Arsimi në vitin 2021: Koncept i ri për nxënësit e shkollave fillore, protesta të gjimnazistëve

Koncepti i ri, së bashku me njoftimin për futjen në përdorim të teksteve elektronike dhe edukimin gjithëpërfshirës seksual, ​​të përcjella me një sërë dezinformatash, lajmesh të rreme, por edhe protesta të prindërve, i shënuan zhvillimet në arsimin fillor në vitin e kaluar 2021. Protestuan edhe gjimnazistët, të cilët kërkuan ndryshim në modelin e dhënies së provimit shtetëror dhe rikthim në bankat shkollore, në vend të onlajn mësimit jo cilësor, gjë që u realizua që prej muajit shtator, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Fundi i vitit, nga ana tjetër, e shënoi fundin e udhëheqjes së sektorit të arsimit nga ministrja Mila Carovska, e cila në këtë pozitë erdhi në gusht të vitit 2020.

Meta.mk” i përkujton zhvillimet dhe ngjarjet më të rëndësishme në arsimin fillor dhe të mesëm në vitin 2021:

1. Koncept i ri për arsimin fillor

Në fillim të vitit të kaluar aktuale ishte tema për konceptin e ri të arsimit fillor, me të cilin parashiheshin disa ndryshime për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Koncepti i ri ngjalli reagime në opinion, të cilat në fillim kishin të bëjnë me shkrirjen e disa lëndëve në një lëndë të integruar. Ministrja Carovska tha se frika nga integrimi i lëndëve, në një moment të caktuar, ishte keqpërdorë për qëllime politike, por që më pas ishte zvogëluar. Ajo në disa raste përsëriti se arsimi duhet të pësojë ndryshime, gjë që e sugjerojnë edhe testimet vendore edhe ato ndërkombëtare, si dhe prindërit e mësimdhënësit të cilët i kanë propozuar këto ndryshime konceptuale.

Ministria e Arsimit (MASH) dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), i qetësonin ankesat e prindërve duke thënë se nuk do të lejojnë që nxënësit të mos pajisen me njohuri nga historia, gjeografia apo përmbajtje nga ndonjë disiplinë tjetër shkencore, por që mësimi i këtyre degëve do të përshtatet me moshën e nxënësve.

Pasi u hap thirrja për propozime dhe sugjerime, koncepti i ri për arsimin fillor u miratua në mars të vitit të kaluar.

“Koncepti i arsimit fillor i vë në fokus nxënësit dhe të drejtën e tyre për arsim cilësor. Është në interesin më të mirë të fëmijëve, për të krijuar qytetarë të arsimuar dhe të përgjegjshëm, të edukuar në frymën e vlerave qytetare dhe demokratike të shoqërisë, që është postulati bazë i Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës”, thanë me atë rast nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Pasi u propozuan nga BZHA, MASH i miratoi kurrikulat e reja, të cilat tashmë janë në përdorim dhe me të cilat mësojnë nxënësit e klasës së parë, e në bazë të të cilave, për secilën temë të kurrikulës janë paraparë edhe rezultatet që secili nxënës duhet t’i arrijë, ndërsa mësimdhënësi duhet t’i monitorojë dhe vlerësojë arritjet e nxënësve nëpërmjet standardeve të dhëna për vlerësim.

Nga ky vit shkollor prindërit, përveç drejtpërdrejt në shkolla, mund t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në klasën e parë edhe në mënyrë elektronike.

2. Futja në përdorim e teksteve elektronike në mësimdhënie

Pas Konceptit të ri për arsimin fillor pasoi Projektligji i ri për tekstet shkollore, me të cilin parashikohej model i kombinuar i përdorimit të teksteve të shtypura dhe teksteve elektronike. Prindërit u ankuan, ashtu që edhe ky njoftim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës shkaktoi ortek dezinformatash dhe lajmesh të rreme, të cilat përhapeshin nga më tepër anë.

Ministria ka qetësuar edhe këtë herë se çdo prind, i cili mendonte që fëmija i tij nuk do të mund të mësojë në mënyrë elektronike, se do të mund ta printojë tekstin dhe që nuk do të ketë asnjë problem. Sipas ndryshimeve, për nxënësit e klasave të katërta dhe më të larta, opsioni i parë duhej të ishin tekstet digjitale, ndërsa nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën do të vazhdojnë edhe më tej të mësojnë nga tekstet e shtypura. Lektyrat shkollore do të jenë edhe më tutje në dispozicion vetëm në formë të shtypur.

