MOST: Votimi ishte i qetë, një sërë parregullsish janë evidentuar

Votimi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale u zbatua në atmosferë të qetë, me jehonë të madhe të qytetarëve, deklaroi sot në konferencën për shtyp drejtori ekzekutiv i Asociacionit qytetar MOST Darko Aleksov.

Parregullsi më të shpeshta për të cilat informuan 3.332 mbikëqyrësit e MOST-it janë votimi familjar dhe në grupe, mosshfrytëzimi i llambave UV, fotografimi i fletëvotimeve dhe evidentimi i votueseve nga  ana  e mbikëqyrësve partiak në vetë vendvotimin.

“Megjithatë, duhet të theksohet zvogëlimi i intensitetit të një pjese të këtyre dukurive, si për shembull votimi në emër të tjetrit dhe  votimi disa herë i një personit të njëjtë, por nga ana tjetër rritje  të  rasteve të votimit në grupe apo familjare ” deklaroi Aleksov i cili e prezantoi raportin preliminar të MOST për raundin e parë të zgjedhjeve lokale.

Ai informoi se të paktën në 15 vendvotime ka pasur qytetarë të cilët nuk kanë mundur të gjendjen në listën zgjedhore. Aleksov tha se në këtë moment nuk mund të saktësojë për sa qytetarë bëhet fjalë, por se mbikëqyrësit e tyre e kanë vërejtur këtë dukuri.

Në lidhje me leximin në zë të emrave të votuesve, Aleksov tha se kjo nuk është definuar si shkelje e Ligjit, por, sipas tij, kjo praktikë paraqet presion indirekt ndaj votuesve. Shqetëson fakti, shtoi ai,  që asnjë parti politike  nuk reagon në dukurinë e tillë.

Në lidhje me votimin e parakohshëm të zbatuar të shtunën, sipas drejtorit ekzekutiv të MOST, përsëri ka rritje të numrit të personave të sëmurë dhe pafuqishëm të cilët janë paraqitur për votim shtëpiak. Sipas informacioneve të MOST-it,  numri i  personave të tillë të paraqitur për votim të paktën është 13,323 për dallim nga viti 2011 kur ishin 10.749. Trendi në rritje i  rasteve të tilla për cilët subjektet politike gjithashtu nuk reagojnë, sipas Aleksov e sjellë në pikpyetjeje  fshehtësinë e votës së këtyre personave.

Lidhur me listën zgjedhore, Aleksov thotë se KSHZ nuk ka dhënë kumtesë zyrtare  për kontrollin e listës zgjedhore gjegjësisht sa ndryshime janë bërë në të në pajtim me dispozitat dhe në afatin e paraparë ligjor. Këto informacione MOST në ciklet e mëparshme zgjedhore i ka siguruar nga njësitë lokale të KSHZ-së, por kësaj radhe ata nuk kanë qenë të autorizuar të japin informacione të tilla. Në përgjithësi punën e KSHZ-së e vlerësojnë si publike dhe transparente.
Në lidhje me këshillat zgjedhor të cilët ishin në përbërje të re, sipas këtij Asociacioni qytetar, në pjesën më të madhe në mënyrë shumë efikase e kanë kryer punë e tyre gjatë votimit, ndërsa në raste specifike kanë kërkuar intervenim nga KKZ të cilët kanë reaguar shpejtë dhe i kanë zgjedhur këto raste.

“Kjo paraqet vazhdim të praktikës pozitive e cila ishte vërejtur edhe në zgjedhjet e mëparshme parlamentare” tha Aleksov.

Afatet ligjore për zbatimin e veprimeve zgjedhore në përgjithësi janë respektuar. Aleksov deklaroi se në këto zgjedhje përsëri ka fillim të parakohshëm të  fushatës,  ndërsa  sipas tij kjo është për shkak  të dënimeve minimale të parapara për këtë, por shqetëson edhe fakti që KSHZ nuk ka vepruar për  shkeljet e tilla të partive edhe pse deri te ato kanë arritur parashtresa të tilla.

Në lidhje me fushatën zgjedhore për raundin e parë, Aleksov tha  se  ajo karakterizohet me aktivitet intensiv nga ana e partive, me një shkallë të lartë të polarizimit politik, fushatë negative, keqpërdorim i  resurseve shtetërore dhe publike, prania e të miturve në tubime ndërsa shumë shpesh edhe gjuhën e urrejtjes.

“Pas një kohe të gjatë është vërejtur shfrytëzimi i rritur i retorikës nacionaliste” deklaroi drejtori ekzekutiv i MOST-it.

Raundin e parë të zgjedhjeve lokale MOST e monitoroi nëpërmjet 18 zyrave rajonale të cilat i mbuluan të gjitha 80 komunat dhe qytetin e Shkupit, gjegjësisht tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button