BANORI I REPUBLIKËS LETRARE

Luan Starova është banor i Republikës Letrare. Vepra e tij është përkthyer në shumë gjuhë dhe është vlerësuar nga studiuesit dhe shkrimtarët europianë e më gjerë. Mendimtari dhe shkrimtari erudit ka krijuar një ngrehinë letrare ku referencat janë nga bota jonë, por shtresa universale e veprës e ka bërë atë të receptueshme në sisteme të ndryshme kulturore.

Në veprën letrare të Starovës frymon ndjenja e solidaritetit ndërnjerëzor. Aty flitet për fatet e prera dhe të trishta njerëzore e kolektive. Shkrimtari ka shkruar “për historinë e shpirtit të Ballkanit”, sikurse e ka vlerësuar kritika europiane. Prandaj, për ta njohur historinë shpirtërore dhe kulturore të Ballkanit duhet t’i lexojmë romanet e tij.

Në romanet e Starovës e lexojmë historinë ku nuk përjashtohet dhembja. Aty gjejmë kandila të ndezur në një botë herë të ngatërruar, herë të errët, herë të mistershme, por edhe të fisme. Ndryshe nga çfarë thotë Danilo Kishi se “historinë përherë e shkruajnë fituesit”, personazhi i Babait në veprën e Starovës beson se “historinë e vërtetë mund ta shkruajnë vetëm të mundurit”, sepse ata e kanë ndjerë egërsinë e saj. Kjo nuk është historia zyrtare, por historia e atyre që asnjëherë nuk arrijnë në vendin dhe në kohën e duhur.

Luan Starova shkruan ndryshe sepse e lexon ndryshe kohën dhe historinë. Çdo vepër e tij paraqet një metaforë universale. Aty e gjejmë metaforën e dashurisë njerëzore dhe familjare; metaforën e ekzilit dhe kthimit të pamundshëm; metaforën e flijimit – me të gjitha refleksionet që nga koha përrallore e njeriut; metaforën e misterit të origjinës – që përherë është i pazgjidhur; metaforën e jeniçerizmit apo instrumentalizimin e Tjetrit nëpërmjet asimilimit ose përpunimit të identitetit. Çelësat e nënës janë metaforë e fatalitetit të ekzilit. Në botën që rrënohet, në botën e trishtë, vetëm te dashuria dhe uniteti familjar është shpëtimi. Por, shpëtimi është edhe te reminishencat që kanë ndikuar në formësimin e identitetit, si kategori komplekse dhe shumështresore.

Këto metafora i gjejmë te romanet: “Librat e babait”, “Koha e dhive”, “Kështjella prej hiri”, “Udha e ngjalave” etj.

“Evropiani më kompetent nga Ballkani, që shkruan vepra unikale në këtë hapësirë” (G. Todorovski), me Sagën ballkanike i ka dhënë letërsisë europiane një vepër të madhe. Është një sagë për njeriun e vuajtur, udhëtimi i të cilit nuk mbaron kurrë. Në qendër të saj është Babai, është njeriu i librave, njeriu i heshtur, i fisëm, i cili e udhëheq familjen nëpër ferrin dhe pastrimoren e ekzilit ballkanik. Ai nuk lëviz vetëm nëpër territore, por edhe nëpër kultura, religjione, gjuhë e qytetërime. Sipas Luan Starovës, të gjithë ballkanasit jetojnë në ekzil. Ata janë në ekzil kundrejt vetvetes dhe Europës.

Shkrimtari ka krijuar një vepër letrare ku gërshetohen imagjinata, fiksioni, kujtesa mitike, faktografia, jeta. Në romanet e tij asimilohen diskurse të ndryshme. Në roman, në “këtë shpikje të Europës” (Kundera), asimilohen zhanret dhe ruhet e “tashmja e pakryer”, ndërkaq ngjarjet, zakonisht, vihen në raport me historinë, për dallim nga epi që i ngjarjet i vë në raport me qiellin dhe e ruan vetëm “të kaluarën absolute”, siç thotë Bahtini.

Secila vepër e “Sagës ballkanike” është e veçantë, por ekziston ndërlidhja mes tyre. Veprat e ndryshme “komunikojnë” dhe krijojnë tërësi.

Vepra e Starovës është strukturë e hapur, e veçantë në planin tematologjik e narratologjik. Si e tillë ajo i flet jo vetëm lexuesit të sotëm, por edhe të nesërm.

Krijimtaria letrare, eseistike dhe shkencore e Starovës është si bibliotekë që na “shpie drejt mendimit të harruar” (Umberto Eco). Aty ka shumë erudicion, që na kujton mënyrën borhesiane të të shkruarit.

Shpresojmë që shkrimtari të ketë sa më shumë frymëzim për ta shtuar fondin e librave letrarë për të cilët kanë nevojë lexuesit shqiptarë, ballkanas, mesdhetarë dhe europianë.

Ky vështrim i shkurtër për veprën e Luan Starovës është tejet modest karshi studimit të thelluar dhe gjithëpërfshirës të Fatmir Sulejmanit.

Vepra e Starovës ka qenë edhe në fokusin e interesimit të shumë autorëve europianë, por edhe të studiuesve më të ri shqiptarë, si: Afrim Rexhepi, Mirlinda Krifca Beqiri, Arian Leka etj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button