Rusia ka ndezur debatin për NATO-n në vendet nordike

Deklaratat para Krishtlindjeve nga Kremlini kanë sfiduar dogmat e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Finlandës dhe kanë elektrizuar debatin për anëtarësimin e mundshëm në NATO, raporton Euroactiv, transmeton Portalb.mk.

Në dhjetor, Rusia dha një ultimatum që NATO duhet të angazhohet që të mos zgjerohet drejt lindjes. Më vonë, zëdhënësja e Kremlinit, Maria Zakharova, përsëriti ultimatumin duke thënë se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të kishte “pasoja të rënda politike dhe ushtarake”.

Në fjalimin e tij tradicional të Vitit të Ri, Presidenti Sauli Niinistö e bëri të qartë se hapësira e Finlandës për manovra dhe liria e zgjedhjes mbetet e paprekur, sipas tij, ato “përfshijnë mundësinë e rreshtimit ushtarak dhe të aplikimit për anëtarësim në NATO, nëse ne vetë vendosim kështu” dhe se nuk ka vend për “sfera të interesit” në ditët e sotme.

Presidenti tregoi gjithashtu zhgënjimin e tij për rolin modest të Evropës dhe BE-së në situatën aktuale që ai e konsideron serioze. Ai theksoi se kur sovraniteti i shteteve anëtare, përfshirë Finlandën dhe Suedinë, është sfiduar, kjo e bën BE-në një palë të përfshirë.

“A po diskutohemi pa u përfshirë ne,” pyeti presidenti duke shtuar se “Evropa nuk mund vetëm të dëgjojë” dhe “të jetë e kënaqur thjeshtë me rolin e një koordinatori teknik të sanksioneve”.

Në mesazhin e saj për Vitin e Ri, kryeministrja Sanna Marin (SDP) tha se “ne nuk do ta lëmë hapësirën tonë për manovrim”.

Petteri Orpo, Kryetari i Partisë Liberal-Konservatore të Koalicionit Kombëtar, tha se partia e tij ka mbështetur anëtarësimin “tashmë për më shumë se 15 vjet” dhe u kërkoi partive të tjera që të ofrojnë përmbajtje për debatin mbi politikën e sigurisë dhe të tregojnë qëndrimin e tyre ndaj NATO-s.

Në blogun e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popullore Suedeze, Anders Adlercreutz, shkroi se debati i anëtarësimit të Finlandës në NATO po shndërrohen në farsë se dhe përgatitjet për aplikim duhet të fillojnë pa vonesë.

Kryetari i grupit parlamentar të të Gjelbërve, Atte Harjanne, shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin në NATO dhe tha se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë do të rriste stabilitetin evropian. Si parti, të Gjelbrit janë disi të ndarë për NATO-n.

Komentet e socialdemokratëve dhe Partisë së Qendrës kanë qenë më të heshtura dhe duke apeluar në qetësi dhe shmangien e vendimeve të shpejta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button