“Është e kotë të ndash njerëzit pro dhe kundër digjitalizimit, kur e gjithë bota po digjitalizohet”, tha Ministrja Carovska.

“Nxënësit në atë moshë kanë nevojë për mjete moderne, të cilat do t’u duhen pas një periudhe 20 vjeçare që të përballen me sfidat me të cilat ata do të jetojnë”, tha Carovska.

Ndër dezinformatat, të cilat MASH i mohoi, ishte se digjitalizimi synon që mësimin në shkollë ta zëvendësojë me mësimin onlajn.

Prindërit e iniciativës dhe grupit në Facebook “Tekste shkollore dhe mësim duhet patjetër të ketë” bënë thirrje për bojkot të mësimit në shkollat ​​fillore dhe të mesme, ndërsa mbajtën edhe takim me MASH, në të cilin kërkuan që në arsim detyrimisht të përdoren tekste të shtypura në letër, të hiqet arsimi me ndjeshmëri gjinore, por edhe dy ose më shumë lëndë mos të shkrihen në një.

“Risitë janë sfidë për të gjithë, por nuk duhet të heqim dorë prej tyre, përkundrazi duhet së bashku të vazhdojmë dhe në mënyrë transparente të punojmë për të krijuar zgjidhjet më të mira që do të duhet të integrohen në sistem”, thanë nga MASH pas takimit.

Por në gjithë rrëmujën rreth pandemisë dhe digjitalizimin e paralajmëruar, duket se zëri i të rinjve, ata që janë drejtpërdrejt të përfshirë në procesin arsimor, dëgjohej më së paku.

Anketa e shkurtër, të cilën e realizoi agjencia e lajmeve “Meta.mk” në Instagram, tregoi se 63% e të rinjve të anketuar do të pranonin futjen në përdorim të teksteve digjitale në shkollat ​​fillore dhe të mesme, nëse vendimin për atë se nga cilat tekste do të mësonin (digjitale apo të printuara), do ta merrnin vetë nxënësit dhe prindërit e tyre. Në anën tjetër, 37 për qind nuk do të pranonin futjen e teksteve digjitale as nën këto rrethana. Të pyetur nëse do të pranonin heqjen e plotë të teksteve në letër dhe zëvendësimin e tyre me tekste digjitale, 90% e të anketuarve kanë dhanë përgjigje negative.

MASH e ka përsëritur në vazhdimësi se qëllimi i reformave është të sigurohet arsim sipas standardeve botërore. Madje prindërit protestuan dhe u dorëzua edhe një iniciativë për shpallje të referendumit për digjitalizimin e teksteve shkollore.

Pas kësaj, qeveria e tërhoqi Projektligjin për tekstet shkollore dhe materialet e tjera mësimore e didaktike në arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës sqaroi se kjo zgjidhje ligjore do të jetë sërish në dispozicion për diskutim publik.

3. Edukim gjithëpërfshirës seksual

Njoftimi për futjen e Edukimit Gjithëpërfshirës Seksual si lëndë zgjedhore në klasën e nëntë, në përputhje me reformat e paralajmëruara, u shkaktoi kokëdhimbje të re prindërve skeptikë për kurrikulën, por edhe për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës e cila sërish kishte përplot punë  t’ua shpjegojë konceptin e EGJS-në prindërve dhe publikut, por edhe të përballet me lajmet e reja të rreme që u përhapën këtë herë edhe më ashpër, e që disa herë, shkonin edhe në ekstrem.

Lajmet e rremë shkaktuan kritika dhe kundërshtime nga një grup i prindërve, të cilët protestuan sërish. Lënda, megjithatë, nuk është e detyrueshme, gjegjësisht nxënësit e klasës së nëntë mund të zgjedhin nëse do ta dëgjojnë apo jo.

