RMV, mjedisi jetësor edhe në vitin 2021 në margjina: Shumë vendime në letër, zbatim i dobët

Mali Sharr u bë park kombëtar, i katërti në vend i këtillë, kurse i pari që është shpallur pas pavarësisë së vendit. Një nga pikat e nxehta, më të mëdha në vend, OHIS është pastruar nga shumë kimikate e po zgjidhet edhe çështja e lindanit nga deponia e vogël. Situata me liqenin e Ohrit dhe ujërat është aq alarmante sa që Konventa e Bernës hapi një rast kundër vendit për kërcënime ndaj zonave Smerald në liqenin e Ohrit dhe në Galiçicë dhe rekomandoi ndërprerjen e gjitha hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. Ambientalistët nga juglindja e Maqedonisë po e mbrojnë me sukses natyrën e tyre nga sulmi i investimeve degraduese në miniera. Këto janë disa nga lajmet më të rëndësishme që e shënuan vitin 2021 në fushën e mjedisit jetësor, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në tërë territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr nuk do të lejohet të ndërtohen hidrocentrale të reja, të gërmohen miniera dhe të bëhen hulumtime gjeologjike, si dhe nuk do të lejohet instalimi i infrastrukturës për gazsjellës. Në të gjitha zonat e menaxhimit do të ndalohet edhe kultivimi i bimëve dhe kafshëve aloktone (jovendase) dhe pushtuese. Në zonën rreptësisht të mbrojtur të Sharrit nuk do të lejohet të ndërtohen shtëpi dhe rrugë, të përdoren mjete motorike, as të ndërtohet infrastrukturë, të mblidhen bimë të ndryshme ose ndërtimi i pishinave për kultivim të peshkut. Këto janë disa nga përfitimet nga ajo që më në fund, pas gjashtë dekadash, fituam një park të ri kombëtar. Tani mbetet që vendimet të zbatohen realisht.

Kemi pritur shumë gjatë edhe për zgjidhjen e vatrave historike ekologjike. Pas katër dekadash, në vitin 2021 filloi projekti për pastrimin e deponisë së vogël me lindan në OHIS. Edhe pse është një procedurë e madhe dhe komplekse, është vetëm një gërvishtje në sipërfaqen e problemit me pesticidin kancerogjen. Në OHIS ka ende një deponi të madhe, deponia e tretë dhe Pelenica, ndërsa para pak kohësh inspektorët e mjedisit jetësor zbuluan sasi të reja në një magazinë.

Për të gjitha deri tani nuk ka zgjidhje, ndërsa si problem kryesor institucionet vendase i theksojnë financat. Edhe pse duket se problemi me shkritoren e Velesit është zgjidhur pas ndërprerjes së funksionimit, megjithatë, shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve dhe e qytetit ende varet nga pastrimi i deponisë me zgjyrë. Sivjet në radhë pritën edhe pikat e nxehta, si deponia ilegale me mbeturina nga miniera e mbyllur e kromit, antimonit dhe arsenit “Llojan”, rreziku nga deponia e kromit gjashtëvalent nga Jegonovci, që është kërcënim edhe për ujin edhe për tokën…

Situata dhe problemet me mjedisin jetësor në Maqedoninë  e Veriut ishin sërish subjekt i interesimit në Kuvendin e vitit 2021 të Komitetit të Konventës së Bernës. Janë miratuar rekomandime të reja në lidhje me Parkun Kombëtar të Mavrovës, rrjetin e zonave Smerald, Liqenin e Ohrit dhe Parkun Kombëtar Galiçica. Konventa hapi një rast kundër Qeverisë për kërcënime ndaj Liqenit të Ohrit dhe malit Galiçica, në bazë të në një ankesë të paraqitur qysh në vitin 2016, pas zhvillimeve të fundit alarmante lidhur me ndërtimet ilegale dhe urbanizimin në zonën e mbrojtur. Një nga vendimet më të rëndësishme të Konventës ishte rekomandimi për anulimin e të gjitha hidrocentraleve të miratuara dhe të planifikuara në zonat e mbrojtura.

Kujdesi për biodiversitetin edhe vitin e kaluar duket se mbeti i margjinalizuar. Rrëqebulli ballkanik është ende nën kërcënim serioz, ndërsa këtë vit do ta kujtojmë edhe për rrezikun që, për shkak të përdorimit të helmeve, brenda një dite të ngordhin pothuajse krejt shkabat kokëbardha që foletë i ndërtojnë në disa vende ballkanike.

