Inspektorati i punës filloi me kontrollet për respektimin e të dielës ditë jopune

Inspektorati Shtetëror i Punës (IShP) filloi me inspektim të dielën sipas rajoneve dhe u bëri thirrje të gjithë punëtorëve që të dielave që të raportojnë shkeljet e të drejtave të tyre në lidhje me punën të dielave. Dje ka hyrë në fuqi Ligji për marrëdhëniet e punës, i cili e bën të dielën ditë jopune, transmeton Portalb.mk.

Denoncimi mund të bëhet përmes ueb faqes www.dit.gov.mk, me paraqitjen e aplikimit në arkivat e zyrave regjionale dhe të selisë së IShP, në numrin e telefonit 15131 ose tek inspektorët kujdestar sipas rajoneve, për të cilat më shumë informacion mund të merrni në https : //dit.gov.mk/?p = 9833.

Sipas ligjit, në mbi 40 aktivitete ku nuk mund të ndërpritet procesi tekniko-teknologjik në punë, ditë pushimi javor mund të jetë një ditë tjetër e javës. Punëtorët në tregtinë me pakicë dhe me shumicë e shfrytëzojnë ditën e pushimit çdo javë në përputhje me Ligjin për tregti. Në rast të ndonjë fatkeqësie ose avarie dhe parandalim të pasojave të tyre, me kërkesë të punëdhënësit, punëmarrësi është i detyruar të punojë të dielave për të mbrojtur jetën dhe shëndetin dhe parandalimin e dëmeve materiale të pariparueshme.

Të gjithë këta punëtorë që do të punojnë të dielave, përveç të drejtës për shtesë në pagë, kanë të drejtë të shfrytëzojnë edhe pushimin javor për shtatë ditët e ardhshme. Shtesa javore e pagës është të paktën 50% për çdo orë të kaluar në punë, nëse me ligj dhe me marrëveshje kolektive nuk është përcaktuar shumë më e lartë e pagesës.

Punëdhënësi është i detyruar të njoftojë Inspektoratin Shtetëror të Punës para fillimit të punës përmes formularit të posaçëm për kryerjen e punës të dielën.

Kuvendi më 20 dhjetor miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune, me të cilin të dielën është shpallur ditë jopune, që ishte një nga kërkesat kryesore të Federatës së sindikatave të Maqedonisë. Me zgjidhjen e re ligjore, e diela do të jetë ditë jopune për 92% të punëtorëve.

Si veprimtari që duhet të punojnë për funksionim normal të shoqërisë, në Ligjin për marrëdhënie pune janë shënuar blegtoria, bujqësia e përzier, minierat e qymyrit dhe linjitit, nxjerrja e metaleve, shtypja dhe botimi i gazetave, prodhimi i bukës, ëmbëlsirave dhe biskotave të freskëta, prodhimi i pllakave, fletëve, tubave dhe profileve të masës plastike, prodhimi i gazit industrial, prodhimi i metaleve, barnatoret, furnizimi me energji elektrike, avull dhe ajër të kondicionuar, furnizimi me ujë, asgjësimi i ujërave të zeza, aktivitetet e menaxhimit dhe riparimit të mbetjeve, si dhe transporti tokësor, tubacioni, ujor dhe ajror.

Aktivitetet e përgjithshme të administratës publike renditen gjithashtu si thelbësore, vetëm për çështjet urgjente që kanë të bëjnë me mbajtjen e seancave, inspektimeve dhe të cilat çështje janë me rëndësi jetike për interesin shtetëror dhe publik, punë për mbrojtjen, aktivitetet gjyqësore, punët për rendin dhe sigurinë publike, veprimtaritë e shërbimit zjarrfikës, aktivitetet për kujdesin shëndetësor, si dhe punët nga veprimtaritë e tjera që nuk mbulohen nga ky paragraf, të cilat kanë karakter të veprimtarive ndihmëse  për kryerjen pa probleme të veprimtarisë bazë të punëdhënësit.

Punëdhënësit që do të shkelin ligjin do të përballen me ndalim pune 15 ditor dhe akuza për kundërvajtje. Nëse punëdhënësi përsërit të njëjtën vepër brenda një viti, ndalimi i punës do të jetë 30 ditë. Gjatë periudhave të ndalimit të punës, punëdhënësi do të jetë i detyruar t’u paguajë punëtorëve kompensim në shumën e pagës së paguar në muajin paraardhës dhe nuk duhet të zvogëlojë numrin e të punësuarve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button