“Lënda e edukimit seksual, e propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, është mbi të gjitha  pilot program , i cili do të realizohet gjatë vitit. Ajo që parashikohet në këtë pilot program në fakt janë tema mbi gjininë, shëndetin riprodhues dhe seksual, HIV, diskriminimin, si dhe aspektet civile, lidhjet dhe marrëdhëniet, dhuna seksuale, trupi dhe marrëdhëniet me trupin”, sqaruan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Para fillimit të vitit shkollor 2021/2022, për këtë lëndë ishin trajnuar 14 mësimdhënës. Në procesin e prezantimit të edukimit gjithëpërfshirës seksual, përveç BZHA-së, janë përfshirë edhe organizata të shoqërisë civile HERA, si dhe organizatat ndërkombëtare UNESCO, UNDP, OBSH dhe UNFPA.

4. Arsimi gjithëpërfshirës

Ndërkohë në tubimin shkencor në temë “Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta – mundësi, programe dhe perspektiva” që u organizua nga Instituti për Shkencë, Alternativë, Kulturë dhe Art nga Shkupi, u theksua se për përmirësimin e arsimit gjithëpërfshirës (inkluziv) nevojitet aftësim i mësimdhënësve me mësim praktik dhe teorik, përfshirje më e madhe e defektologëve dhe profesionistëve të tjerë si asistentët arsimorë dhe edukim i detyrueshëm në fakultetet për mësimdhënësit dhe profesorët e ardhshëm.

Mësimdhënësit theksuan se megjithëse fëmijët me zhvillim jotipik duhet të përfshihen në arsimin e rregullt, shumë prej tyre i lihen vetëm mësimdhënësit ose prindërit detyrohen të sigurojnë dhe paguajnë privatisht ndonjë asistent.

Këtë vit për herë të parë filloi aplikimi sistematik i shërbimit asistencë që do të financohet nga buxheti i shtetit, për të cilin janë siguruar mjete në vlerë prej 59 milionë denarë.

Ndryshe, prej këtij viti shkollor, për herë të parë të gjitha tekstet shkollore janë në dispozicion në format audio dhe në shkrimin Braille, për nevojat e nxënësve me shikim të dëmtuar.

5. Protestat e gjimnazistëve për maturën shtetërore

Gjimnazistët gjysmëvjetorin e dytë dhe vitin e ri e nisën me protesta dhe bojkot të mësimit. Ata, ndër të tjera, kërkonin ndryshime në mënyrën e realizimit të provimi për maturën shtetërore. Kërkonin të kenë provime në dy në vend të katër lëndëve. Si pjesë e arsyetimit të këtyre kërkesave, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme theksoi se ligjëratat vitin e kaluar shkollor nuk ishin aq efikase dhe cilësore si më parë. Më pas thoshin se nuk kishin kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për provime, pasi koha e maturës shtetërore po afrohej. Kërkesat e tyre ia drejtuan Kuvendit, ndërsa u takuan edhe me kryeministrin Zoran Zaev.

Në fund maturantët patën mundësi të zgjidhnin mes dy opsioneve- të kenë dy provime eksterne, ndërsa për dy provimet interne të nxirret nota mesatare e katër viteve, ose të kenë  provime në katër lëndë me programe të shkurtuara. Maturantët në fund vendosën për opsionin e dytë për provim me katër lëndë sipas programit të shkurtuar dhe metodologji të ndryshuar që ishte shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në fillim të vitit të kaluar shkollor.

Ndryshe, suksesi i përgjithshëm mesatar që e arritën maturantët në provimin shtetëror të maturës vitin e kaluar ishte 3.61. Në vitin 2019 ka qenë 3.48, pra është evident një përmirësim pavarësisht kushteve të vështira të mësimdhënies për shkak të pandemisë kovid. Vlerësuesit e testit kanë evidentuar mashtrime nga maturantët, kështu që nxënësit kishin kopjuar pjesë ose tekste të tëra, kryesisht në lëndën e gjuhës angleze.

6. Kërkesë e paligjshme e parave për dëftesat

Në kohën e dhënies së dëftesave për nxënësit, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, këtë herë i udhëhequr nga lideri i sapo zgjedhur Luka Pavicevic, akuzoi se sërish ka raste kur shkollat ​​u kanë marrë nxënësve para për dëftesa. Kështu, shkolla e mesme e mjekësisë në Tetovë për një dëftesë ka arkëtuar nga 150 deri në 200 denarë, ndërsa shkolla e mesme ekonomike po në këtë qytet ka kërkuar nga 150 denarë për lëshimin e dëftesës dhe diplomës për përfundimin e arsimit të mesëm. Ndërkohë në “Mirçe Acev” në Prilep, dëftesat u kushtojnë nxënësve 30 denarë.

