Pse opozita i humbi zgjedhjet lokale?

Partitë e pushtetit hyjnë në pazarllëqet dhe kalkulimet e fundit për rrethin e dytë të zgjedhjeve, LSDM-ja opozitare e rikthen opcionin për bojkotim, ndërsa ekspertët i hapin dilemat, a e pasqyrojnë disponimin real të qytetarëve votat që përfunduan në konton e partive në pushtet dhe cila do të jetë pozita e opozitës pas humbjes në këto zgjedhje?

Ekspertët për Portalb thonë se janë të bindur se këto zgjedhje kaluan në shenjë të parregullsive serioze dhe se opozita nuk guxon të heqë dorë nga zgjidhja juridike, por nuk besojnë se kjo do të sjellë edhe ndryshim të rezultateve aktuale zgjedhore.

“Mendoj se këto zgjedhje, për opozitën, pa marrë parasysh a flasim për bllokun maqedonas ose atë shqiptar, kaluan keq. Partitë maqedonase u përpoqën të krijojnë atmosferë fituese dhe në zgjedhje hynë në mënyrë naive, por pastaj humbën. Mendoj se parregullsitë nuk do të ndikojnë në rezultatet përfundimtare. Evropa është mësuar me ambientin e këtillë zgjedhor në vendin tonë. Kritikë më serioze do të kishte sikur të ndodhnin incidente në të cilat do të intervenonte policia. Është fakt se kishte parregullsi, por pushteti arriti t’i zbatojë ato në mënyrë të sofistikuar, që në fund, madje të thuhet se zgjedhjet ishin të rregullta” – komenton analisti Ismet Ramadani.

Vëzhguesit ndërkombëtarë nga OSBE-ja dhe ODIHR-i e publikuan vlerësimin e tyre për zhvillimin e zgjedhjeve. I quajtën “të qeta”, por mungoi kualifikimi se zgjedhjet lokale ishin “korrekte” dhe demokratike.

“Procesi i votimit ishte i qetë dhe paqësor, ndonëse në disa vendvotime të vizituara nuk u ndoqën procedurat e parapara. U vërejtën parregullsi teknike. Vazhduan rastet e votimit grupor, dhe fshehtësia e votës nuk u respektua gjithmonë. Shumica e rasteve të vëzhguara të numërimit të votave u vlerësuan pozitivisht, edhe pse nganjëherë u vërejtën lëshime procedurale”, deklaroi shefi i Misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, Geert-Hinrich Ahrens.

Rregullsia e rrethit të dytë do të jetë vendimtare për një pjesë të komunave më të mëdha, vlerësojnë ekspertët.

“Parregullsitë duhet të jenë të argumentuara qartë edhe para opinionit vendor, por edhe para bashkësisë ndërkombëtare. Në ndërtimin e qëndrimit të saj, opozita do të duhet të bashkëpunojë ndërmjet vete dhe me dy partitë opozitare shqiptare, veçanërisht tani, kur pothuajse ka përfunduar momenti etnik i këtyre zgjedhjeve lokale. E gjithë kjo duhet të bëhet me qëllim që kontribuohet për një rezultat sa më të mirë dhe për rregullsi të rrethit të dytë që do të vijojë, dhe ai nuk duhet të lihet pasdore” – vlerëson Ramadan Ramadani, analist nga instituti “Nisma”.

Sipas kolumnistit dhe analistit Kire Naumov, rezultatet zgjedhore pas rrethit të parë do të fitojnë legjitimitet të plotë pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore për pranimin ose refuzimin e akuzave për parregullsi.

“Legjitimiteti merret kur do të përfundojnë të gjitha mjetet ligjore. Pres që partitë opozitare t’i shfrytëzojnë afatet ligjore, në të cilat, dëshmitë eventuale për parregullsi, do t’i dorëzojnë deri te institucionet kompetente.” – thotë Naumovi për “Portalb”-in.   

Ku gaboi opozita?

Në situatë kur opozita zbatoi një strategji për mobilizim të anëtarësisë nëpërmjet “verës së punës” dhe pas ngjarjeve në “24 dhjetorin e kobshëm” në Kuvend, të cilat duheshte të kontribuonin për përforcimin e disponimit opozitar, ekspertët sugjerojnë se tani është e patjetërsueshme që të konstatohen arsyet për humbjen zgjedhore.

Analisti Kire Naumov i gjen “gabimet”, të cilat, sipas tij, i bëri opozita, kur vendosi ta ftojë popullin që t’i kundërvihet pushtetit aktual.

“Rezultatet treguan humbje katastrofale të opozitës edhe në bllokun maqedonas edhe në bllokun shqiptar. Pavarësisht nga të gjitha parregullsitë në ditën zgjedhore, mendoj se dallimi në favor të pushtetit është shumë i madh. Kjo tregon se partitë opozitare kishin strategji të gabuar. Së pari, mendoj se ishte i dëmshëm vendimi për bojkot, pastaj shumë vonë filloi fushata zgjedhore dhe në fund votuesve nuk iu ofruan programe konkrete. Edhe Cërvenkovski dhe Thaçi do të duhet të ballafaqohen me humbjen zgjedhore” – thotë Naumov.  

Pasi hoqi dorë nga vendimi për bojkotimin e rrethit të parë zgjedhor, analisti Ramadani konsideron se vendimi për bojkotimin e rrethit të dytë do të ishte i gabuar.

“Bojkotimi i rrethit të dytë do të ishte vetëm alibi për humbjen zgjedhore. Efekti do të arrihej në qoftë se do të mbeteshin në vendimin që aspak mos të dilet në zgjedhje. Bojkotimi eventual tani, do të shkaktonte krizë politike në vend, por edhe krizë në vetë radhët e partive opozitare. Kjo do të shkaktonte probleme, anëtarësia do të kërkonte llogari, përgjigje, por edhe përgjegjësi” – komenton Ramadani.

Pas epilogut dhe rezultateve të zgjedhjeve lokale, ekspertët konsiderojnë se liderët opozitarë do të duhet të përgatiten për pakënaqësi të mundshme brendapartiake.

Me liderë opozitarë të pozicionuar në mënyrë të këtillë, nuk mund të pritet që të fitohet dyshi Gruevski-Ahmeti që është në pushtet, shkroi analisti Arsim Zekolli në profilin e tij në Facebook.

“Me qëndrimin e tyre labil dhe truqet e thjeshta për të siguruar mbijetesë personale politike, as njëri e as tjetri nuk kanë aftësi ta rrëzojnë pushtetin e Gruevskit dhe të Ahmetit. Në qoftë se këtë nuk arritën ta bëjnë edhe pas gjithë skandaleve që ndodhën në 12 muajt e fundit, këtë me siguri nuk do të mund ta bëjnë as në vitet në vijim. Thjesht, të dy janë të lexuar dhe të dekoduar deri në kockë.”– shkroi Zekolli.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button