“Fixigo”: Start-up nga Maqedonia me platformë të vetëqëndrueshme energjetike për të ndihmuar fermerët

Filipi, Gorjani dhe Mihaili janë tre studentë të rinj, të cilët e kanë themeluar startup-in “Fixigo”. Në një bisedë të këndshme me ta, zbuluam se është një kompani e cila zhvillon një platformë universale, gjegjësisht rrjet sensorësh me valë që është i vetëqëndrueshme sa i përket energjisë; qëllimi dhe synimi kryesor i platformës është të zgjidhë problemet në industri dhe prodhimtari. Për momentin, platforma është në një gjendje të vlerësimit të konceptit në mjedis relevant, me ç’rast do të tregohej përfitimi në drejtimin e përcaktuar, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Fillimisht i pyetëm për mënyrën e funksionimit të Fixigo, nga lindi ideja dhe kur i shtruan planet e para për krijimin e platformës.

“I gjithë viti 2020 ishte një sfidë e madhe për të gjithë ne. Në atë periudhë kishim pak më tepër kohë të lirë, si dhe dëshirë të madhe për të bërë diçka. Të udhëhequr nga kjo, e krijuam platformën tonë, qëllimi kryesor i së cilës është të zgjidhë problemet në industritë e mëdha. Menduam për drejtimin në të cilin mund të hulumtonim dhe vendosëm për bujqësinë, ndërsa për këtë u nisëm nga fakti se ekonomia në Maqedoni varet nga zhvillimi i bujqësisë, e cila fatkeqësisht përballet me probleme të mëdha. Ideja jonë fillestare ishte të shqyrtonim aplikimin e një platforme të tillë në bujqësi duke hulumtuar disa nga problemet me të cilat ballafaqohet një fermer në vendin tonë dhe nëpërmjet kësaj ta vërtetojmë konceptin tonë”, fillon Filipi.

“Platforma në fakt është e vetëqëndrueshme sa i përket energjisë”, vazhdon Gorjan, “sepse prodhon energji me ndihmën e paneleve fotovoltaike (solare) dhe një baterie. Veçoria e punës mobile nënkupton që ajo mund të zhvendoset në ndonjë vend tjetër nëse, për shembull, kushtet e matjes janë më të përshtatshme diku tjetër. Platforma kryen matje lokale të 9 parametrave të tokës në kohë reale, përkatësisht e bën monitorimin dhe kontrollin e të dhënave, që mblidhen në një bazë të përbashkët të të dhënave ku ato analizohen. Të dhënat mblidhen nëpërmjet sensorëve që i matin parametrat dhe pasi të bëhen analizat jepen njoftime për situata kritike dhe rekomandime përkatëse për fermerin, të cilat ai i pranon nëpërmjet një aplikacioni mobil. Këto rekomandime mund t’u ndihmojnë kompanive bujqësore dhe fermerëve individualë të maksimizojnë rendimentet dhe t’i minimizojnë shpenzimet e tyre, si dhe mund të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së rendimenteve. Organizatat private, publike dhe hulumtuese mund të kenë qasje te të dhënat e grumbulluara më parë dhe në atë mënyrë mund të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bujqësor”, shpjegon Gorjani.

Sa i përket njohurive të tyre të mëparshme në këtë fushë, teksa po bisedonim, të dy ranë dakord se nuk kishin pas pothuajse fare. Hapat e parë që i kanë ndërmarrë për zhvillimin e njohurive dhe aftësive të tyre sipërmarrëse kanë qenë onlajn kurset dhe materialet që kanë qenë në dispozicion në internet.

“Pas një kohe u paraqit thirrja me titullin “EU4Tech WB PoC”, e financuar nga fondet IPA të BE-së. Prej atëherë fillon zhvillimi më serioz i projektit nga aspekti afarist. Në atë moment ishim në fazat e hershme të vërtetimit të konceptit. Fillimisht kishte punëtori nëpërmjet të cilave u njohëm me termat profesionale, ku punonim në shembuj praktikë. Ishte shumë e dobishme, veçanërisht në periudhën që pasoi, puna me ekspertë, të cilët na ndihmuan në procesin edukativ. Nga programi morëm një ofertë për fonde, të cilat do të na ndihmonin të blinim materiale për zhvillimin e një produkti më të mirë MVP. Gjithashtu merita për zhvillimin e aftësive tona sipërmarrëse kanë edhe mentorët nga Parku Teknologjik në Universitetin e Evropës Juglindore të cilët janë me ne që nga fillimi dhe ekipi, i cili qëndron prapa përshpejtuesit të biznesit UKIM”, tha Filipi.

