Petkov përgatitet për takim me Kovaçevskin, Parisi me mesazh që Shkupi dhe Tirana të mos ndahen në rrugën drejt BE-së

Në pritje të formimit të kabinetit të ri dhe intensifikimit të komunikimit me Bullgarinë për zhbllokimin rrugës evropiane të vendit, Parisi dërgoi mesazh që Shkupi dhe Tirana të mos ndahen në rrugën e tyre drejt integrimit në BE, ndërsa nga Sofja, nga ku arrijnë reagime pas “propozimit” të Sllavi Trifonovit për lidhjen e fillimit të negociatave në Maqedoninë e Veriut me heqjen e vizave nga SHBA-ja për Bullgarinë dhe pranimin e Bullgarisë në zonën Shengen, arriti informata se këshilltarja për politikë të jashtme e kryeministrit Kiril Petkov, Vesela Çerneva më 2 janar e vizitoi Shkupin, transmeton Portalb.mk.

Çerneva ishte në Shkup me urdhër të kryeministrit bullgar Petkov, me qëllim përgatitjen për vizitën e saj të ardhshme në Shkup gjatë këtij muaji.

Vizita e Petkovit pritet pas zgjedhjes së Qeverisë së re në vend, e cila sipas paralajmërimeve duhet të ndodhë më së voni deri në mesin e këtij muaji dhe pas mbledhjes së Këshillit konsultativ për sigurinë kombëtare të Bullgarisë, të thirrur nga presidenti bullgar Rumen Radev më 10 janar kushtuar “temës për Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani të hënën ka deklaruar se vendi pret bisedime konstruktive me qeverinë e re bullgare dhe zhbllokim të shpejtë të procesit të integrimit evropian.

“Është e rëndësishme të rikthehet besimi dhe të diskutohen çështjet thelbësore në tryezë”, tha Osmani, duke theksuar se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm në interes të vendit, por edhe një çështje strategjike gjeopolitike për Unionin.

Ai paralajmëroi edhe konkretizimin e komunikimit me Francën, si kryesuese aktuale e Unionit, pas formimit të Qeverisë së re në vend.

“Tashmë kam vendosur komunikim dhe kërkesë për vizitë dhe takim me autoritetet më të larta franceze… Pas formimit të qeverisë së re këtu, pra në gjysmën e dytë të janarit, do të duhet të vendoset zyrtarisht ai komunikim, i cili edhe tani ekziston ndërkohë, me qëllim që të përcaktohen planet dhe qëndrimet franceze lidhur me angazhimin e tyre në këtë proces”, tha Osmani.

Prioritetet gjatë presidencës franceze të BE-së në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nuk përmbajnë qëndrime vendimtare në drejtim të zgjerimit të Unionit, që lidhet me periudhën parazgjedhore në Francë në prag të zgjedhjeve presidenciale në prill dhe zgjedhjet parlamentare në qershor, por megjithatë progresi në këtë çështje nuk përjashtohet, duke qenë se vetë presidenti francez Emmanuel Macron tha muajin e kaluar tha se nuk është i mundur ndërtimi i “Evropës së paqes në 50 vitet e ardhshme nëse Ballkani Perëndimor nëse lihet ashtu siç është sot” dhe paralajmëroi konferencë për rajonin në qershor të këtij viti.

Ndërkohë, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elizabeth Barsak gjatë një interviste për Euronews Albania tha se  Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të ndahen në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas saj, dëshira për ndarjen e dy vendeve erdhi nga zhgënjimi për veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Lidhur me këtë çështje, unë besoj se duhet të kapërcejmë idenë se këto dy kombe mund të ndahen. E di që shumë thonë se këto dy vende u trajtuan si një dhe për shkak se gjërat nuk po shkojnë aq mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, atëherë ato duhet të ndahen. Kjo duhet të kapërcehet dhe ne duhet të bëjmë më të mirën në mënyrë që dy konferencat ndërqeveritare të mund të mbahen në të njëjtën kohë,” tha Barsak.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button