Supremja i hodhi poshtë ankesat dhe e konfirmoi vendimin e Apelit për rastin “Kumanova”

Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut e konfirmoi për Portalb.mk se ka miratuar vendim për rastin e njohur në opinion si “Kumanova”, në lidhje me incidentin e armatosur në maj të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”. Sipas vendimit, deri te cili erdhi redaksia jonë, Supremja i ka hedhur poshtë ankesat e të dënuarve si të pabaza dhe e ka konfirmuar aktgjykimin e Apelit. Vendim të njëjtë ma miratuar edhe për Sulejman Osmanin, gjithashtu i akuzuar për këtë rast, por procedura gjyqësore ndaj tij ishte ndarë, njofton Portalb.mk.

Sipas Ligjit për Procedurë Penale, pala mbrojtëse nuk ka të drejtë ankese ndaj vendimit të Gjykatës Supreme.

“Kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm ndaj aktgjykimit të plotfuqishëm nuk mund të dorëzohet kundër aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, shkruhet në paragrafin 4 të nenit 463 të Ligjit për Procedurë Penale.

Sipas kësaj, për të akuzuarit janë “mbyllur dyert” për kërkim të drejtësisë brenda Maqedonisë së Veriut, por ata mund të ankohen në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Konfirmimi i aktgjykimit të Apelit, nënkupton që të dënuarit mbesin me dënimet që u janë shqiptuar nga Penalja dhe më pas të konfirmuara nga Apelit.

Procesi gjyqësor ka përfshirë gjithsej 29 persona, të cilët u ngarkuan me veprën “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit përpara gjykatës janë deklaruar se nuk ndjehen fajtorë. Rasti më vonë u bashkua me “Vetëtimën”, në të cilin ishte zhvilluar procedurë kundër 8 personave për ndihmë të grupit të armatosur, me çka grupi i të akuzuarve u rrit në gjithsej 37. Prej tyre, 33 u dënuan për veprat, ndërkaq 4 persona u liruan.

Gjykata Penale i dënoi 7 përfaqësues të grupit me burgim të përjetshëm, ndërkaq 13 të tjerë me nga 40 vjet burg. Me dënim prej 20 vjet burg janë dënuar 5 persona, 1 i akuzuar me 12, ndërkaq nga 2 u dënuan me nga 14, 13 dhe 12 vjet burg. Në total, të akuzuarit u dënuan me 746 vjet burg dhe 7 burgime të përjetshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button