursave nuk do të vlejë për të gjithë studentët, përkatësisht bursa më të mëdha do të marrin vetëm studentët të cilët do të aplikojnë për herë të parë. Studentët, të cilët të drejtën për bursë e kanë realizuar në vitet e mëparshme kanë vazhduar të marrin shumat e vjetra, më të ulëta.

Studentët e shprehën pakënaqësinë e tyre nëpërmjet një peticioni onlajn “Rritje e bursave për të gjithë studentët – të gjithë meritojmë trajtim të barabartë” që mblodhi mbi 8.000 nënshkrime. Në peticion nënshkruesit akuzuan për diskriminim dhe ndarje të studentëve, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dhe kërkuan të gjendet zgjidhje e përshtatshme e cila nuk do të dëmtojë asnjë student.

Ministria kurrë nuk iu përgjigj kërkesave të dërguara nëpërmjet peticionit, por për “Meta.mk” konfirmoi se përfituesit e bursave do të vazhdojnë t’i marrin shumat në përputhje me marrëveshjet që i kanë nënshkruar.

Këtë vit kemi shkruar edhe për peticionin onlajn të Famililogëve të diplomuar, të cilët kërkuan të përfshihen në Ligjin për Mbrojtje Sociale, sepse në punësim nuk figurojnë si kategori në përshkrimet e vendeve të punës në institucionet shtetërore, siç është rasti me kolegët e tyre – psikologë, pedagogë dhe defektologë.

Semestri dimëror në vitin aktual akademik 2021/22 filloi me model të kombinuar të mësimit onlajn dhe atij me prani fizike, ndërsa nga shtatori konviktet punojnë sërish me kapacitet të plotë, pasi vitin e kaluar numri i studentëve të akomoduar ishte përgjysmuar.

 

Përafrimi i punës së parlamenteve studentore me studentët

Kur bëhet fjalë për përfaqësuesit formalë të studentëve, përkundër faktit se parlamentet studentore të universiteteve dhe fakulteteve ekzistojnë prej dy vitesh, shumica e studentëve nuk e dinë udhëheqësit e tyre studentorë dhe nuk janë të njohur me punën e parlamenteve, tregoi sondazhi të cilin “Meta.mk” e realizoi në bashkëpunim me “Studentaria” në Instagram.

Në pyetjen se si do ta vlerësonin punën e PSF dhe PSU në fakultetin amë, gjegjësisht universitetin amë, shumica e studentëve kanë thanë se nuk kishin përgjigje, ndërsa rezultati i atyre që vlerësuan punën e parlamenteve tregon notë mesatare prej 2,7 për punën e parlamenteve studentore të fakulteteve, ndërsa vlerësimi i punës së parlamenteve në nivel universitar ishte edhe më i ulët – 2,5.

Shumica e studentëve (pothuajse 70%) nuk kanë votuar asnjëherë në zgjedhjet studentore deri tani, e situata nuk ka qenë ndryshe as vitin e kaluar 2021, kështu që në zgjedhjet të cilat u mbajtën në nëntor, në Fakultetin Ekonomik në UKIM, kanë votuar vetëm 42 nga 2486 studentë. që është më pak se 2 për qind e numrit të përgjithshëm të studentëve në Fakultetin Ekonomik.

Rezultate të ngjashme ka treguar më parë edhe hulumtimi i Forumit Rinor Arsimor (FRA), sipas të cilit pothuajse gjysma e studentëve janë të pakënaqur me punën e Parlamentit Studentor Universitar në UKIM dhe besojnë se përfaqësuesit e tyre studentorë nuk bëjnë punë cilësore dhe transparente.

Liderët e studentëve e theksuan nevojën për përafrimin dhe promovimin e punës dhe aktiviteteve të këtyre organeve te studentët.

