Çair, banorët: ia dhamë besimin Mexhitit, nuk duam zhgënjim

Rizgjedhja e tretë e Izet Mexhitit për udhëheqës të komunës më të madhe shqiptare në Shkup, Çair, do të thotë edhe përkushtim dhe angazhim edhe më të madh.

Banorët e kësaj ane nuk duan zhgënjim, ata kërkojnë përmirësim të infrastrukturës, kërkojnë përqendrim në sferën arsimore, kulturore, kërkojnë punë të gjithë ata që kanë diplomuar dhe të njëjtat i mbajnë në xhep… Këto janë të paktën disa nga kërkesat të cilat i thanë për Portalb disa qytetar të anketuar.

‘Problemi me të cilin ballafaqohem unë çdo ditë që zgjohem në mëngjes, shkoj në punë në Çarshi është ai i rrugëve, dhe parkimit. Duam rrugë më të mira, duam parkingje më shumë dhe të jenë falas, pasi ne nuk kemi llogari të paguajmë aq shumë pasi nuk mund ti mbulojmë harxhimet. Urojmë të bëhet mirë për gjithë ne’ tha S.Veseli.

‘Me një takim të kryetarit Izet Mexhiti në QIK, që kishte me artistët shqiptar kur e mora fjalën thash se e përkrah pa pardon vetëm për një arsye. Askush nuk i është kushtuar arsimit dhe kulturës dhe sportit si ju. Po, luftoni edhe më tutje demagogjitë e këtyre lamive, afroni njerëzit të cilët kanë vepra dhe begraund prapa tyre. Arti, arsimi dhe kultura nuk durojnë egoist dhe njerëz të cilët mendojnë se me ata fillon historia. E mora shembullin e sekretarit në Ministrinë e Kulturës, dhe është mëkat që ai të jetë në atë vend. Mua më ka hije të flas dhe të argumentoj se nuk jam ndalur sot e 38 vite dhe kam të drejtë të ngriti zërin kur është në pyetje kultura’ tha Emin Gaxha.

 ‘Pasi u zgjodh për të tretën herë sigurisht se njerëzit kanë besim tek ai, dhe nuk duan zhgënjim. Unë kam diplomuar dhe jam e pa punë, tash për tash kërkoj punë për vete dhe për shumë si unë. Sigurisht se ka edhe shumë probleme me të cilat ballafaqohemi ne në Çair’ tha Rejhan Ameti, juriste e diplomuar.

‘Unë pres drejtësi, drejtësi për të rinjtë që kanë humbur rrugëve të me diplomat e universiteteve në xhep. Po pres që kryetari ti hap sytë më mirë dhe të na drejton aty ku ne e kemi vendin, e jo nëpër çajtore dhe kafene’ tha A.B. e diplomuar në biznes informatikë UEJL.

‘Pikë së pari nga zgjedhja e tij pres diçka pozitive për shqiptarët, por edhe punësime, besoj se do të ketë këto vite dhe një ardhmëri më të mirë për të rinjtë, kështu që Shkupi dhe rrethina po ndriçohet, presim përmirësim më të madh të rrugëve, të krijohen kushte më të mira për studim dhe punësime’ tha Muhamet Dema, student në USHT-Shkup.

Ndryshe Izet Mexhiti në zgjedhjet lokale të 24 marsit fitoi garën që në raundin e parë. Sipas të dhënave të KSHZ-së,  Izet Mexhiti (BDI) mori 16.110 vota, Muhamed Thaçi (PDSH) 5.641 vota, Marija Angellova (VMRO) 4.972 vota, Trajçe Nedellkovski (LSDM) 2.012  vota, Gikten Haziri (RDK) 891 vota,  Besnik Telai (I pavarur) 654  vota.

Ju rikujtojmë me intervistën të cilën realizuam para zgjedhjeve dhe premtimet që i dha Mexhiti për katër vitet e ardhshme, klikoni këtu./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button