RMV, certifikata elektronike e lindjes “nyjë gordiane” për institucionet arsimore, noterët dhe bankat

Institucionet arsimore, bankat dhe noterët janë të pasigurt dhe nuk janë të informuar sa duhet nëse duhet të pranojnë një certifikatë të lindjes të lëshuar në mënyrë elektronike, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Megjithëse marrja e një certifikate nga Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë (DULA) në mënyrë elektronike është e thjeshtë dhe në dokumentin e lëshuar thuhet se i përmban të gjitha të dhënat si dhe certifikata që merret në letër, dhe në të ka një kod ose një lidhje përmes së cilës mund të vërtetohet autenticiteti dhe gjithashtu shkruan se dokumenti është dokument publik me afat të pakufizuar të vlefshmërisë, ka institucione që nuk janë të sigurta se a duhet ta pranojnë ose jo.

Portalb.mk në serinë e storjeve hulumtuese, tregoi se është e kundërligjshme të kërkohet nga qytetarët e RVM-së që të paguajnë për çertifikata të reja të lindjes jo më të vjetra se gjashtë muaj, pas së cilës Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë (DULA) njoftoi se ka vendosur të mos kërkojë çertifikata të lindjes jo më të vjetër se gjashtë muaj.

Por, edhe përkundër këtij vendimi, certifikata elektronike në disa raste nuk pranohet nga bankat, disa noterë, ndërsa fakultetet, në mesin e të cilave kishte si shtetërore ashtu edhe private, të cilat i kontaktoi Meta.mk, nuk ishin të sigurt nëse mund t’i pranonin ose jo.

Të gjithë thanë se deri më tani nuk kanë pasur rast që dikush të dorëzojë certifikatë të nxjerrë në mënyrë elektronike dhe theksuan se pranojnë certifikata më të vjetra se gjashtë muaj. Por, ata janë të hutuar për këtë opsion të ri dhe thonë se janë tolerantë dhe nuk i kthejnë studentët kur u mungon ndonjë dokument, gjegjësisht u mundësojnë atyre që ta sjellin më vonë, por deri më tani, gjithmonë kanë kërkuar dokument origjinal me vulë.

Vetëm nga një fakultet privat morëm përgjigje se edhe pse deri më tani nuk kanë pasur një rast të tillë, i pranojnë certifikatat elektronike. Të tjerët, duke pasur dyshime për certifikatën elektronike, thanë se prisnin udhëzime dhe rekomandime nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Edhe ata nuk kishin ndonjë rekomandim konkret. “Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk ka marrë vendim me të cilin institucionet arsimore mund të pranojnë certifikatë të lëshuar në mënyrë elektronike”, është përgjigja që Meta.mk e mori nga Inspektorati.

Informacionin më të saktë, që e preu “nyjen gordiane” për çështjen e pranimit të certifikatave elektronike në institucionet arsimore, redaksia jonë e mori nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

“Zbatimi i dokumenteve elektronike rregullohet me Ligjin për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, sipas të cilit ato kanë të njëjtën vlefshmëri ligjore si edhe ato në letër dhe ato duhet të zbatohen, gjegjësisht të pranohen nga të gjithë, duke përfshirë edhe nga institucionet arsimore”, u përgjigjën nga MASH-i.

Nga atje shtuan se nga ky vit shkollor procedura për regjistrimin në klasën e parë në shkollën fillore është lehtësuar dukshëm dhe është në dispozicion në mënyrë elektronike, me ç’rast nuk kërkohet certifikata e lindjes për fëmijët që regjistrohen në shkollë, dhe kjo është e rregulluar me Ligjin për Arsimin Fillor, e po ashtu jemi duke punuar edhe për digjitalizimin e regjistrimit në shkollat e mesme.

Nyjet institucionale mbeten të ngatërruara te noterët dhe bankat

Ngjashëm si edhe te institucionet arsimore edhe noterët janë në dyshim për pranimin e certifikatave elektronike. Nga disa zyra noteriale që janë kontaktuar në mënyrë të rastësishme nga redaksia, katër kanë qenë decide se deklarata e lëshuar në mënyrë elektronike është dokument i vlefshëm, ndonëse ende janë të rralla rastet kur qytetarët sjellin një certifikatë të tillë. Por, kishte nga ata që nuk ishin të sigurt dhe pranonin vetëm certifikatë me vulë.

