Ngjyrat e presidencës franceze me BE-në dhe RMV-ja

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Franca, në fillim të presidencës me BE-në, i ngjyrosi monumentet e saj me ngjyrat e Bashkimit Evropian. Megjithatë, as simbolika nuk kaloi pa kundërthënie. E djathta ekstreme franceze e mishëruar te Marie Le Pen, e cila përndryshe po kërkon largimin e Francës nga BE, reagoi ashpër ndaj zëvendësimit të flamurit francez me flamurin e BE-së nën Portën Triumfale, ndonëse simbolikisht, për një kohë shumë të shkurtër. Kështu, presidenca franceze me BE mori që në fillim ngjyrë të fortë kombëtare, diçka që pritej të ndodhë për shkak të zgjedhjeve presidenciale franceze që do të mbahen në prill të këtij viti.

Në Programin e presidencës franceze, që u publikua në ditën e parë të vitit, ambiciet e të cilit Presidenti Makron i prezantoi muajin e kaluar, sovraniteti është një nga prioritetet kryesore. Megjithatë, këtë herë si “sovraniteti i BE-së”, me atributet “Evropë e fuqishme në botë”, “e lirë për të bërë zgjedhjet e veta” dhe “sundimtare e fatit të vet”, ose siç shpjegoi Makron katër vjet më parë në fjalimin e tij në Sorbonë, “kapaciteti ynë për të ekzistuar në botën e sotme dhe për të mbrojtur vlerat dhe interesat tona”.

Në Programin e presidencës franceze, sovraniteti i BE-së duhet të mbrohet kryesisht duke i forcuar kufijtë e Unionit, duke e avancuar politikën e mbrojtjes, prosperitetin dhe stabilitetin e fqinjësisë, si dhe me kontributin e saj në zgjidhjen e problemeve botërore. Dhe këtu, në aspektin e tretë, ne jemi menjëherë aty, si “angazhim në Ballkanin Perëndimor” (që do të pasohet, natyrisht, nga “rinovimi i marrëdhënieve” me kontinentin me rëndësi strategjike për Francën-Afrikën). Krahas metodologjisë së re për zgjerim, Franca e futi në përdorim termin “angazhim strategjik” drejt Ballkanit Perëndimor, i cili gjithnjë e më shumë po përdoret për rajonin në nivel të Unionit.

Megjithatë, Programi nuk e shmang zgjerimin, i cili është vendosur si nëntitull në “çështjet e përgjithshme”, ku i përket formacioneve të Këshillit të BE-së. Këtu qëndron përkushtimi i përgjithshëm për të siguruar vazhdimësinë (gjegjësisht përcjelljen) e negociatave me kandidatët për anëtarësim, duke theksuar gjithsesi aplikimin e metodologjisë së re që e ka zhvilluar Franca. Në këtë drejtim, për Ballkanin Perëndimor në tërësi, Franca “do të promovojë aktivitete për reforma të thella dhe transformuese në fushën e shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, lirisë së medias dhe reformave ekonomike, të cilat do të lehtësojnë miratimin e legjislacionit evropian”. Angazhimet janë identike edhe në Programin Trio, ku përveç Francës, janë edhe Republika Çeke dhe Suedia, si kryesuesit e ardhshme të BE-së.

Ballkani Perëndimor sigurisht që përmendet edhe në pjesën e marrëdhënieve të jashtme të Unionit – në fund. Mediat tashmë i kanë kushtuar vëmendje të mjaftueshme konferencës për rajonin, që është paralajmëruar në përfundim të presidencës franceze. Megjithatë, duhet theksuar se angazhimi është për “bashkëpunim konkret”, me theks në bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin rajonal.

Natyrisht, përvoja na mëson, se më e rëndësishmja nuk është ajo që shkruhet, por ajo që bëhet. Prandaj, më të rëndësishmet do të jenë jo vetëm leximi midis rreshtave, por edhe mesazhet dhe veprimet specifike. Mesazhet e përfaqësuesve francezë drejtuar vendit janë se Franca nuk ik nga angazhimi i Francës për tejkalimin e pengesave për fillim të negociatave me Unionin. Në këtë drejtim janë edhe deklaratat e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës Kleman Bon e veçanërisht e ambasadorit francez Bomgartner.

Ata paralajmërojnë angazhim diplomatik të Francës për të arritur zgjidhje që do të merr parasysh vijat e kuqe të dy vendeve. Duket shumë ambicioze, por ambicia është atributi kryesor që analistët dhe mediat ia atribuojnë presidencës franceze. Megjithatë, ajo që ndodh në prapaskenë do të jetë më domethënëse se ajo që ndodh në të hapur. Dhe siç pritej – Franca do ta vazhdojë bisedimet me ne kur të përcaktohen më bashkëbiseduesit – gjegjësisht kur do të ketë qeveri të re të Maqedonisë.

Do të gabojmë nëse e analizojmë vetëm ato pjesë të Programit ku përmendet Ballkani Perëndimor, sepse drejtimi në të cilin po lëviz Unioni ka pasoja për ne, për të cilat duhet të jemi të përgatitur. Këtu po i prezantojmë shkurtimisht:

Prioriteti i parë – sovraniteti i BE-së – do të bëhet operacional nëpërmjet tre aspekteve: reforma e Shengenit, thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në mbrojtje, krijimi i një mekanizmi për krizën kufitare dhe vazhdimi i punës së Paktit për Migracionin.

Prioriteti i dytë – modeli i ri i rritjes, i ndjek prioritetet tashmë të deklaruara të BE-së: krijimi i vendeve të punës nëpërmjet inovacionit dhe zhvillimit teknologjik; zhvillimi ekonomik në përputhje me ambiciet klimatike; Evropa digjitale dhe fuqi punëtore më të kualifikuar dhe më të paguar. Franca tregon vendosmëri për të zbatuar Programin ambicioz legjislativ të BE-së “Të përgatitur për 55” që ndërlidhet me Agjendën e Gjelbër.

Prioriteti i tretë – Evropa humane, përmban më tepër aktivitete dhe fusha: Konferenca për të ardhmen e Evropës, Evropë e cila e mbron shtetin e së drejtës, në përputhje me vlerat e saj dhe, natyrisht, me kulturën, shkencën, dijen dhe rininë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button