Slavi Trifonov: Do t’i heqim veton Shkupit nëse SHBA-ja i heq vizat

Një nga liderët e koalicionit qeveritar në Bullgari, Slavi Trifunov, i partisë “Ka një popull të tillë” ka thënë se Sofja mund të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse Shtetet e Bashkuara heqin vizat për shtetasit bullgarë, njofton REL.

“Nëse amerikanët duan aq shumë që Maqedonia e Veriut të jetë në Bashkimin Evropian, qytetarët e Bullgarisë, si dhe qytetarët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, nuk duhet të kenë nevojë për viza për të shkuar në Amerikë”, tha Trifonov.

Ai heqjen e vetos e ka kushtëzuar edhe me kërkesën që Bullgaria të bëhet menjëherë anëtare e zonës Shengen.

“Edhe ne duhet të jemi evropianë. Tani jemi më pak evropianë se evropianët e vërtetë. Kështu që, unë kërkoj që menjëherë të jemi pjesë e zonës Shengen dhe të mos ketë viza për Amerikë”, ka shkruar Trifonov në rrjetet sociale.

Përmbushja e këtyre dy kushteve nga SHBA-ja dhe BE-ja, si dhe përmbushja e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga Maqedonia, sipas Trifonovit, do të mjaftojnë që Bullgaria të lejojë Maqedoninë e Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Ai bëri të ditur se më 10 janar do të mbahet takim këshillues për Maqedoninë e Veriut me presidentin bullgar, Rumen Radev.

Ai nuk tha drejtpërdrejt nëse partia e tij do ta dorëzojë zyrtarisht propozimin, por tha se “të gjithë po u bëjnë presion që të dorëzohen” lidhur me kontestin me Maqedoninë e Veriut.

Trifonov ka shprehur habinë se si është e mundur që “qindra mijëra maqedonas kanë pasaporta bullgare” dhe në të njëjtën kohë të ketë “urrejtje ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut”.

“Librat tuaj të historisë thonë se bullgarët janë fashistë. Pra, ju vetë jeni fashistë”, ka thënë mes tjerash Trifonov.

Kronologjia e rrugëtimit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2021, transmeton Portalb.mk.

Në janar të vitit 2021, presidenca e BE-së, kaloi nga “duart” e Gjermanisë, në atë të Portugalisë. Presidenca gjermane konsiderohej si përkrahëse më e madhe e zgjerimit të BE-së, kurse Portugalia as nuk të humbte shpresat dhe as nuk premtonte.

Por, menjëherë pas marrjes së presidencës, Portugalia u shpreh se shpreson që mosmarrëveshja me Sofjen të zhbllokohet në gjysmën e parë të 2021-shit dhe se do të mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Ashtu edhe siç pritej, nuk kishte lëvizje as gjatë kryesimit portugez – për shkak të zgjedhjeve në Bullgari, por edhe për shkak të “mosmarrëveshjeve” të mëdha, përkatësisht të dallimeve thelbësore mes pozitave të Bullgarisë dhe të Maqedonisë.

Në prill, pati një eufori, pas propozimit portugez, për të cilin nuk u mor vesh kurrë se çfarë përmbante, i cili siç u tha ishte shqyrtuar plotësisht nga autoritetet e vendit dhe se është propozim i pranueshëm. Megjithatë, kështu nuk ishte për fqinjin e Maqedonisë. Sofja zyrtare nuk e pranoi. Pavarësisht se u përfol deri në fund të presidencës, ky propozim ra në ujë.

Pavarësisht toneve diplomatike të Maqedonisë së Veriut, Bullgaria qëndroi “stoike” në qëndrimin e saj, dhe në qershor përsëri i vuri veto Maqedonisë së Veriut.

Shpresat e Maqedonisë së Veriut, tani u varën në presidencën sllovene dhe zgjedhjen e qeverisë së re në Bullgari. Sllovenia deklarohej se Maqedonia dhe Shqipëria duhet t’i fillojnë negociatat sa më parë dhe se do të angazhohej në këtë drejtim, si dhe e përkrah propozimin portugez për kontestin Maqedoni-Bullgari.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button