Parlamentet universitare iu rrekën punës, të paktën ato të UKIM. PSU i UKIM në fund të vitit 2021 shpalli thirrje për angazhimin e studentëve, të cilët do të jenë pjesë e Shërbimit të ri studentor që do të synojë zgjidhjen e dilemave dhe përgjigjen e pyetjeve që studentët i kanë gjatë studimit. Studentët për punën e tyre do të marrin pagesë mujore prej rreth 3000 denarë.

Kryetarja e PSU në UKIM, Eva Cvetkovska, ka njoftuar për “Meta.mk” se në vitin e ri do të lansohet ueb-faqja e re e këtij organi studentor.

Staf i pakënaqur akademik

Sindikata e Pavarur Akademike (SPAk) këtë vit i shpalli rezultatet e hulumtimit të saj në kuadër të projektit “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë”. Hulumtimet kanë treguar që studentët mendojnë se duhet të bëhet përmirësim i konsiderueshëm i përfaqësimit të mësimdhënies praktike në studime dhe në kurrikula.

Sipas hulumtimit tjetër, pakënaqësi ka edhe në mesin e stafit akademik, ndërsa kjo kryesisht ka të bëjë me kushtet joadekuate për punë, mungesën e punësimit të kuadrove të reja mësimore-shkencore dhe ndërprerjen e vendeve të punës pas pensionimit të ndonjë profesori. SPAk ka reaguar edhe për atë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë një kohë të gjatë ndan buxhete të mëdha për bursa për studentët jashtë vendit, ndërsa për arsimin vendas nuk jep fare bursa. Ata apeluan të fillojë dhënia e bursave për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve për studentët e talentuar në të gjitha fushat.

Fakulteti Elektroteknik dhe i Teknologjive të Informacionit (FETI) e filloi procesin e akreditimit ndërkombëtar të programeve të saj të studimit.

Kërkesat e Vitin e Ri nga institucionet

Studentët ende janë në pritje të kthimit të biletave falas të trenit studentor, të cilat u hoqën në vitin 2020. Kryetarja e PSU në UKIM, Eva Cvetkovska, tha se studentët janë në gjendje të palakmueshme financiare, andaj ata sugjerojnë kthimin e biletave falas të trenit, ashtu që katër të enjtet falas gjatë një muaji të ndahen në 2 fundjava shtesë që nuk kanë qenë falas deri më tani, pra studentët të marrin të drejtën e transportit falas me tren çdo fundjavë të muajit. Për liderët studentorë është e paarsyeshme dhe absurde që në vendin tonë të hapen diskotekat, ndërkohë që studentët nuk mund të ushtrojnë të drejtën e transportit falas me tren, me pretekstin e koronavirusit.

Më tepër institucione, duke filluar nga Qeveria, Qyteti i Shkupit, Konvikti Shtetëror Studentor “Shkup”, si dhe Ministritë e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe ajo e Shëndetësisë, një ditë para fundit të vitit 2021 në adresat e tyre kanë pranuar një sërë kërkesash nga PSU UKIM.

Studentët, ndër të tjera, kërkojnë nga Qyteti i Shkupit të mundësojë zgjerimin e orarit të punës së bibliotekës “Vëllezërit Miladinovci” në mënyrë që studentët të mund të mësojnë gjatë sesionit të provimeve në janar.

Ata kërkuan nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës edhe model të ri të financimit të arsimit të lartë, sepse ai ekzistues “po dëshmohet si jofunksional dhe i paqëndrueshëm, kurse joefikasiteti i tij më së shumti reflekton në cilësinë e arsimit dhe standardin e studentëve”.

Për të ruajtur shëndetin mendor të studentëve, ata kërkojnë punësimin e psikologëve në konviktet studentore, diçka që do të duhet të kalojë “miratimet” nga Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Konvikti Shtetëror Studentor.

PSU UKIM kërkoi që bursat e zmadhuara nga viti i ardhshëm akademik të vlejnë për të gjithë studentët, si dhe bashkëpunim nga Ministria e Shëndetësisë në drejtim të mbajtjes së mësimit me prani fizike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button