Thaçi: Jam i bindur se Daçiç do të pranojë propozimin tonë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i bindur se homologu i tij serb, Ivica Daçiq, në takimin e dy prillit në Bruksel do ta përmirësojë gabimin e shtetit serb që e bëri në takimin e shtatë, duke mos pranuar propozimet e Qeverisë së Kosovës. Në raportimin e tij për takimin me Daçiqin në mbledhjen e Kabinetit qeveritar kryeministri Thaçi është shprehur optimist se në takimin e radhës gjërat do të lëvizin përpara.

“Ishte një mundësi e mirë e mërkura e kaluar që të lëvizim drejt përmbylljes apo arritjes së marrëveshjes në mënyrë që të kalojmë nga faza njëshekullore e konfrontimit në mes të Kosovës e Serbisë në një fazë të re, atë të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë. Dua të shpresoj që ai rast i së mërkurës së kaluar që u huq nga Serbia do të përmirësohet me 2 prill”, ka theksuar kryeministri.

Për këtë ai është shprehur optimist se Serbia do të tregohet më e përgjegjshme në takimin që pritet të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm. “Presim që më 2 prill të tregohet vullnet i mirë, përgjegjësi për rrethanat, kushtet dhe ambientin e ri që jetojmë në rajon dhe Serbia të kuptojë dhe respektojë rrethanat e reja, të tregojë gatishmërinë e saj për fqinjësi të mirë edhe me Kosovën, të tregojë gatishmërinë e saj për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi. /Kohaditore

Lajme të ngjashme

Back to top button