fbpx

Ministria e Financave: Të hyrat e realizuara në buxhetin e 2021 janë 15.3% më shumë se në vitin 2020

Ministria e Financave njofton se në buxhetin e vitit 2021 është arritur realizim i të  hyrave të përgjithshme për 15.3% më shumë krahasuar me vitin 2020, kurse te shpenzimet kapitale është shënuar rritje e realizimit prej 45.2% krahasuar me vitin 2020, transmeton Portalb.mk.

Nga ministria theksojnë se tejkalim sa i përket planifikimit është shënuar te të hyrat nga tatimet dhe kontributet për 2% kurse deficiti është realizuar me vlerë prej 38.8 miliardë denarëve ose 5.4% nga PBB që është më i ulët se deficiti i projektuar për vitin 2021 prej 6.5% nga PBB.

“Е përcollëm vitin e kaluar me lëvizje pozitive në ekonomi edhe pse ishte akoma prezent ndikimi nga kriza  e shkaktuar nga pandemia me Covid-19, presioni ndaj çmimeve në bursat botërore që ndjehej edhe në ekonominë tonë, si dhe kriza energjetike”, tha  ministri i Financave Fatmir Besimi.

Në njoftim thuhet se masat dhe politikat e përgjithshme që u zbatuan kontribuuan që vitin 2021 të përfundojë me rritje ekonomike prej 4.1% e cila është në përputhje me projeksionin për rritjen e PBB-së dhe mundësinë që ajo të tejkalohet. Ekonomia në nëntë muajt e parë të vitit 2021 arriti rritje prej 4.6%.

Më poshtë e gjeni njoftimin e plotë nga Ministria e Financave:

“Prodhimi industrial në muajin nëntor shënoi rritje prej 4.7%, eksporti në periudhën janar – tetor shënoi rritje prej 22.8%, konsumi final prej 4.5%, në nëntë muajt e parë investimet bruto shënuan rritje reale prej 3.4%, papunësia pësoi rënie në nivelin më të ulët historik prej 15.7%, kurse paga mesatare neto e paguar për muajin tetor shënoi rritje prej 4.5% krahsuar me muajin tetor të vitit paraprak.

Këto lëvizje u reflektuan në realizimin e suksesshëm të të hyrave të projektuara në buxhet, kështu që në vitin 2021 kemi tejkalim në realizimin e të hyrave tatimore dhe kontributeve, të cilat përfundimisht me datën 31 dhjetor arritën nivelin prej 102% nga planifikimi me rishikimin e buxhetit në muajin qershor të vitit 2021, kur të njëjtat ishin të reviduara në rritje krahasuar me Buxhetin fillestar, edhe atë të hyrat tatimore për 5%, kurse kontributet për 1.3%.

Të hyrat nga tatimet dhe kontributet në vitin 2021 kanë realizim prej 196.309 milionë denarëve, krahasuar me vitin 2020 kanë rritje prej 13.2%. Tek të hyrat tatimore tejkalim më të madh  ka tek TVSH-ja prej 7.3% ose është arritur realizim në nivel prej 107.3%, përkatësisht sipas kësaj baze në buxhet kanë hyrë 58.194 milionë denarë. Nga tatimi personal mbi të ardhurat kanë hyrë 20.552 milonë denarë dhe sa i përket planifikimit kemi realizim prej 98.86%, kurse tek tatimi personal mbi të ardhurat ka rritje prej 10.3%.

Shpenzimet e përgjithshme janë realizuar në nivel prej 257.353 milonë denarëve ose 95.87% nga planifikimi dhe shënojnë rritje prej 5.7% krahasuar me vitin 2020. Përveç kësaj, tek investimet kapitale në vitin 2021 shënohet realizim më i lartë për 45.2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Përkatësisht, në vitin 2021 realizimi i investimeve kapitale është në nivel prej 23.4 miliardë denarëve që paraqet realizim prej 79% në raport me mjetet e planifikuara. Është e rëndësishme se investimet e realizuara në vitin 2021 janë në nivelin më të lartë në vlerë absolute.

Kjo jep optimizëm për realizimin e projekteve të mëdha kapitale të planifikuara në Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike për periudhën 2022-2026, por edhe realizimin e investimeve të planifikuara kapitale në vitin 2022 të cilat janë në nivelin më të lartë historik  deri më tani me pjesëmarrje prej 14% në shpenzimet e përgjithshme.”

Ndryshe, nga atje njoftojnë se shpenzimet kapitale këtë vit janë projektuar në vlerë prej 38.2 miliardë denarë dhe janë për 28.3% më shumë krahasuar me vitin 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button