Gjatë mësimit onlajn, i cili dominoi vitin e kaluar shkollor, 62% e mësimdhënësve kanë ligjëruar prej  shtëpive të tyre me kompjuterë personalë, ndërsa me sfidë të tillë janë përballur edhe nxënësit, tregoi analiza e hulumtimit të realizuar nga Shoqata LEAD dhe Fondacionit Konrad Adenauer. Ndryshe, hulumtimi i Forumit Rinor Arsimor (FRA) tregoi se nxënësit realizimin e mësimit onlajn e kanë vlerësuar me notën tre.

Mësimdhënësit, nga ana tjetër, gjatë pushimeve kërkuan rritje të pagave dhe nëse nuk i marrin, kërcënuan me bojkot të mësimit.

7. Rikthim në bankat shkollore dhe rritje të bursave për nxënësit

Ndërkohë, pasi kështu vendosën autoritetet kompetente, mësimdhënia në këtë vit shkollor filloi me prani fizike dhe me masa paraprake të kujdesit nëpër shkolla.

Nga ky vit shkollor për nxënësit e vitit të parë në shkollat ​​e mesme profesionale, filloi të aplikohet koncepti arsimit dual i cili zbatohet në bashkëpunim me mbi 200 kompani.

MASH gjithashtu e rriti shumën e bursave për nxënësit, që tani kapin vlerën prej 3.500 denarë në muaj, si dhe ka futur kategori të reja të bursave, si ato për nxënësit të cilët do të regjistrohen në dy paralele duale ose në profesione deficitare.

Nxënësit e shkollave të mesme këtë vit konkluduan se nevojiten reforma të modelit të bashkësive të nxënësve dhe model i ri i organizimit të tyre që do të mund të zbatohej, në mënyrë të barabartë, në të gjitha shkollat ​​anembanë vendit, që bashkësitë e nxënësve të jenë zëri i vërtetë i të rinjve dhe nevojave të tyre, ndërsa kryetarët e këtyre organeve të përzgjidhen nga të gjithë gjimnazistët në secilën shkollë.

Pandemia e Kovid-19 kishte ndikim serioz edhe mbi shëndetit mendor të të rinjve. Megjithëse tranzicioni drejt mësimit nga shtëpia në fillim dukej i padëmshëm, periudha e gjatë e mos socializmit, po e bën të vetën. Disa muaj pas fillimit të vitit shkollor me prani fizike, Meta.mk bisedoi me psikologët e shkollave rreth kësaj teme. Ata thonë se kthimi në shkollë ka rezultuar në dy ekstreme – disa nxënës janë të lumtur, ndërsa disa të tjerë janë nën stres të vazhdueshëm.

Psikologët i kanë këshilluar prindërit dhe mësimdhënësit që, për të ruajtur shëndetin mendor të fëmijëve, të ulin presionin dhe pritshmëritë ndaj tyre.

Viti i ri 2022 do të sjellë ndryshime të reja në arsimin fillor dhe të mesëm. Në fillim të vitit të ri duhet të zgjidhet personi i ri që do ta drejtojë këtë sektor, pasi ministrja aktuale Mila Carovska. njoftoi që nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.

Nga viti i ardhshëm shkollor, provimi shtetëror i maturës do të jepet sipas një koncepti të ri. Ndryshimi kryesor është se nga viti shkollor 2022/2023, nxënësit në vitet e fundit do të kenë matura të ndryshme, përkatësisht matura në gjimnaz nuk do të jetë njëlloj si në shkollat e mesme profesionale.

Sa i përket futjes dhe përdorimit të teknologjive të reja në arsim, është paralajmëruar që nxënësit e shkollave të mesme, nga pesë shkolla të mesme profesionale, në mësimdhënie do të përdorin teknologjinë e realitet virtual (VR). Ata do të mund të transportohen në repart digjital të fabrikës për të fituar aftësi për sigurinë në punë, lëvizjen në dhoma ku ka tension të rrezikshëm, punën me vegla dhe instrumente, identifikimin e defekteve në hapësirë elektrike dhe mënjanimin e tyre nëpërmjet një aplikacioni të realitetit virtual në mësimdhënie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button