Pasi premtimi i Kasamit për parkingje pa pagesë nuk u realizua, Komuna shndërroi dy oborret e shkollave në parkingje

Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” në Tetovë njofton se duke filluar nga sot, oborri i shkollës fillore “Liria” dhe Gjimnazit të Tetovës “Kirili Pejçinoviq” do të shndërrohen në parkingje pa pagesë për qytetarët. Veprimet e ndërmarra nga Komuna e Tetovës për sa u përket parkingjeve së fundmi nuk përputhen me premtimet e kryetarit Kasami, shkruan Portalb.mk.

Kaosi urbanistik vazhdon të jetë i pranishëm në Tetovë edhe përkundër masave që Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë së fundmi i kanë ndërmarrë për lirimin e trafikut. Masat janë ndërmarrë momentalisht vetëm në pjesët qendrore.

Zgjidhja për problemin e kaosit në trafik, mes tjerash, është te krijimi i parkingjeve të reja, ndërsa banorët e Tetovës shprehen se me vite e presin këtë zgjidhje. Nga ana tjetër, gjatë periudhës parazgjedhore nga kryetari aktual dëgjuam një sërë premtimesh për ndërtimin e tyre.

Kasami në krye të komunës është gati se dy muaj, ndërsa para disa ditëve ai njoftoi se deri në fund të vitit 2021 do të prezantojnë para publikut planin për zgjidhjen e kaosit në trafik dhe parkimin, megjithatë opinioni ende e pret këtë plan.

Bilall Kasami shkeli premtimin e parë për parkingjet

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë periudhës parazgjedhore në daljet e tij publike theksoi se nëse vjen ai në krye të komunës, do t’i bëjë parkingjet të cilat janë në kompetencë të komunës pa pagesë, deri sa të sigurojë parking për çdo veturë në Tetovë.

“Po ua them të gjithë qytetarëve të Tetovës nga moment i ardhjes në Tetovë të Bilall Kasamit deri sa nuk gjejmë parking për çdo veturë nuk do të ketë pagesë të parkingut në Tetovë.” tha Bilall Kasami në Click Plus më 14 tetor.

Ky premtim i Kasamit  u përmbush vetëm për rreth dy javë, parkingu u bë pa pagesë por u rikthye në mënyrën e funksionimit të mëparshme. Parkingjet jo që nuk qëndruan pa pagesë deri në zgjidhjen e problemit, madje çmimi i tyre u vendos të rritet, gjatë seancës së katërt të Këshillit të Komunës. Çmimet i gjeni KËTU.

Rikujtojmë se gjatë periudhës parazgjedhore, asokohe kandidat, tani kryetari i Tetovës premtoi se në Tetovë kanë paraparë diku shtatë parkingje me konstruksion çeliku të cilat mund të ndërtohen për një periudhë shumë të shkurtë, jo më shumë se gjashtë muaj dhe që do të kushtojnë jo më shumë se 1 milionë euro dhe tre garazhe në kate me partneritet publik-privat.

Ndërmarrja “Parkingu i Qytetit” ka borxh mbi 187 mijë euro, kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, vazhdimisht ka punuar në humbje. “Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, dallimi mes të hyrave dhe të dalave te NP “Parkingu i Qytetit” ishte 1.363.000 denarë apo mbi 22.000 euro. Ndryshe, te NP “Parkingu i Qytetit” si ushtrues detyre momentalisht është emëruar Igor Dodevski.

Tetova çdo ditë përballet me komunikacion të ngarkuar, ku ka raste ku qytetarëve ju duhen mesatarisht nga 15 deri 30 minuta për të arritur nga qendra deri te UEJL, apo anasjelltas, pa mos e llogaritur kohën e gjetjes së vend-parkimit e cila është një problematikë në vete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button