Paralelisht kanë punuar në një program tjetër para-përshpejtues, “EIT Jumpstarter” që u realizua nga Instituti Evropian për Inovacion dhe Teknologji, në fazën finale e të cilit ia dolën të hynin në listën e ngushtë prej 6 skuadrash në kategorinë e tyre, nga gjithsej 700 aplikues.

“Kontaktet që i zhvilluam në programin “EU4Tech” na ndihmuan të zhvillojmë një Pitch dhe prezantim të mirë dhe bindës për projektin tonë. Na ndihmuan të krijojmë kontakte me dizajner grafik, mentorë, agronomë. Punuam me njerëz nga Italia dhe Polonia dhe gjithçka u zhvillua onlajn dhe në fund thamë që po e prezantojmë atë që kishim përgatitur. Arritëm të futeshim në finalen e madhe në programin “Jumpstarter” si një ndër gjashtë skuadrat më premtuese në Evropë, të njohur si “Top 6 ekipet premtuese në Evropë” dhe gjithçka ishte super, megjithatë nuk ia dolëm të hynim në top treshen, por natyrisht edhe këtë e konsiderojmë arritje”, sqaron Filipi, student në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjisë Informative në Departamentin e Energjisë, Automatizimit dhe Energjisë së Rinovueshme.

Gorjani dhe Mihaili janë në vitin e tretë në Fakultetin e Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë ku studiojnë për Inxhinieri Softuerike. Pjesë e ekipit është edhe Danieli i cili punon në departamentin e reklamave për promovimin e kompaninë dhe platformën e shërbimit që e ofrojnë novatorët e rinj.

“Përpjekjet që po i bëjmë, për të cilat kemi punuar muajt e fundit dhe tani, janë të vërtetojmë  përfitimet që do t’i ofrojë platforma jonë. Me ndryshimin e disa komponentëve dhe rregullimeve, përveç në agronomi mund të aplikohet në çdo fushë tjetër. Për shkak të kësaj, ajo ka një karakter universal, global”, thekson Gorjani.

Sipas fjalëve të themeluesve të rinj, kur kanë nisur me idenë, kanë pasur të njohur të afërt në rolin e mentorëve, njerëz të fushës së elektroteknikës, ekonomistë, inxhinierë për softuer, të cilët vazhdimisht e kanë përkrahur idenë e tyre dhe i kanë këshilluar të vazhdojnë. Kanë biseduar edhe me një fermer duke ia shpjeguar konceptin, si do të funksiononte dhe çfarë përfitimi do të kishte fermeri nga rrjeti që do të krijonin. Siç thonë, kanë besuar në atë që po bënin, megjithëse ka pas momente kur kanë dashtë të hiqnin dorë, por në fund kanë vazhduar më tutje, gjë që ka rezultuar me zhvillimin e idesë në fazën e tanishme.

“Aktualisht jemi duke punuar për lansimin dhe testimin e një pilot-projekti të madh në Maqedoni dhe Shqipëri dhe sipas fidbekut që do ta marrim nga fermerët të krijojmë produktin më të mirë për tregun e synuar. Jemi të orientuar për të ngritur vetëdijen për problemet në bujqësi. Do të organizojmë një punëtori për të diskutuar problemet me të cilat mund të përballet sektori i bujqësisë, por edhe për edukimin e të rinjve për atë se çfarë mund të bëjnë me drejtimin e zgjedhur të të mësuarit. Ndoshta kjo është pikërisht ajo që na mungonte kur filluam. Ka shumë të rinj, të cilët janë në gjendje të prodhojnë zgjidhje të cilat do të kontribuonin në zgjidhjen e problemeve në bujqësi, kurse ne besojmë se në këtë mënyrë do ta inkurajonim atë. Kjo punëtori do të organizohet me Asociacionin Kombeve të Bashkuara të Maqedonisë”, tha Filipi.

Pas një procesi nëntë mujor, Agjencia e Maqedonisë për Punësim nxori një grant financiar që u ndihmoi të hapnin zyrtarisht kompaninë e tyre. Kanë aplikuar edhe në Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik ku projekti i tyre është miratuar për financim.

Përveç pjesëmarrjes në punëtoritë e projektit në fillim, anëtarët e “Fixigo” deri tani kanë marrë pjesë si folës në dy panel diskutime në Shkup dhe Trieste, Itali, ku kanë folur për rrugëtimin e tyre gjatë zhvillimit të projektit, ndërsa punëtoria e tyre e fundit u mbajt në Tiranë, që u organizua nga Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane.

Lëvizja e radhës, siç theksojnë ata, është të shkojnë drejt testimit dhe zbatimit përfundimtar të rrjetit të tyre në industrinë agronomike, ndërsa më tej në aktivitete të tjera zhvillimore ekonomike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button