Bllagica Cvetkovska ka përjetuar shqetësime me një noter të tillë kur ka dashur të përdorë certifikatën elektronike për një procedurë trashëgimie.

“Procedura për marrjen e certifikatës elektronike ka qenë e lehtë, kam bërë kërkesë dhe e kam marrë pas dy ditësh. Doja ta përdorja në një procedurë trashëgimie. Për trashëgimi. Ia dhashë avokatit dhe ai u habit dhe nuk ishte i sigurt nëse mund të përdorej. Noterja që u morr me këtë rast nuk e pranoi, kështu që në mënyrë plotësuese kam kërkuar nga institucioni kompetent që i lëshon certifikatet të më përgjigjet nëse ky dokument është i vlefshëm dhe a mund të përdoret si dokument zyrtar. Mora një përgjigje në e-mail se mundet, por noterja sërish refuzoi ta pranojë. Ajo tha se nuk mund ta përdorë sepse nuk janë harmonizuar rregullat në Ligji për Noterinë për përdorimin e dokumenteve elektronike me vulë elektronike”, shpjegoi Cvetkovska për Meta.mk.

Situata më e ndërlikuar është te bankat. Nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë për Meta.mk thanë se nuk ka rregull të unifikuar për pranimin e dokumenteve personale, duke përfshirë edhe certifikatat e lindjes së klientëve. Ata sqaruan se këto rregulla janë individuale në banka.

Nga Shërbimi juridik i “Halk Bank” u përgjigjën se kërkojnë certifikata të lindjes jo më të vjetra se tre ditë për sa i përket bashkëshortit/es, kur sigurojnë hipotekën në rast se personi nuk është i martuar, në raste të tjera pranohen certifikatat e lindjes që janë më të vjetra, por nuk i pranojnë certifikatat elektronike. Ata pranojnë vetëm certifikata të lëshuara në sportel. Megjithatë, kjo bankë thekson se është detyrim i noterit që t’i kontrollojë dokumentet, gjegjësisht gjatë miratimit të kredisë certifikata u dorëzohet noterëve.

“Banka Komerciale” Sh.A. Shkup tha se gjatë proceseve të rregullta të punës, certifikatat e lindjes më së shpeshti përdoren gjatë hapjes së llogarisë ose depozitës për të mitur ose në procedurën e vendosjes së të drejtës së pengut mbi pronën e patundshme në favor të bankës.

“Sipas informacionit për mundësinë e lëshimit të certifikatave elektronike, Banka do ta shqyrtojë dhe do ta përcaktojë procedurën e pranimit të tyre pasi ta harmonizojë atë me funksionimin e përgjithshëm të Bankës dhe natyrisht me dispozitat pozitive ligjore, në mënyrë që klientët të mund t’i kryejnë në mënyrë efikase dhe të shpejtë aktivitetet e nevojshme gjatë përdorimit të produkteve dhe shërbimeve nga Banka Komerciale”, deklaruan nga “Banka Komerciale”, duke shtuar se ata i harmonizojnë produktet dhe shërbimet e tyre sipas nevojave të klientëve.

Meta.mk e kontaktoi edhe “Stopanska Banka”. Ata sikur e prisnin thirrjen tonë sepse më parë për çështjen e përdorimit të certifikatave elektronike i kishin kontaktuar edhe nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë. Por, ende presim përgjigje nga “Stopanska Banka”.

Digjitalizimi i shërbimeve, padyshim që është në dobi dhe interes të qytetarëve, shtetit, por gjithashtu edhe i domosdoshëm për atje ku synojmë të integrohemi, BE. Hulumtimet tona paraprake kanë dëshmuar dhe treguar se rezultatet nga raportet, analizat, apo anketat e institucioneve ndërkombëtare apo të brendshme, por edhe OJQ-ve për administratën e Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm kritika në letër, por problem serioz në përditshmërinë e qytetarëve që enden sporteleve për një dokument të caktuar.

Kjo storje hulumtuese u përgatit si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe Të dhënat e hapura Kosovë – Open Data Kosovo (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Storjet hulumtuese mund t’i lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button