Në vitin 2021, Malesheva dhe Vodno u bënë zona të mbrojtura, pasi Osogova u shpall në vitin 2020. Organizatat e shoqërisë civile, të mbështetura nga ekspertë të Fakultetit të Pylltarisë, Drejtoria për punë Hidrometeorologjike dhe Agjencia për Planifikim Hapësinor, nuk u pajtuan me Ministrinë e Mjedisit jetësor dhe kërkuan që Vodno të mbrohet me ligj të veçantë për të siguruar mbrojtjen e Shkupit nga vërshimet dhe erozioni. nuk ia dolën të fitojnë betejën.

Një ndër risitë që shkaktoi bujë në opinion ishte ndalimi i përdorimit të qeseve të plastikës në markete, ndërsa qeset ekstra të lehta të biodegradueshme, që do të jenë në dispozicion, të shiten nga 15 denarë. Është një nga vendimet i cili rezulton nga paketa e ligjeve për mbeturinat që u miratuan në vitin 2021, Ligji për menaxhimin e mbeturinave, Ligji për menaxhim me paketimin dhe mbeturinat e paketimit, Ligji për menaxhimin e flukseve shtesë të mbeturinave dhe Ligji për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit për Menaxhimin e rrymave të veçanta të mbetjeve, si dhe Ligji për Menaxhimin e Baterive, Akumulatorëve dhe Mbeturinave të Baterive dhe Akumulatorëve dhe Ligjit për Pajisjet Elektrike dhe Elektronike dhe Mbetjet e Pajisjeve Elektrike dhe Elektronike.

Ligjet e reja, përveç përpunuesve kolektivë ekzistues për mbetjet e ambalazheve, bateritë dhe mbetjet elektrike dhe elektronike, të cilët tashmë funksionojnë në vendin tonë, kërkojnë funksionimin edhe të përpunuesve kolektivë të mbetjeve të vajrave, gomave, tekstileve dhe gëzhojave të makinave.

Zgjedhjet lokale të tetorit ishin shembull i vërtetë se si qytetarët marrin iniciativa për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe mjedisin jetësor. Aktivistët ekologjikë, në kuadër të iniciativës “Qyteti Human i Gjelbër” e propozuan Ana Petrovskën kandidate për kryetare të Shkupit, ndërsa disa u bënë pjesë e Këshillit të Qytetit të Shkupit, pastaj Komunës Qendër dhe Karposh. Fushatë me shenjë ekologjike kishte në juglindje, ku edhe këtë vit nëpër labirintet e gjykatës po zhvillohet beteja e shoqatës “Lugina e shëndoshë” kundër minierës Ilovicë-Shtukë. Këshilltarë nga radhët e aktivistëve u zgjodhën edhe në komunat Novo Sellë, Bosilovë dhe Strumicë.

Për vitin 2022 mbeten shumë çështje të hapura lidhur me mbrojtjen e mjedisit jetësor. Janë miratuar akte për mbrojtjen e zonave, ligje të reja, Strategji dhe dokumente të tjera që do të duhet të zbatohen, diçka që po dëshmohet si pika më e dobët e administratës së Maqedonisë.

Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, organi që duhet të vendos rendin dhe të zbatojë ligjet, edhe më tej i mungon stafi, ndonëse në vendin tonë shërbimet e shtetit janë të mbingarkuara me stafit.

Nuk ka fare ndryshime as në fushën e ndotjes së ajrit. Autoritetet arsyetohen se asnjë masë nuk ndryshojë asgjë brenda natës, megjithatë duhet të jemi real, ka më shumë se një dekadë që flasim aktivisht për vlerat e larta të grimcave PM 2.5 dhe PM 10. Është periudhë brenda cilës tashmë duhej të kishim parë se janë zbatuar, jo vetëm masa afatmesme, por edhe ato afatgjata. Një prej masave do të duhej të ishte akreditimi i Laboratorit Shtetëror për Mjedis Jetësor, për të cilin këtë vit nisi procedura e certifikimit për matje të ndotjes së ajrit nga burime të stacionuara, pasi tashmë është i akredituar për gjashtë metoda për ujin dhe një për zhurmën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button