Qytetarët: Duam më të mirën për Kërçovën

Në rrugët e qytetit të Kërçovës edhe sot vazhdon të mbretëroj atmosferë festive e cila ka nisur që mbrëmjen e djeshme pas shpalljes së fitores së kandidatit të BDI-së për Kryetar të Komunës së Kërçovës. 

Fatmir Dehari, kryetari i sapoemëruar i kësaj komune mbrëmë në njoftimin për shtyp pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, edhe një herë premtoi se do të punojë për Kërçovën dhe qytetarët e saj.

Ndërkaq qytetarët për Portalb shprehen:
“Nga kryetari presim që të realizojë premtimet, të zhvillojë qytetin, të rrisë nivelin e pastërtisë, të rregullojë rrugët e qytetit të cilat ka më shumë se një vit që janë nisur dhe nuk janë përfunduar sidomos bulevardi kryesor që është në gjendje katastrofale.” – tha një qytetar.

“Çfarë të themi! Ne duam më të mirën për kërçovarët dhe Kërçovën. Populli nuk ka nevojë për premtime, por për vepra. Nëse ai fitoi besimin e shumicës, nuk domethënë që duhet të punojë vetëm për ato që e votuan. Duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, atëherë ndoshta do të jemi me fat që Kërçova është në duart e tij. Ne e duam Kërçovën dhe s’kemi pse të jemi kundër kryetarit të tanishëm neës ai e bën punën si duhet.” – tha një qytetar i përkatësisë maqedonase në qytet.

Gjatë këtij mandati zgjedhor, kandidati shqiptar fitoi të drejtën për të kryesuar me komunën falë shumicës së votave që mori nga mërgimtarët që erdhën për të votuar. Një nga ato u shpreh: 

“E rëndësishme është që tani kryetari është shqiptar dhe ne shpresojmë që të bëj më shumë për ne shqiptarët sepse gjithmonë jemi anashkaluar nga kryetarët e mëparshëm të qytetit. Jemi shumë të lumtur me këtë fitore dhe mundi dhe harxhimet tona le të jenë hallall.”
Në orët në vazhdim bëhet përgatitje për një koncert në qendër të Kërçovës në të cilin është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e funksionarëve të BDI-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button